Në vijim të bisedës në një studio televizive me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja për shkaktarët e fryrjes së barkut, ai theksoi se aerofagia bën që nervi frenitus të çrregullojë funksionin e tretjes, çka do të thotë lemza.
“Në pjesën e sipërme po t’a shikojmë ndërtimin e stomakut dhe pozicionin e tij, ai gati 1/3 e masës së tij e ka në kafazin e kraharorit së bashku me zemrën dhe mushkëritë. Aty ku ndodhet kjo diafragmë është një nerv, nervi frenitus, i cili nga ajri i futur nga goja në stomak gjatë gëlltitjes apo nga prezenca e gazrave çtensionohet, ngacmohet dhe fillon një lemzë e vazhdueshme, e shpeshtë dhe bezdisëse”, shprehet Merja.
Nëse ju kap shpesh lemza, thotë Merja, atëherë duhet të bëni një vizitë për të kontrolluar organet e brendshme dhe konkretisht stomakun. Problemin e lemzës së zgjatur dhe të shpeshtë ose të pandërprerë ne e zgjidhim shumë lehtë.
“Çaji i nenexhikut, i mendrës së butë është zgjidhja ideale. Gjithashtu dhe gjethja e freskët e nenexhikut apo e thatë, mund të përdoret në gjellë apo sallatë, është e mrekullueshme”, thekson Merja.
I pyetur nga moderatorja, nëse një person e zë befas lemza, dhe ne e trembim apo i tregojmë një histori për të “humbur mendjen” sipas miteve që kanë ngelur në popull, a ka ndonjë ndikim? Merja përgjigjet se ngacmimi i sistemit nervor bëhet për të transmetuar një ngacmim nervor në një qendër tjetër për të larguar vëmendjen dhe që ndonjëherë edhe rezulton me efikasitet, por hapi i parë që duhet të bëjmë për të ndaluar lemzën eshtë që të pijmë pak ujë dhe më pas ta mbajmë për pak sekonda stomakun si të mbledhur. Gjithashtu një zgjidhje tjetër është marrja frymë thellë duke mbushur mushkëritë me ajër.