Kina godet gratë që shkruajnë letërsi erotike homoseksuale

Kuriozitete

Kina godet gratë që shkruajnë letërsi erotike homoseksuale

Më: 30 qershor 2025 Në ora: 14:07
Foto ilustrim

Në Kinë, ka patur një numër në rritje te personave të arrestuar për publikimin e letërsisë erotike me përmbajtje homoseksuale, të njohur si danmei. Të paktën 30 autorë, kryesisht femra në të 20-at, janë ndaluar nga policia që prej shkurtit, ndërsa dhjetëra të tjera janë marrë në pyetje ose janë në pritje të gjykimit.

Shumë prej tyre kishin publikuar veprat në platformën tajvaneze Haitang Literature City, e njohur për përmbajtje të lirë dhe kreative. Ligji kinez për pornografinë ndalon prodhimin dhe shpërndarjen e materialeve “të pahijshme”, përfshirë përshkrime të detajuara të marrëdhënieve seksuale homoseksuale. Autorët që përfitojnë financiarisht nga këto vepra përballen me deri në dhjetë vite burg.

Një nga llogaritë që rrëfeu arrestimin ishte Pingping Anan Yongfu, e cila tregoi për poshtërimin publik që përjetoi gjatë ndalimit, duke përfshirë kontrolle të turpshme dhe marrje në pyetje. Ajo përshkroi si ndjeu turp përpara familjes, ndërsa postimi i saj në rrjet u fshi menjëherë pas viralizimit.

“Më paralajmëruan të mos flas. Nuk do ta harroj kurrë momentin kur më shoqëruan drejt makinës në sy të të gjithëve, turpin që ndjeva teksa më detyruan të zhvishem për kontroll përpara të panjohurve, veshjen e jelekut për fotografitë, qëndrimin në karrige, dridhjet nga frika, rrahjet e zemrës”, tha ajo.

Këto rrëfime u pasuan nga një valë reagimesh në rrjet, ku shumë përdorues ngritën pyetje mbi kufijtë e lirisë artistike dhe censurën gjinore. Madje aq të mëdha ishin diskutimet saqë u bë problem për Pekinin. Hashtag-u #HaitangAuthorsArrested grumbulloi mbi 30 milionë shikime para se të censurohej.

Sipas avokatëve që ndihmojnë autorët, kjo është vala e dytë e arrestimeve në më pak se një vit dhe këtë herë janë përfshirë edhe persona me përfshirje minimale. Në shumë raste, policia ka llogaritur klikimet e çdo kapitulli për të fryrë numrin e lexuesve dhe për të justifikuar akuzat.

Disa autore janë detyruar të udhëtojnë me shpenzimet e tyre për t’u paraqitur në stacione policie jashtë qytetit të tyre. Policia në Lanzhou, e akuzuar për ndërhyrje jashtë juridiksionit, nuk ka dhënë asnjë reagim zyrtar. Praktika të tilla janë parë edhe më parë në Kinë, veçanërisht në rajone me borxhe të mëdha, që kërkojnë të gjenerojnë të ardhura përmes gjobave dhe ndjekjes penale.

Zhanri danmei, i frymëzuar nga manga-t japoneze “boys’ love”, ka fituar popullaritet masiv ndër vite, kryesisht mes grave të reja kineze. Në vitin 2021, mbi 60 novela danmei u adaptuan për filma dhe seriale, ndërsa disa arritën në listat ndërkombëtare të bestsellerëve.

Përmbajtja përqendrohet në marrëdhënie mashkull-mashkull, por shumica e lexueseve dhe autoreve janë gra, të cilat e përdorin këtë zhanër si formë lirimi emocional dhe seksual.

Për shumë prej tyre, danmei ofron një realitet alternativ ndaj rolit tradicional të gruas në martesë dhe familje. Për këtë arsye, autoritetet kineze e shohin këtë lëvizje si subversive dhe në kundërshtim me promovimin e “vlerave tradicionale familjare”.

Ekspertët thonë se kjo goditje ndaj danmei-t lidhet edhe me krizën demografike në Kinë dhe përpjekjet e qeverisë për të nxitur martesat dhe lindjet. Presidenti Xi Jinping ka nxitur retorikën për “ringjalljen kombëtare” dhe kthimin drejt modelit tradicional të familjes.

Në këtë kontekst, letërsia që sfidon normat gjinore shihet si pengesë për politikat e shtetit.

“Pëlqimi ndaj danmei-t shihet si një faktor që ndikon në uljen e dëshirës së grave për të krijuar familje,” shpjegon Dr Liang Ge, pedagoge në University College London.

Sipas saj, danmei është një hapësirë ku gratë shkëputen nga realiteti patriarkal dhe marrin kontroll mbi dëshirën e tyre.

Shumë nga autorët e ndaluar kanë qenë të mitur kur e kanë nisur këtë rrugëtim, disa kanë filluar të lexojnë dhe të shkruajnë që në moshën 11 vjeç. Edhe pse kjo ngre pikëpyetje të ligjshme mbi aksesin e të miturve në përmbajtje të rriturish, komuniteti kërkon që problemi të trajtohet pa ndëshkime penale të tepërta.

Ndërkohë, disa prej veprave danmei përmbajnë përmbajtje të errët apo të dhunshme, që ka ngjallur shqetësime edhe mes lexuesve. Megjithatë, censura e skajshme dhe ndëshkimi masiv shihen si masa shtypëse ndaj lirisë artistike dhe vetë shprehjes. Për shumë autore, përballja me policinë, humbja e anonimatit dhe turpi familjar janë po aq traumatike sa edhe rreziku ligjor.

Në mënyrë simbolike, platforma Haitang është parë si një hapësirë e koduar për gratë që duan të eksplorojnë seksualitetin përtej kufijve tradicionalë. Por goditja e fundit ka shkatërruar sigurinë e kësaj hapësire virtuale. Një autore rrëfeu se kishte fituar vetëm 4,000 juanë nga shkrimet e saj, por këto u përdorën si provë kundër saj.

“I shkrova këto histori për vite me radhë, për pak lexues, dhe tani ato janë kthyer në arsye për t’u dënuar”, tha një tjetër.

Me gjithë frikën dhe presionin, disa autorë kanë vendosur të mos heqin dorë.

“Nëse do të kthehesha pas, sërish do të zgjidhja të shkruaja. Dhe do të vazhdoj të shkruaj,” tha një prej tyre.

Ajo shtoi se shpreson që ligji të shohë përtej fjalëve dhe të kuptojë vajzën që kursente për të blerë stilolaps, vajzën që besonte se letërsia mund ta shpëtonte nga fati. Për shumë si ajo, danmei nuk është thjesht një zhanër, është një formë mbijetese, shprese dhe lidhjeje me të tjera zëra që ndihen të padëgjuar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat