Podujeva si mësim për politikën shqiptare

Opinione

Podujeva si mësim për politikën shqiptare

Enver Bytyçi Nga Enver Bytyçi Më 30 nëntor 2020 Në ora: 11:23
Enver Bytyçi

Podujeva dje votoi dhe dëshmoi se e ardhmja e Kosovës do të jetë më e sigurt, më e mirë. Podujeva zgjodhi në krye të saj kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosja, madje pa balotazh, çka do të thotë pa mëdyshje, pa vënë në diskutim ndryshimin. Pas 30 vitesh pluarilzëm dhe pas 21 vitesh në liri, Podujeva e ndryshoi qasjen e vet politike nga Lidhja Demokratike te Vetëvendosja! Po çfarë do të thotë ky zhvillim në bastionin tradicional të LDK-së? Si është e mundur të ndodhë kjo nga një zonë, prej të cilës vijnë kryetari dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe një numër shumë i madh emrash prominentë të kësaj partie? Si mundet që kandidati i Agim Veliut të marrë vetëm 35 për qind të votave dhe ai i Vetëvendosjes mbi 50 përqind? Si shpjegohet që dy partitë me histori bashkëpunimi, LDK dhe PDK, të marrin së bashku më pak vota sesa Vetëvendosja?!

Të gjitha këto që ndodhën kanë shpjegimin e vet. Jam i bindur se Podujeva nuk ka votuar majtizmin e Albin Kurtit. Nuk e di nëse ka votuar zotin Bulliqi. Por ndodhi ajo që kemi thënë prej disa vitesh. Podujeva votoi kundër Lidhjes së Lodhur Demokratike të Kosovës dhe para së gjithash kundër korrupsionit dhe nepotizmit të nënkryetarit të saj, ish- kryetar i Podujevës, Agim Veliut! “I forti” Agim Veliu nuk mundi të fitojë edhe pse tashmë ministër i Punëve të Brendshme! Një ministër i Punëve të Brendshme mund të fitojë ose të humbasë shumë lehtë në një fushatë elektorale. Ka raste kur politikanët synojnë ministrinë e Brendshme për të kap postin e kryeministrit ose të presidentit të një vendi. Dhe e gjitha varet nëse personi në krye të këtij dikasteri lufton me ashpërsi krimin dhe godet sidomos korrupsionin, apo i bashkohet bandave kriminale?!

Në Kosovë kemi një ministër të Punëve të Brendshme, Agim Veliun,i cili është i paralizuar të luftojë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sepse ai vetë nën regjinë e Hashim Thaçit ishte dhe mbetet i përfshirë në korrupsion. Në Kosovë ministri i Punëve të Brendshme shkaktoi krizën qeveritare dhe solli në pushtet një qeveri jo legjitime. Përmes shpalljes së jashtëzakonshme ky ministër synoi t’ia marrë pushtetin qeverisë dhe t’ia japë atë presidentit e përmes kësaj skeme të nënshkruhej marrëveshja shumë e keqe për Kosovën me Beogradin. Madje kemi një ministër të Punëve të Brendshme, i cili gjeti çelësin magjik të miqësohej me Richard Grenell.

Ky ministër arrogant besoi më shumë te Grenell sesa te qytetarët e vendit të tij, Podujevës e Kosovës. Prandaj u ndëshkua. Dhe ndëshkimin nuk ia dha Lëvizja Vetëvendosje, ia dhanë qytetarët e vendlindjes së tij. Me këtë dua të them se vota e djeshme në Podujevë nuk është votë për Vetëvendosjen, por votë kundër Agim Veliut dhe kundër Isa Mustafës. Jo pse Agim Veliu e Isa u sollën keq me Albin Kurtin. Por se nënkryetari i LDK-së bashkë me kryetarin Isa Mustafa u sollën keq me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Llapi e ka dashur Lidhjen Demokratike më shumë se çdo komunë tjetër në Kosovë. Por ama ka dashur Lidhjen Demokratike të Ibrahim Rugovës. Tani e panë se fotot e Agim Veliut me Rugovën janë thjesht mashtrimi që Veliu dëshiron t’u bëjë llapjanëve me emrin e ish- presidentit historik të Kosovës.

Isa Mustafa i detyroi dje llapjanët e djathtë të votojnë një parti të majtë, sepse llapjanët nuk ndjehen të përfaqësuar e të mirëqeverisur nga LDK e Isa Mustafës. Nesër Kosova do ta bëjë të njëjtën gjë, nëse kreu i LDK-së dhe klani i tij thaçisto-pro-serb nuk do të largohen prej nesër nga drejtimi i kësaj partie. Agim Veliu i quan mashtrues ata të Vetëvendosjes. Por dje u përpoq të mashtrojë paturpësisht, kur u tha qytetarëve se "Lidhja Demokratike do të rikthehet fuqishëm në zgjedhjet e ardhshme"! Me Isa Mustafën, Agim Veliun e disa tjerë në kupolën e LDK-së nuk ka as nuk do të ketë "rikthim" të Lidhjes Demokratike!

Qytetarët e vunë re lojën djallëzore të bashkëpunimit me Thaçin dhe të tjerë eksponentë anti-LDK dhe ua lexuan letrat në xhep Agimit e Isës. Ndaj i ndëshkuan. Vota e djeshme është ndëshkim për arrogancën e Isa Mustafës dhe Agim Veliut, të cilët në aleancë me shefin e shtabit të arrogantëve, Hashim Thaçin, po e shkatërrojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës. Prandaj këta të dy duhet të ikin prej politikës, madje duke kërkuar ndjesë për dëmet e mëdha që ia sollën Lidhjes Demokratike. Pa largimin e këtyre dy aktorëve servilë e shërbëtorë të anti-LDK-istëve, nuk mund të ringrihet partia e Rugovës. Dhe me ikjen e këtyre dy rrënimtarëve të mëdhenj politikë, duhet të rikthehet Vjosa Osmani dhe të bashkohen të gjithë ata që duan rikthimin e madh të kësaj partie. Ndryshe zgjedhjet e ardhshme do të jenë një katastrofë për LDK-në, ashtu si për PDK-në.

Dje ndryshimi nisi në Podujevë, nesër ky ndryshim do përfshijë gjithë Kosovën e madje edhe Shqipërinë. Në Kosovë tashmë krizën e zgjidhin vetëm zgjedhjet. Ato rikthejnë legjitimitetin. Eshtë e dhimbshme të thuhet që të djathtët në mungesë të alternativës së Lidhjes Demokratike të kërkojnë dhe t'i gëzohen fitores së Vetëvendosjes. Por deri në këtë situatë e solli LDK-në Isa Mustafa, i cili mbahet në pushtet me thonj e me dhëmbë, me arrogancë akademike dhe me intriga serbo-filie, por jo me alternativë, program dhe qasje rugoviane. Orandaj duhen zgjedhjet e reja e që në këto zgjedhje LDK të dalë e nderuar, duhet që sot ose nesër të ikin shkatërrimtarët në krye të kësaj partie.

Shqipëria pret gjithashtu që ndryshimin e madh e radikal ta bëjë më 25 prill të vitit të ardhshëm. Kosova do të duhet të përgatitet që ky ndryshim të vijë më herët se 25 prilli. Gjithsesi Podujeva dha mesazhin e saj. Me shqiptarët nuk ka lojë, nuk shkojnë bashkë mashtrimi dhe arroganca, nuk mund të fitojnë gjithmonë “të fortët”, por duhet të fitojnë të diturit, të urtët, të ndershmit. Nuk mund të pranohet gjithë jetën që korrupsioni të bëhet pjesë e qeverisjes dhe varfëria e shkatërrimi moral i shoqërive tona, si në Kosovë edhe në Shqipëri, të sundojnë për më tej. Eshtë koha e kthesës së madhe. Eshtë koha t'i japim fund tranzicionit korrupsionist dhe të vendosim për një faqe të re në rrugën euro-atlantike të vendeve tona!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat