Patatja ka një paraardhës që nuk e kishim parashikuar: domaten.
Po, një frut. Patatet dhe domatet nuk duken, kundërmojnë apo shijojnë njësoj, por një studim i publikuar në Cell thotë se patatet evoluan nga domatet rreth 9 milionë vjet më parë.
“Më në fund e kemi zgjidhur misterin se nga vijnë patatet”, tha Sanwen Huang nga Chinese Academy of Agricultural Sciences në një deklaratë për shtyp.
Prejardhja e patateve të sotme ka qenë një pikëpyetje e madhe për shkencëtarët. Në pamje, patatet përngjajnë me një specie nga Kili që quhet Etuberosum, por ka një ndryshim të madh: nuk prodhon tubere me niseshte. Këtu hyn në lojë domatja.
Domatet nuk kanë tubere, por domatja e lashtë kishte një gjen që kur përzihej me gjenet e Etuberosum, bëri që patatja moderne të formonte tubere. Gjeni SP6A nga domatja mëmë komandon bimën e patates për të prodhuar tubere, ndërsa gjeni IT1 i Etuberosum kontrollon rritjen e sythave të poshtëm që formojnë tuberet. Pra u deshën të dyja që të krijonin pataten që njohim sot.
“Zbulimet tona tregojnë një hibridizim mes specieve që mund të shkaktojë evolucionin e tipareve të reja, duke krijuar më shumë lloje”, tha Huang.
Ekipi shkencor analizoi 450 gjenoma të patateve të kultivuara dhe 56 të patateve të egra.
“Patatet e egra janë të vështira për të marrë kampionë, ndaj këto të dhëna janë koleksioni më i plotë i të dhënave gjenomike të patateve të egra që janë analizuar ndonjëherë”, tha autori Zhiyang Zhang.
Tani laboratori kërkimor po punon mbi një patate të re hibride që mund të riprodhohet përmes farave.