​Katër pije të thjeshta që duhet t’i konsumoni nëse keni anemi

Mjekësi alternative

​Katër pije të thjeshta që duhet t’i konsumoni nëse keni anemi

Më: 29 nëntor 2023 Në ora: 19:23
Foto ilustrim

Shkaku më i zakonshëm i anemisë është mungesa e hekurit dhe pa të, trupi juaj nuk është në gjendje të prodhojë hemoglobinën që i nevojiten qelizave të kuqe të gjakut për të transportuar oksigjen. Hekuri mund të përfshihet në dietën tuaj ditore, por edhe ta kompensoni me pije të thjeshta.

Disa pije përmbajnë komponime që mund të përkeqësojnë aneminë duke bllokuar përthithjen e hekurit (kafe, çaj, pije të gazuara), ndërsa të tjera përmirësojnë përthithjen ose përmbajnë një përqendrim mjaft të lartë të hekurit, vitaminës B-12 ose folatit.

Lëng portokalli

Një studim i publikuar në "American Journal of Clinical Nutrition" zbuloi se konsumimi i vitaminës C rrit përthithjen e hekurit nga ushqimi. Një nga burimet më të pasura të vitaminës C është lëngu i portokallit sepse një gotë përmban më shumë vitaminë C sesa doza e rekomanduar.

Lëngu i portokallit është gjithashtu një zgjedhje e mirë për të pirë nëse jeni bërë anemikë për shkak të mungesës së folatit.

Çdo gotë me lëng portokalli ka 74 mikrogramë folate. Kjo është pothuajse 19 për qind e nevojave ditore për një të rritur.

Lëng karote

Një dietë pa ushqime të pasura me vitaminë A mund të përkeqësojë aneminë e mungesës së hekurit. Kjo mund të jetë për shkak se vitamina A ndihmon në lëvizjen e hekurit të ruajtur në trupin tuaj në qelizat e kuqe të gjakut.

Frutat dhe perimet me ngjyrë të verdhë dhe portokalli, si karotat, janë burime të mira të karotenoideve, të cilat shndërrohen në vitaminë A kur konsumohen. Përveç lëngut, rekomandohet të hani karota të freskëta.

Lëng i kumbullave të thara

Lëngu i kumbullave të thara nuk është një burim i mirë i vitaminës A ose C, por është i pasur me hekur. Konsumimi i rregullt mund të ndihmojë në uljen e simptomave të anemisë së mungesës së hekurit.

Çdo gotë me lëng kumbulle përmban më shumë se tre miligramë hekur. Për meshkujt, kjo sasi do të ishte afërsisht 38 për qind e tetë miligramëve të marrjes së rekomanduar ditore të hekurit.

Për gratë, të cilat duhet të konsumojnë rreth 18 miligramë hekur në ditë, një gotë me lëng kumbulle do të plotësonte pothuajse 17 për qind të kërkesës.

Qumështi

Njerëzit që kanë anemi sepse nuk konsumojnë mjaftueshëm vitaminë B-12 mund ta kompensojnë duke konsumuar qumësht. Çdo filxhan qumësht me pak yndyrë përmban një mikrogram vitaminë B-12 ose gjysmën e dozës së rekomanduar ditore për një të rritur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat