A mund t’i mbrojmë pyjet nga zjarret përmes “sensorëve inteligjentë” të vendosur në pemë?

Ndryshe

A mund t’i mbrojmë pyjet nga zjarret përmes “sensorëve inteligjentë” të vendosur në pemë?

Më: 16 korrik 2022 Në ora: 23:50
Ilustrim

Në ishullin italian të Sardenjës, një rajon i shkatërruar nga zjarret pyjore në vitin 2021, autoritetet po i mbështesin shpresat e tyre në një varg sensorësh të identifikimit shumë të hershëm të zjarreve të ashpra për të parandaluar përsëritjen e të njëjtës ngjarje katastrofike.

 

Siç raporton EuroNews, sensorët, që përdorin teknologjinë “Interneti i Gjërave” (IoT) dhe funksionojnë pa nevojën e monitorimit celular, instalohen në pemë për të identifikuar gaz gjatë fazës kur fillon zjarri, përpara se të ndizet plotësisht.

Qëllimi i kësaj është të reduktohet koha e reagimit të shërbimeve zjarrfikëse brenda orës së parë kritike me shpresën se ata mund të frenojnë zjarrin përpara se të përhapet në mënyrë të pakontrolluar.

“Imagjinojeni atë si një pyll të avancuar”, thotë Reuben Kingsland, një specialist i IoT dhe i cloud në Vodafone Business.

“Ata sensorë ‘flasin me njëri-tjetrin’ nëpër pyll dhe lidhen përsëri me këtë, që është porta që ndodhet në skaj të pyllit”.

Lidhja me një qendër alarmi të bazuar në cloud do të thotë se kjo është një zgjidhje shumë më e shpejtë për problemin e identifikimit të zjarreve se sa përdorimi i kamerave ose satelitëve.

“Duke e krahasuar me zgjidhjet e tjera, ju mund të përdorni imazhe satelitore, por kjo mund të marrë deri në një muaj që ato imazhe satelitore të kenë efekt. Ose mund të përdorni kamera brenda një zone pyjore, por kjo mund të zgjasë disa orë para se të vini re zjarrin”, shpjegoi Matt Green, një specialist teknologjie në Vodafone Business.

“Identifikimet që bëhen këtu janë në fazën e hershme të djegies, shumë më herët, dhe mund të identifikoni zjarrin brenda disa minutave dhe me orë ose ditë”, shtoi ai.

“Pylli i avancuar” inovativ është rezultat i një partneriteti midis Vodafone Business dhe Extreme E, seria e garave elektrike në terren të ashpër që synon të tërheqë vëmendjen ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike dhe zgjidhjeve në të cilat të gjithë mund të kontribuojmë.

“Një nga gjërat më të mëdha që po ndodhin në ndryshimin e klimës për momentin janë zjarret në pyje në të gjithë botën dhe në fund, zgjidhja që ne po vendosim do të parandalojë zjarret në pyje që mund të ndodhin në të ardhmen”, tha Kingsland.

Në vitin 2021, zjarret shkatërruan 20 mijë hektarë të Sardenjës, duke zhvendosur mbi 1,000 njerëz dhe duke vrarë rreth 30 milionë bletë.

Zjarret emetuan 1.76 miliardë ton karbon globalisht në vitin 2021, që është e barabartë me më shumë se dyfishin e emetimeve vjetore të CO2 të Gjermanisë, sipas Shërbimit të Monitorimit të Atmosferës Copernicus të Bashkimit Evropian.

Në nivel global, totali i emetimeve të zjarreve nuk ishte më i larti që nga viti 2003, por Copernicus tha se emetime të tilla ka gjasa të rriteshin derisa shpalosen ndikimet e ndryshimeve klimatike.

Ndryshe, vendet në Evropë sikurse Portugalia, Spanja dhe Franca jugperëndimore po përballen me zjarre për shkak të një vale të nxehti.

Në Portugalinë veriore, një pilot vdiq kur aeroplani i tij me ujë u rrëzua në zonën Foz Coa, pranë kufirit spanjoll.

BBC raporton se zjarret po shkatërrojnë zonat e rajonit Gironde të Francës, ku më shumë se 12,000 njerëz janë evakuuar.

Në Spanjën jugore, pranë Costa del Sol, rreth 2,300 njerëz u detyruan të largoheshin nga zjarri i përhapur në kodrat Mijas.

Që nga e marta, temperaturat janë rritur në 47 gradë Celsius në Portugali dhe mbi 40 gradë Celsius në Spanjë. Më shumë se 300 njerëz kanë vdekur nga të nxehtit në të dy vendet, raporton agjencia spanjolle e lajmeve Efe.

Ndërkohë, në Itali, qeveria ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme në luginën e tharë Po – lumi më i gjatë i vendit nuk është më shumë se një rrjedhë në disa vende.

Në Greqi, zjarrfikësit po përballen me flakët në zonën e Ferizës, rreth 50 kilometra në jug-lindje të Athinës dhe pranë Rethymno-s, në bregun verior të Kretës. Shtatë fshatra janë evakuuar pranë Rethymnos.

Në veri të Marokut, disa fshatra duhej të evakuoheshin pasi zjarret kanë përfshirë përreth provincave Larache, Ouezzane, Taza dhe Tetouan. Një fshat u shkatërrua plotësisht në zonën e Ksar El Kebir dhe të paktën një person vdiq nga zjarri.

Franca gjithashtu ka pasur nxehtësi të madhe me temperatura prej rreth 40 gradë Celsius

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat