​Meteori 4.6 miliardë vjeçar mund të zbulojë origjinën e ujit të Tokës

Ndryshe

​Meteori 4.6 miliardë vjeçar mund të zbulojë origjinën e ujit të Tokës

Më: 20 nëntor 2022 Në ora: 21:01
Ilustrim

Një meteorit i lashtë që u përplas në një rrugë në Mbretërinë e Bashkuar mund të ketë zgjidhur misterin se nga erdhi uji në Tokë.

Shkëmbi hapësinor 4.6 miliardë vjeçar, i cili ra përpara një shtëpie familjare në qytetin anglez Winchcombe në shkurt 2021, përmban ujë që i ngjan shumë përbërjes kimike të ujit të gjetur në Tokë – duke paraqitur një shpjegim të mundshëm se si planeti ynë u mboll me substancën jetëdhënëse.

Kur planetët e brendshëm shkëmborë të sistemit të ri diellor u bashkuan për herë të parë - duke u mpiksur nga retë e nxehta të gazit dhe pluhurit që rridhnin pranë diellit - ata ishin shumë afër yllit tonë për t'u formuar oqeanet.

Në fakt, duke kaluar një pikë të caktuar të quajtur vija e ngricës, asnjë akull nuk mund t'i shpëtonte avullimit, duke e bërë Tokën e re një peizazh shterpë dhe jomikpritës.

Shkencëtarët mendojnë se kjo ndryshoi pasi Toka u ftoh, kur një breshëri asteroidesh të akullt nga sistemi i jashtëm diellor solli ujë të ngrirë në planetin tonë për t'u shkrirë.

Tani, një analizë e re e meteorit Winchcombe, e botuar në revistën Science Advances, i ka dhënë peshë kësaj teorie.

"Një nga pyetjet më të mëdha që i bëhet komunitetit shkencor është, si arritëm deri këtu?", tha bashkautori i studimit Luke Daly, një mësimdhënës i gjeoshkencës planetare pranë Universitetit të Glasgout.

"Kjo analizë në meteoritin Winchcombe jep një pasqyrë se si Toka filloi të kishte ujë - burimi i kaq shumë jetës. Studiuesit do të vazhdojnë të punojnë në këtë ekzemplar për vitet në vijim, duke zbuluar më shumë sekrete në origjinën e sistemit tonë diellor," shtoi ai.

Shkëmbi hapësinor, një lloj i rrallë i pasur me karbon i quajtur kondrite karbonike, u mblodh vetëm disa orë pasi u përplas në Tokë dhe kështu mbetet kryesisht i pa ndotur, duke e bërë atë "një nga meteoritët më të pacenuar të disponueshëm për analizë".

“Ai ofron një vështrim tërheqës pas në kohë në përbërjen origjinale të sistemit diellor”, tha autori kryesor Ashley King, një studiues pranë Muzeut të Historisë Natyrore në Londër.

Për të analizuar mineralet dhe elementët brenda shkëmbit, studiuesit e lustruan, e ngrohën dhe e bombarduan me rreze Rëntgen dhe laser, duke zbuluar se ai kishte ardhur nga një asteroid në orbitë rreth Jupiterit dhe se 11% e masës së meteorit ishte ujë.

Hidrogjeni në ujin e asteroidit erdhi në dy forma - hidrogjeni normal dhe izotopi i hidrogjenit i njohur si deuterium, i cili përbën "ujin e rëndë".

Shkencëtarët zbuluan se raporti i hidrogjenit me deuteriumin përputhej me raportin e gjetur në ujin në Tokë, duke nënkuptuar fuqimisht se uji i meteorit dhe uji i planetit tonë kishin një pikë origjine. Aminoacidet, blloqet ndërtuese për proteinat dhe jetën pasuese, u gjetën gjithashtu brenda shkëmbit.

Për të zgjeruar këtë hulumtim, shkencëtarët mund të analizojnë shkëmbinj të tjerë hapësinorë që lundrojnë rreth sistemit diellor, si asteroidi Ryugu, i cili gjithashtu është gjetur se përmban blloqet ndërtuese të jetës.

Një studim gjithëpërfshirës i shkëmbinjve hapësinorë të sistemit diellor mund t'u japë shkencëtarëve një pasqyrë edhe më të mirë se cilët shkëmbinj ndihmuan në mbjelljen e Tokës së hershme dhe nga erdhën ata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat