10 gjëra që i bëjnë fëmijët të lumtur

Life style

10 gjëra që i bëjnë fëmijët të lumtur

Më: 26 mars 2024 Në ora: 06:59
Foto ilustrim

“Një prej gjërave më fatlume që mund të të ndodhin në jetë, mendoj unë, është të kesh një fëmijëri të lumtur”, ka thënë Agatha Christie.

Fëmijëria është një kohë e veçantë në jetë. Një kohë zbulimi, loje, mrekullie dhe argëtimi me botën, teksa fëmija vazhdon të njohë me gjithçka që e rrethon. Për prindërit, kjo kohë mund të jetë një formë shqetësimi, teksa përpiqen të sigurojnë shëndetin dhe lumturinë e fëmijës. Studime të shumta shkencore mund të kombinohen fare mirë me lumturinë e fëmijës. Ja dhjetë këshilla të provuara shkencërisht, që garantojnë një fëmijëri të lumtur e të shëndetshme.

1.Jepuni shumë kohë për lojë

Përgjegjësia parësore e një fëmije është – ose të paktën duhet të jetë – që të luajë. Megjithatë, fëmija do të ketë detyra shtëpie, detyra jashtëshkollore, e kështu me radhë. Por që në foshnjëri deri në adoleshencë, u duhet dhënë liria që të argëtohen. Peter Gray, një psikolog fëmijësh dhe profesor në Boston College thotë: “Fëmijët i mësojnë mësimet më të rëndësishme në jetë nga fëmijë të tjerë, jo nga të rriturit. Ata nuk mund të mësojnë nga ndërveprimi me të rriturit”. Kështu që nxitini të “dalin e të luajnë!”

2. Debatet dhe diskutimet e forta bëjini larg tyre

Truri i fëmijës zhvillohet me një ritëm të jashtëzakonshëm gjatë fëmijërisë së hershme. Kur ata shohin e dëgjojnë probleme të rriturish, gjendja psikologjike delikate e fëmijës mund të ndikohet negativisht.

3. Mos i krahasoni me të tjerët

Trysnia për të pasur sukses në shoqërinë e sotme mund t’ju bëjë që t’u ngulisni fëmijëve një ndjenjë konkurrence dhe disa të rritur e bëjnë duke i krahasuar me dikë tjetër. Ndonjëherë, të rriturit shfaqin edhe tipare të personalitetit që i dëshirojnë nga një fëmijë tjetër, duke shpresuar që t’ia imponojnë dhe fëmijës së tyre. Studiuesit thonë se, tendencat krahasuese mund të ndikojnë për keq te vetëbesimi i fëmijës.

4. Mësojuni dobinë e emocioneve negative

Një fëmijë s’mund të jetë i pjekur. Pothuaj të gjithë fëmijët kanë shpërthime spontane zemërimi, zilie, trishtimi etj. Këto sjellje ofrojnë një mundësi të mirë mësimi për të rriturit.
Dr. John Gottman në Universitetin e Uashingtonit citon tendencën e përhapur të të rriturve, duke u shkaktuar njëfarë “ndëshkimi” fëmijëve për “sjelljen e keqe”. Një mënyrë e mirë është që të pranosh sjelljen duke i mësuar fëmijëve se të gjithë përjetojnë emocione negative, si dhe të gjenden mënyra për t’u treguar se si t’i përballojnë këto emocione në mënyrë konstruktive.

5. Pranoni përpjekjet e tyre

Fëmija do të arrijë në një moshë kur do të kuptojë se nevojitet punë e madhe për të ecur përpara. Kështu që është e rëndësishme të pranosh dhe të njohësh kohën se kur fëmija bën përpjekje për të arritur diçka. Dr. Carol Dueck në Stanford thotë: “Mesazhi ynë për prindërit është që të fokusohen te procesi ku fëmijët duhet të angazhohen te detyra që po bëjnë – çfarë gjërash specifike ata po bëjnë. Fëmija nuk inkurajohet me shprehje të tipit: “ti je e zgjuar”, “ti je kaq e mirë në këtë punë”.

6. Vlerësoni traditat familjare

Të pasurit e një shumëllojshmërie gjërash, që një familje bën së bashku, është një shenjë e mirë e një familjeje të qëndrueshme, sepse ajo është një aspekt i rëndësishëm i zhvillimit të fëmijërisë.

Sipas Institutit të Zhvillimit të Fëmijëve, koha e rregullt familjare sjell pesë përfitime kryesore: fëmija ndjehet i rëndësishëm dhe i dashur; fëmija vëren tipare pozitive tek të rriturit; të rriturit mund të vëzhgojnë dhe të mësojnë më shumë për dobësitë e fëmijëve të tyre, për t’i udhëzuar ata më mirë; fëmija mund të shprehë me fjalë mendimet dhe ndjenjat e veta, ku prindi dhe fëmija mund të zhvillojnë një lidhje të fortë.

7. Lërini të provojnë

Fëmijët kanë nevojë për mbikëqyrje, megjithatë të rriturit mund ta teprojnë, duke monitoruar çdo lëvizje të tyre. Kjo gjë nuk e ndihmon zhvillimin. Studiuesit, në një artikull të botuar në Journal of Psychologists and Counsellors in Schools shkruajnë: “A mos vëmendja e tepruar te fëmija dhe nevojat e tij të imagjinuara, nxit prindërit të reduktojnë kërkesat e tyre nga fëmija, gjë që bën që fëmija rrallëherë të ndeshet me situata të pakëndshme, duke mos mësuar të përballet, si dhe të përftojë aftësi rimëkëmbëse, pjekuri dhe aftësi të tjera në jetë? Studimi aktual ngre shqetësimin që përgjigjja mund të jetë po”.

8. Jepuni përgjegjësi individuale

Lejojini fëmijët të marrin përgjegjësitë e tyre, pa i qëndruar çekan mbi kokë. Sipas psikologëve të fëmijëve, një kontroll i tepruar mund të zhvillojë te fëmija një sjellje pamundësie për t’i bërë gjërat vetë. Ndërkohë që, pak vëmendje e disiplinë janë të domosdoshme.

9.Krijoni kujtime të lumtura

Në një studim me shumë eksperimente, kryer nga profesorë të Harvardit, të rriturit që sillnin ndërmend kujtime të lumtura nga fëmijëria, kishin ndjenja më të çlirëta dhe më altruiste. Studiuesit vunë re se, pjesëmarrësit ishin më të prirur të ndihmonin eksperimentuesit me detyra shtesë, të gjykonin sjelljen jo etike dhe të dhuronin para për bamirësi, kur kishin kujtime aktive të fëmijërisë. Kështu që, duke krijuar kujtime të lumtura për fëmijën, mund të jeni duke i përgatitur ata që të bëhen të rritur të lumtur dhe dashamirës.

10.Jini vetë të lumtur

Fëmijët mësojnë nga ajo që shohin dhe dëgjojnë, për mirë a për keq. Nëse një i rritur shfaq sjellje pozitive, fëmija është më i prirur të bëjë kështu. Sipas Carolyn Couan, psikologe në Universitetin e Kalifornisë: “fëmijët nuk ecin mirë, nëse të rriturit nuk kujdesen për veten dhe marrëdhënien e tyre”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat