Shkencëtarët regjistruan një rritje të vazhdueshme të rezultateve të testeve të inteligjencës, një fenomen i njohur si efekti Flynn gjatë shekullit 20, por gjatë dekadave të fundit, ka pasur prova në rritje se ky efekt ka ngecur, dhe në disa pjesë të botës, ai madje është bërë negativ.
Koeficienti mesatar i inteligjencës u rrit rreth tri pikë në dekadë, dhe kjo shpjegohej me përmirësimet në të ushqyerit, arsimin, shëndetin dhe stimulimin e përgjithshëm mjedisor.
Një nga studimet më të detajuara mbi fenomenin u krye në Norvegji, ku shkencëtarët analizuan të dhënat e mbi 730.000 burrave që shërbyen në ushtri midis viteve 1970-2009.
Rezultatet treguan se IQ u rrit deri në mesin e viteve 1990, pas së cilës filloi të bjerë. Autorët e studimit të publikuar në PNAS, arritën në përfundimin se rënia nuk mund të shpjegohet me ndryshime gjenetike, por me faktorë mjedisorë dhe edukues.
Tendenca të ngjashme janë regjistruar në Danimarkë, Finlandë, Francë dhe Britani e Madhe. Një studim i botuar në revistën Intelligence tregoi se që nga vitet 1990, ka pasur një rënie në rezultatet e testeve të inteligjencës në fusha të ndryshme njohëse, raporton KosovaPress.
Testet PISA të kryera nga OECD çdo tri vjet te 15-vjeçarët, më 2022 tregoi rënie në matematikë, lexim dhe shkencë në një numër vendesh të zhvilluara, duke përfshirë Gjermaninë, Francën, Islandën dhe Slloveninë.
Kjo rënie lidhet me faktorë të shumtë – nga ndikimi i pandemisë në humbjet e mësimdhënies deri te reformat afatgjata arsimore që duket se kanë zhvendosur mendimin dhe analizën sistematike në favor të formave më fleksibël, por edhe më të cekëta të të mësuarit.
Tendenca të ngjashme janë regjistruar nga testet amerikane SAT dhe ACT, si dhe testet ushtarake në SHBA. Raporti i fundit nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së vëren një rënie në përqindjen e kandidatëve që plotësojnë kriteret bazë njohëse për të shërbyer në ushtrinë amerikane.
Edhe pse asnjëri nga faktorët që mund të ndikojnë në këtë trend nuk e shpjegon, kombinimi i tyre mund të jep një shpjegim:
-Ndryshimet në arsim – shumë reforma kanë vënë theksin në aftësitë "të buta" dhe punën në grup, dhe më pak në të menduarit analitik dhe të mësuarit e thellë.
-Shpërqendrimi digjital – ekranet, mediat sociale dhe kryerja e shumë detyrave zvogëlojnë hapësirën e vëmendjes dhe aftësinë për të menduar thellë.
-Rënie në leximin e librave – më pak fëmijë dhe të rinj lexojnë rregullisht tekste më të gjata, gjë që redukton aftësinë për të kuptuar dhe lidhur informacionin.
-Mjedisi i fëmijërisë së hershme – më shumë kohë në ambiente të mbyllura, më pak lojë dhe ndërveprim me natyrën redukton stimulimin kognitiv në vitet e formimit.
-Gjumi, ushqimi dhe stresi – mungesa kronike e gjumit, rritja e marrjes së sheqerit dhe ankthi mendor ndikojnë në zhvillimin e trurit.
Është e rëndësishme të theksohet se jo të gjithë ekspertët besojnë se inteligjenca si e tillë është në rënie. Disa theksojnë se testet standarde të IQ ende matin kryesisht inteligjencën akademike dhe logjike, ndërsa neglizhojnë aftësi të tilla si shkrim-leximi digjital, përpunimi i informacionit multimedial, përshtatshmëria sociale dhe kreativiteti.
Disa nga aftësitë njohëse që kërkohen sot si shpejtësia e ndërrimit të vëmendjes, përpunimi paralel i detyrave dhe menaxhimi i informacionit në një mjedis digjital nuk mbulohen nga testimi klasik.
Edhe pse nuk mund të themi me siguri se njerëzit po bëhen "memecë", është gjithnjë e më e qartë se ata po humbasin disa nga aftësitë që dikur ishin vendimtare për suksesin në shoqëri, si aftësia për të menduar në mënyrë të përqendruar, për planifikim afatgjatë dhe për të zgjidhur probleme abstrakte.
Por në të njëjtën kohë, ata forcojnë aftësi të tjera - përshtatshmërinë, shpejtësinë e reagimit, orientimin vizual-hapësinor dhe punën me teknologjinë.