Shtëpia e ankandeve Sotheby's ka shtyrë shitjen në Hong Kong të qindra gurëve të çmuar që janë të lidhura me reliket e Budës, pas një kërcënimi për veprim ligjor nga qeveria indiane, sipas BBC News, raporton KosovaPress.
Shitja e këtij koleksioni – i përshkruar si një nga zbulimet arkeologjike më të jashtëzakonshme të epokës moderne – kishte nxitur kritika nga akademikë budistë dhe udhëheqës monastikë. India kishte deklaruar se kjo gjë fyente komunitetin budist në mbarë botën.
Sotheby's tha se pezullimi do të mundësojë zhvillimin e diskutimeve mes palëve.
Një zyrtar britanik me emrin William Claxton Peppé kishte zbuluar reliket në Indinë veriore pothuajse 130 vjet më parë, së bashku me fragmente kockash që janë identifikuar si pjesë të trupit të Budës vetë.
Ankandi i koleksionit, i njohur si “Xhevahirët e Piprahwas të Budës Historik – Perandoria Mauriane, Epoka e Ashokës, rreth viteve 240-200 p.e.s.”, ishte planifikuar të zhvillohej më 7 maj.
Në një letër dërguar shtëpisë së ankandeve dy ditë më parë, qeveria indiane deklaroi se reliket përbëjnë “trashëgimi fetare dhe kulturore të patjetërsueshme të Indisë dhe të komunitetit budist global. Shitja e tyre përbën shkelje të ligjeve indiane dhe ndërkombëtare, si dhe të konventave të Kombeve të Bashkuara”.
Një delegacion i nivelit të lartë nga qeveria indiane zhvilloi më pas bisedime me përfaqësues të Sotheby’s të martën.
Në një deklaratë të dërguar me email, Sotheby's tha se, në dritën e çështjeve të ngritura nga qeveria indiane “dhe me miratimin e dorëzuesve të koleksionit, ankandi ... është shtyrë”.
Sipas tyre, përditësimet lidhur me diskutimet do të ndahen “kur të jetë e përshtatshme”.
Njoftimi për shitjen e xhevahirëve është hequr nga faqja e ankandit deri të mërkurën dhe faqja e internetit që promovonte ankandin nuk është më e disponueshme.
William Claxton Peppé ishte një administrator tokash anglez i cili kreu gërmime në një stupa në Piprahwa, pak në jug të Lumbinit, vendi që besohet të jetë vendlindja e Budës. Ai zbuloi relike të gdhendura dhe të shenjtëruara pothuajse 2,000 vjet më parë.
Gjetjet përfshinin rreth 1,800 gurë të çmuar, përfshirë rubinë, topazë, safirë dhe fletë ari me ornamente, të ruajtura brenda një dhome prej tullash. Ky vend ndodhet tani në shtetin indian Uttar Pradesh.
Sotheby's kishte deklaruar në shkurt se zbulimi i vitit 1898 renditej “ndër zbulimet arkeologjike më të jashtëzakonshme të të gjitha kohërave”.