BDI reagon pas publikimit të bisedave të përgjuara

Maqedonia

BDI reagon pas publikimit të bisedave të përgjuara

Më: 17 qershor 2015 Në ora: 19:14

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar sot pas publikimit nga drejtuesi i opozitës Zoran Zaev, të bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve të saj. BDI-ja thotë se objekti për të cilin flet zoti Zaev është një zyrë e partisë, e nxjerrë në shitje.

Ndërkohë, Zoran Zaev vlerëson se drejtuesit e partisë shqiptare në pushtet janë po aq të korruptuar sa dhe ata të VMRO-së. Por, BDI-ja thotë se opozita maqedonase po e shtrembëron të vërtetën për qëllime të veta politike.
Bashkimi Demokratik për Integrim duket të jetë shqetësuar nga pubikimi i bisedave të përgjuara të zyrtarëve të partisë nga drejtuesi opozitar Zoran Zaev, ndërkohë mënyrën e paraqitjes së tyre e quan tendencioze.

Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së duke folur për objektin që pretendohet të ishte një nga temat e bisedave të përgjuara midis zyrtarëve të BDI-së, tha se bëhet fjalë për një zyrë të partisë në një kompleks tregtar në Shkup që ishte vënë në shitje sepse nuk përdorej nga partia.

“Kjo zyrë në Qendrën Tregtare 'Mavrovasja' është pronë e BDI-së dhe tendenca për ta paraqitur përpjekjen e kryetarit Ahmeti për shitjen e pronës partiake si krim korruptiv, sjell dyshime se 'E vërteta për Maqedoninë' qenka jo në bisedat e përgjuara, por në prezantimet dhe interpretimet tendencioze”, tha Izet Mexhiti.

Ndërkohë, drejtuesi opozitar Zaev bisedën e publikuar midis kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti dhe drejtuesit të degës së partisë në Çair të Shkupit, Beqir Hasani e vlerëson për manipulim, korrupsion dhe shkelje të ligjit; Poashtu, edhe bisedat tjera të përgjuara ku dëgjohen zyrtarët e BDI-së.

Nga ana tjetër, Izet Mexhti, i cili është dhe kryetar i komunës së Cairit, thotë se BDI-ja është partia e vetme e që kërkoi publikimin e të gjitha materialeve që i ka opozita maqedonase.

“Ali Ahmeti dhe të gjithë ne kemi thënë se nuk padisim asnjërën palë, as për përgjimin që na është bërë e as për publikimin. Por, kjo nuk nënkupton shtrembërim të qëllimshëm të së vërtetës për nevoja politike dhe për të krijuar opinion të preferuar publik”, tha z. Mexhiti.

Por, BDI-ja nuk sqaroi nëse kishte pasur parregullsi në ndërtimin e një shtëpie përballë Ambasadës amerikane, për çka kryeministri Nikolla Gruevski i kërkonte Ali Ahmetit që të ndërhyjë, me që shtëpia, atëherë në ndërtim e sipër, po ngritej pa leje.

“Është ngritur panik nga njerëzit tuaj”, thotë zoti Gruevski ndërsa i përkujton zotit Ahmeti se ishin marrë vesh qysh në bisedimet për formimin e qeverisë se ndërtimet pa leje pas afatit të përcaktuar me ligj, të prisheshin.

Zyrtarët e BDI-së, sipas zotit Gruevski kishin reaguar se kjo mund të kishte pasoja politike për partinë.

Ndërkohë, zoti Ahmeti dëgjohet duke i thënë kryeministrit Gruevski se në parim ai është kundër ndërtimeve pa leje.

“Ne nuk humbim asgjë, por duhet të menaxhohet disi që të mos ndodh ndonjë gjë”, dëgjohet zëri i Ali Ahmetit.

Zoran Zaev mendon se arësyet që BDI i duron nënçmimet në qeveri, nuk janë interesat e qytetarëve as të elektoratit, por pushteti.

Për dallim nga VMRO-DPMNE e cila audio-regjistrimet e përgjuara i cilëson si të montuara, BDI-ja nuk ka hedhur dyshime mbi autenticitetin e zërave që dëgjohen aty. Skandali i përgjimeve ka thelluar krizën politike në Maqedoni dhe palët nuk po mund të gjëjnë zgjidhjen e saj as me ndërmjetësimin e deritashëm të zyrtarëve të lartë evropianë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat