Arkiva: Nga Trojet Shqiptare Lagjia e Trimave – Kumanovë 2015

Maqedonia

Arkiva: Nga Trojet Shqiptare Lagjia e Trimave – Kumanovë 2015

Nga: Beqir SINA - New York Më: 9 maj 2024 Në ora: 13:56
Foto ilustrim

Prej 9 majit 2015, shumë gazetarë, politikanë, qytetarë nga Shqipëria, Kosova e viset shqiptare, dhe nga diaspora e kanë vizituar këtë lagje, që për "kapriço" të të gjithëve, quhet edhe Lagje e Trimave. Po, të mos kishin qenë ngjarjet e 9 majit, shumë pak njerëz do ta dinin se ku është kjo lagje shqiptare në viset shqiptare, e cila ka shumë shqiptarë patriot dhe liridashës. Aty ku gati çdo shtëpi në Kumanovë dhe vendbanimet shqiptare në Maqedoni, Kosovë dhe Luginën e Preshevës mban një flamur shqiptar – flamurin kuq e zi, për krenari.

Shoqëruesit e mi, gjatë vizitës në Lagjen e Trimave, kolegu i nderuar televizionit TV-Hana në Kumanovë, gazetari Iljasa Abazi, dhe kameramani Dani Baftjari, më thanë se: "Kurrë më parë në këtë lagje, nuk ka pasur kaq shumë gazetarë, politikanë, diplomatë, qeveritarë, vizitorë shqiptarë dhe të huaj, sa që e kanë vizituar Lagjen e Trimave – Kumanovë, këto tre javë," tha ai.

Çdo ditë këtu, do të gjesh bashkëatdhetarë tanë, që vijnë nga Lugina e Preshevës, Kosova, Shqipëria, shqiptarët e Malit të Zi, nga Maqedonia, nga diaspora dhe të tjerë, dhe do të jetojnë sado pak me hallet dhe brengat e këtyre njerëzve. Jetojnë edhe ata me ato traumat e banorëve të Lagjes së Trimave, me të cilat këto ditë po jeton edhe gjithë populli shqiptar.

Kushdo që vjen në këtë vend, e cila tani është bërë si "Sarajeva" e shqiptarëve, filmojnë, fotografojnë dhe intervistojnë, gjejnë rastin e bisedojnë me këta banorë, të dashur, miqësorë, të thjeshtë, krenarë për familjet dhe vendin e tyre. Çdo njeri prej tyre, ende e ruan me krenari vendin e shtëpisë – duke na thënë se: "Sa e egër të jetë qeveria, me ne, dhe çfarëdo lloj inskenimi të sajojë, ajo, duke përdorur edhe armatimet më të rënda, autoblinda dhe helikopter, plumba dhe predha të kalibrit të ndryshëm, të djegë dhe të rrënojë shtëpitë, të arrestojë dhe të keqtrajtojë banorët, ne përsëri nuk lëvizim nga këto shtëpi. Sepse ne kemi një amanet, që na e kanë lënë të parët tanë, për të mos lëvizur kurrë nga këto troje, dhe për të mbrojtur këto troje, edhe me gjak."

Kjo vjen në pyetje, ngaqë këtu në këtë lagje, janë 55 shtëpi tërësisht të shkatërruara nga predhat e plumbat, e policia maqedonase, të shkrumbuara nga zjarri i luftës. Aty ende vjen era e tymit të barotit, që të kujtojnë ato skena filmike, të luftës në ish-Jugosllavi, të kujtojnë Sarajevën, Vukovarin ose ato qytete shqiptare si Gjakova dhe Peja – pas atyre sulmeve brutale ushtarake, duke përdorur edhe arsenalin më të rëndë të djegjes dhe shkatërrimit të shtëpive të shqiptarëve, që makina ushtarake e Millosheviqit, i përdori në Kosovë më 1999.

Banorët e Lagjes së Trimave, pyesin sot se çfarë ndodhi dhe pse ndodhi? Kush i vrau dhe i terrorizoi atë ditë shqiptarët, dhe përse? Përse gjithë ky tmerr u krye në mes të civilëve, grave, fëmijëve dhe të moshuarve? A e dinin politikanët shqiptar – se çfarë po ndodhte, dhe a kishin mundësi për ta ndaluar gjakderdhjen dhe këtë tmerr? Kush i spijunoi dhe i tradhëtoi ata që luftuan me të drejtë? Kush i pagoi dhe kush i mori – 2 milion euro, që po flitet se është paguar ky inskenim? Pse u zgjodh Kumanova? E tjera e tjera pyetje, që dalin këtu në mesin e këtyre njerëzve.

Derisa po kaloj shtëpi më shtëpi, disa të boshatisuara dhe pa asnje njeri, disa të tjera kanë nga një zot shtëpie që tregon si "ciceron", dëgjojmë rrëfimet e përlotëshme të asaj "luftë", në rrugën ku kishte ndodhur tmerri dhe terrori i ngjajshëm me "Vukovarin", dhe banorët që reagonin me ndjenja traumatike, dhe të revoltuar me qëndrimin e qeverisë, që jep premtime qesharake, duke e krahasuar me atë çfarë ka ndodhur realisht, dhe ankuar me politikanët shqiptar se i kanë braktisur. I afrohemi një shtëpie, të cilës i kan mbetur vetëm katër muret, dhe binarët e djegur. Aty çdo gjë është shkrumbuar nga zjarri i predhave dhe plumave. Shihen gjurmët e terrorit, orendi shtëpijake të shkrumbuara, frigorifer, lavatriçe, sobë me korent, televizorë, veshëmbathje, rroba fjetje, dyshek, batanije, dhe krevat, libra shkollore të fëmijëve, djegura dhe të bëra hi, piata dhe filxhanë, gota uji, komplese kuzhine, tenxherë, lugë, pirunë e thika, të gjitha të djegura.

Aty është edhe një nga kryefamiljarët në moshë, që ka përjetuar tmerrin dhe që shtëpia e tij gati se është e rrafshuar me tokë. "Jemi më shumë se 55 shtëpi, po na thonë dhe gati 128 familje në këtë rrugë, ku ndodhën "luftimet" dhe terrori i paparë policorë, që po vuajmë çdo ditë e më shumë nga traumat dhe vështirësitë e jetës. Por, që askush nuk po kthen vëmendjen tek ne nga qeveria, sikur ne të jemi qytetarë të një vendi tjetër jo ne ata që edhe kemi votuar për këta politikan," tha ky kryefamiljar ndërsa i faleminderohet, të gjithë shqiptarëve kudo që janë që po dërgojnë ndihma dhe janë solidarizuar me Kumanovën këto ditë. Gratë dhe fëmijët janë në gjendje më të rëndë, dhe ata çdo ditë e çdo natë nuk mund të shkëputen nga përjetimi i atij tmerri që ndodhi atë ditë, kur specialet dhe policia na futën nëpër autoblinda, sikur të ishim terrorista, tregojnë pesë anëtarë të një familjeje invalidësh, pesë janë të verbër. Por, policia kërkonte me dhunë edhe nga të verbërit, "se ai ka parë "terroristat"? siç i quanin ata. Një rrëfim trishtues ky, i pesë vëllezërve të vërbër për gazetën tonë. Një kryefamiljar tjetër – me shkop në dorë i moshuar dhe i martuar me një grua nga Durrësi, mbasi i kishte vdekur gruaja e parë, rrëfen se

" Ai bashkë me familjen e tij 11 anëtarëshe ishin strukur në një nga dhomat më të thella të shtëpisë, në besmen dhe për 12 orë kishin qenë të ngujuar në tmerrin që e ka parë me sytë e tij. "Ne me fëmijët dhe gratë kemi ndenjur aty të strukur. U frikësova shumë, as që e kisha parë ndonjëherë, megjithëse kisha përjetuar edhe luftën e Kosovës. Atë ditë jam frikësuar si kurrë në jetën time, dhe ja tregova atë frikë "natës së vorrit" tha ai. "Aty para kësaj rrugice vetëm tre katër metra larg, besmenit tonë, dikush shtiu me snajper dhe i ra në kokë njërit nga pesë specialeve, që shtinin me automatë në drejtim të një shtëpie aty afër.

"Polici, maqedonas u rrëzua për tokë i vdekur, dhe njëri nga shokët e tij e kapi menjëherë nga dora për të parë pulësin, ndërsa bërtiti me të madhe – "e vranë e vranë" në gjuhën maqedonase. Dhe, ashtu duke bërtitur, nxori një granatë që mbante në brez, dhe u turr nga dritarja, ku ishim strukur unë dhe 11 anëtarët e familjes. Kam parë që njëri prej shokëve të tij – me uniformën e specialeve, që i ka bërtitur, se "nëse ti e hedh granatën brenda në shtëpi, unë do tu vrasë të gjithëve, ju dhe veten time", tregon plaku i shtëpisë, dhe shton se 100 për qind, ai djalë, ka qenë shqiptar, se e kam kuptuar edhe nga të folurit maqedonisht, që ai ishte vetëm shqiptar," thotë ai i bindur. Lagja e Trimave kërkon ndihmë

Shaban Demiri, kryetar i Bashkësisë Lokale të Lagjes dhe këshillit emergjent, i pyetur për këtë situatë kërkon ndihmë urgjente dhe mbështetjen nga të gjithë shqiptarët kudo që janë, sidomos nga diaspora, të intervenojnë në institucionet ndërkombëtare. "Ju lutemi të na ndihmoni, sepse spo kemi nga të drejtohemi. Apelojmë, për ndihmë nga institucione përgjegjëse, dhe ato ndërkombëtare, partitë politike shqiptare, në Maqedoni, atyre që ua kemi dhënë vota, avokatët, organizatat vendore, rajonale dhe të huajve, që janë të specializuara në fushën e të drejtave të njeriut, por, edhe ekspertë ndërkombëtarë të na ndihmojnë. Kemi nevojë për të na ndihmuar për lirimin e të burgosurve, dhe kthimin e tyre pranë familjeve, sepse shëndeti i tyre është rrezikuar, dhe veç duke u përkeqësuar," thekson Shaban Demiri. Ndërkaq, ai shton se edhe shumë banorë të lagjes, çdo ditë po paraqiten dhe kërkojnë ndihmë, por ata nuk kanë ku të drejtohen dhe janë të hutuar, duke mos ditur se ku duhet të trokasin. Megjithëse, është ngritur edhe një grup pune "Shtabi i emergjencave", ne kemi nevojë për çdo ndihmë – solidarizohuni edhe ju me ne dhe jeni me ne të gjithë në këto ditë të vështira" bënë thirrje kryetari i "Shtabit të emergjencave".

Banorët dëshmojnë gjendjen e rëndë

Përjetimet e ngjajshme i shprehin edhe shumë familjarë të tjerë, duke theksuar se Qeveria dhe Ali Ahmeti po përmend se do të rregullohen shtëpitë, por kush na rikthen qetësinë dhe gjendjen tonë shpirtërore të rrënuar.

"Ne i po shikojmë politikanët tanë si Ali Ahmeti që po mendon se me beton e qeramikë do të na rikthejë e do na kompensojë dëmin. Ata po mendojnë se këtu ka qenë një lojë fëmijësh dhe se hajt se do të rregullohen shtëpitë. Nuk e dinë se 12 orët e tmerrit të përjetuar nuk i harrojmë kurrë. Na është thyer shpresa dhe vështirë po themi se do të na rikthehet. Unë po ju them të vërtetën se tani po e kemi problem me qëndru vetëm në shtëpi, sepse në një moment në qetësi po na rikthehen fotografitë e plumbave, zjarrit dhe krismave. Kërkojmë ndihmë dhe solidarizim shpirtëror," thekson një banor i lagjes së rrënuar, e cila vështirë dhe me ngadalësi po i rikthehet normalitetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat