“Para nga qielli”, mbushet rruga, qytetarët dalin për të mbledhur

Ndryshe

“Para nga qielli”, mbushet rruga, qytetarët dalin për të mbledhur

Më: 20 nëntor 2021 Në ora: 08:19
Pamje nga video

Një “shi parash nga qielli” filloi befas dje në Kaliforni. Ajo që shumë vetëm mund ta kishin ëndërruar ndodhi në realitet.

Mijëra kartëmonedha filluan të fluturojnë nga një kamion i blinduar i transferimit të parave që lëvizte në një autostradë në Kaliforni të premten, dhe shoferët ndaluan automjetet e tyre, duke dalë për të mbledhur sa të mundeshin.

Mirëpo, gëzimi i drejtuesve të mjeteve ka zgjatur pak, pasi policia ka mbërritur me shpejtësi në vendngjarje për të rivendosur rendin, duke arrestuar fillimisht dy persona.

“Ka shumë video që tregojnë njerëz që vjedhin para duke i marrë nga rruga,” tha shefi i policisë së trafikut të autostradës së Kalifornisë, Curtis Martin në një konferencë shtypi.

“Kartëmonedhat që ranë nga kamioni, janë mijëra dollarë, i përkasin bankës dhe duhet t’i dorëzohen një komisariati,” këmbënguli ai.

“Xhekpoti” ndodhi kur dera e një kamioni të blinduar të transferimit të parave u hap papritur pranë San Diegos, jo shumë larg kufirit me Meksikën.

Videot e postuara në mediat sociale tregojnë shoferët që ndalojnë automjetet e tyre në mes të rrugës dhe në korsinë e urgjencës dhe vrapojnë për të mbledhur disa dollarë. Policia ka paralajmëruar se këto video do të përdoren për të gjetur ata që nuk i kanë kthyer paratë e grumbulluara në mënyrë të paligjshme. Policia e arrestoi në vend një burrë dhe një grua të cilët nxituan të merrnin sa më shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat