Deklaratë e përbashkët e BE-së për fituesit në zgjedhje: Të zbatohen detyrimet e mbetura për nisjen e negociatave

Maqedonia

Deklaratë e përbashkët e BE-së për fituesit në zgjedhje: Të zbatohen detyrimet e mbetura për nisjen e negociatave

Më: 10 maj 2024 Në ora: 17:33
Foto nga vendi i ngjarjes

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian Josep Borrel dhe komisioneri evropian për zgjerimin Oliver Varhely, uruan fituesit e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut dhe u bënë thirrje që të vazhdojnë rrugën drejt integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Maqedonia e Veriut ka bërë hapa vendimtarë në procesin e anëtarësimit në BE dhe tani do të jetë e rëndësishme që të zbatohen obligimet e mbetura të nevojshme për hapjen e klasterit të parë në procesin e anëtarësimit”, Deklarata e përbashkët e zyrtarëve të BE-së.

Borrel dhe Varhej gjithashtu apeluan aktorët politik që të vazhdojnë me përmbushjen e reformave, me theks të veçantë në luftën kundër korrupsionit.

“Ne inkurajojmë aktorët përkatës politikë që të punojnë për të formuar një Kuvend dhe një Qeveri të qëndrueshme. Të dy institucionet duhet të punojnë së bashku për të avancuar rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, duke përfshirë zbatimin e reformave kyçe veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, në interes të të gjithë qytetarëve të saj” – Deklarata e përbashkët e zyrtarëve të BE-së.

Në lidhje me procesin zgjedhor, Borrel dhe Varhelyi në deklaratën e përbashkët theksojnë se ka qenë i rregullt dhe demokratik. Megjithatë, ata kritikojnë kuadrin ligjor, i cili, sipas tyre, është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare sa i përket qasjes së barabartë të pjesëmarrësve në zgjedhje. Gjithashtu, ata kritikojnë edhe mënyrën e miratimit të Kodit Zgjedhor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat