Protestat po organizohen nga jashtë, ishte bërë e ditur nga Rama. Akuza ishte e domosdoshme, që të shpëtohej fytyra. Megjithatë ky supozim është i vjetër sa vetë stalinizmi, leninizmi, enverizmi, e tash edhe nga ramaizmi.
Shkaktari duhej emëruar. Nuk mjaftuan algoritmat, sorrat, korbat, Antifat, hajvanët etj.
Faktet të prezentohen sështë gjithherë me rëndësi, kryesore të dihej se nga vinte destabilizimi. Që ti kundërvihej organizimit të jashtëm, duhej ndërhyrje e fuqishme. Ndaj studentëve të cilët paraqisnin gjak rinor, duhej të tregohej fuqia, vendosmëria, forca dhe guximi.
U nxorrën skuadrat e policisë, patronazhistëve, ish SHIKUT dhe të gjitha strukturat e Partisë Socialiste. Armatimi nuk mungonte. Përgaditjet për këtë ditë ishin bërë me kohë. Piktorit asgjë nuk i mbetej për mos dije.
Së pari ndaj studentëve përdorej dushi i ftohtë nga cisternat e mbushura enkas me ujë të destiluar. Pas dushit për imunitet përdorej gazi - lotësjellës, me aromat e të gjitha nuancave, që t`ua ngacmonte receptorët e nuhatjes. Pas gazit i vinte radha piperit të zi, i cili ua nxiste lotët, në mënyrë që t`ua pastronte sytë nga yndyrat dhe gazrat e përditshme të automjeteve.
Rama, i entuziazmuar nga eksperimentet ndaj protestuesve, nuk mjaftohej me kaq. Veprimet e ndjekjes i intensifikoi sidomos ndaj studentëve, që i krahasonte me sportin e atletikës, në mënyrë që ata ti testonin në vrapime, duke filluar nga stazat e shkurtëra, deri në ato më të gjatat.
Pas ndjekjes, ishte paraparë që ndaj studentëve të përdorej dhuna e programuar. Aty hynin në përdorim grushtimet, shuplakat, shqelmimet, shtyrjet, rrëzimi përtoke, vënja e prangave policore, goditjet në të gjitha pjesët e trupit, ofendimet, sharjet, arrestimet, tërheqja zvarrë etj. Me fjalë të tjera, gjithçka ishte e toleruar.
Kjo disciplinë ishte më atraktivja ngase aty vërtetohej përgaditja fizike, por edhe ajo psikike.
Kjo lloj forme e eksperimentit përdorej ndaj të gjitha gjinive, ndaj të gjitha grup -moshave, pa dallim: ndaj seniorëve, juniorëve, adoleshentëve apo fëmijëve. Me një fjalë asgjë sishte e kufizuar. Adrenalina ishte në kulminacion. Askush nuk i hetonte plagët, goditjet, apo pasojat e dhunës. Më vonë ishte ndryshe, po beteja ishte betejë.
Pas ndjekjes si disciplinë e veçantë ishte, shtirja me plumba gome ndaj protestuesve. Kjo ishte disciplina më e vështirë dhe më e rrezikshmja, po ishte përcaktuar që të futej në përdorim dhe të luhej.
Vlerësimi se protestat ishin nxitur nga Rusia e Irani, (sepse Serbia në këtë rast ishte mike), ishte dhënë nga Skenderbeu i zonjës Spiropali, prandaj kishte hapsirë për çdo lloj discipline, si kjo më e vështira dhe më e rrezikshmja, plumbat e gomës.
Për këtë disciplinë ishte skuadra e posaçme e cila ishte e specializuar në mënyrë që studentët ta përballojnë edhe këtë disciplinë me sukses të plotë.
Urdhërin e kishte dhënë Skenderbeu. Paraprakisht zgjidheshin caqet. Plumbat e gomës duhet ti kapnin ata të cilët tregoheshin më luftarakët, më aktivët dhe më të padisciplinuarit. Një studente i ishte çarë kafka. Një student tjetër ishte goditur në sy. Ishte detyruar të operohej në Itali. Edhe një pedagog universitar, pjesëmarrës i garave disciplinore, ishte goditur nga plumbi i gomës.
Pasojat kuptohet nuk ishin të lehta, por në pyetje ishte parapërgatitja për mbrojtjen e atdheut.
Spitalet dhe burgjet ishin të stërmbushura, po kur ishte në pyetje atdheu, shqiptarët nuk kursehen. Edhe nga ana e studentëve, nga mllefi, provokimet e policisë dhe sulmet ndaj tyre, i detyronin që edhe ata të kundërpërgjigjeshin, sidomos me gurë dhe mollotov.
Lufta ishte e dyanshme, nëse mund të quhej ashtu, sepse në njërën anë kishim policinë dhe strukturat e saja (PS) të armatosura dhe në anën tjetër kishim studentët duarthatë, të cilët brohorisnin refrenin e tyre: Rama në burg, Berisha në burg.
Me 28 nëntor, ditën e shpalljes së Pavarësisë, është paraparë edhe një betejë vendimtare.
Pjesëmarrja është bërë publike, po çfarë pritje do t´iu organizoi piktori pjesëmarrësve, ende nuk është bërë e ditur. Po ashtu nuk dihen disciplinat në të cilat do të garohet. Epilogu do të merrej vesh më pas. Shpresojmë që studentët të dalin faqebardhë. Ky do të ishte edhe urimi i popullit.