​15 mijë euro depozitë për shëtitje në Mont Blanc

Ndryshe

​15 mijë euro depozitë për shëtitje në Mont Blanc

Më: 7 gusht 2022 Në ora: 17:31
Foto ilustrim

Kushtet në Mont Blanc tani janë aq të rrezikshme sa që alpinistët duhet të paguajnë një depozitë 15 mijë euro për të mbuluar shpenzimet e shpëtimit dhe varrimit të mundshëm, paralajmëroi kryetari i bashkisë së qytetit francez të Saint-Gervais, Jean-Marc Peillex.

Mungesa e borës së dimrit dhe nxehtësia ekstreme e kësaj vere kanë destabilizuar shkëmbinjtë dhe e kanë bërë të vështirë kalimin e çarjeve, dhe nxehtësia, që i atribuohet ndryshimeve klimatike, ka rritur rrezikun e ortekëve në Alpe pasi shkrihen akullnajat.

Peillex theksoi për BBC se vala e të nxehtit ndikoi që të bënte më të shpeshta rëniet e gurëve dhe se ata që injoruan paralajmërimet dhe morën rrugën Guter deri në mal po luanin "ruletë ruse".

Ai deklaroi se kostoja mesatare e shpëtimit të njerëzve në mal është 10 mijë euro, ndërsa varrimi 5 mijë euro dhe vlerësoi se është e papranueshme që taksapaguesit francezë t'i mbulojnë këto shpenzime.

Ai kritikoi ata që e vizitojnë këtë mal pa u përgatitur dhe pa i respektuar rregullat.

Si shembull, ai përmendi një grup rumunësh që u gjetën më 30 qershor teksa kishin veshur pantallona të shkurtra dhe atlete. Ai tha se alpinistët rumunë u thirrën me altoparlant në helikopterin e policisë për t'u kthyer dhe se ata u përgjigjën se do të ktheheshin një ditë më vonë.

Peillex shpjegoi se shuma e depozitave për alpinistët duhet të jetë e madhe për të tërhequr vëmendjen për problemin.

Mont Blanc ka 11 maja mbi 4000 metra në Francë dhe Itali dhe zakonisht tërheq qindra-mijëra turistë çdo vit.

Çdo vit, qindra operacione shpëtimi kryhen në masiv dhe regjistrohen disa dhjetëra vdekje të alpinistëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat