Në Rahovec nderojnë Shoqatën “Vëllezërit Frashëri“

Opinione

Në Rahovec nderojnë Shoqatën “Vëllezërit Frashëri“

Nga: Albert Z. ZHOLI Më: 2 maj 2021 Në ora: 16:42
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Ne, vizitorët nga Përmeti i luleve shkuam në Rahovec në një ditë të veçantë, në vlerësimin  me titullin “Qytetar Nderi” i Komunës Rahovec dhënë  Shoqatës Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri“. Në këtë ditë përkujtohej edhe masakra e Krushës së Madhe e Krushës së Vogël, genocidi serb kundër banorëve civilë, krejt të pafajshëm e të pambrojtur të kësaj treve me traditë të shquar atdhetarie. Me ftesë të kryetarit të komunës të  Rahovecit, zotit Smajl Latifi grupi nga Përmeti, përshtatur me rrethanat e kohës së pandemisë nuk i kalonte dhjetë persona: Alma Hoxha  kryetare e Bashkisë, Anila Mihali  kryetare e Këshillit Bashkiak, Aulona Meshini nënkryetare e Bashkisë, Tomor Kotorri Kryetari i shoqatës atdhetare kulturore mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri”, Lumo Kolleshi kryetar i Bordit drejtues të shoqatës “Vëllezërit Frashëri”, Sami Velçani Avokat i Shoqatës, si dhe Kristiana Ibrahimi këshilltare në Bashkinë e Përmetit.

Duke udhëtuar për në Rahovec, për ne që e kishim për herë të parë, kryetari i shoqatës “Vëllezërit Frashëri“, Tomorr Kotorri mik i hershëm i rahovecasve, na shpjegoi se “ai si një amfiteatër natyral me përmasa të stërmëdha, bashkë me rrethinat është një nga qëndrat më të lashta , e cila shtrihet në jugperëndim të Kosovës me  pasuri e potenciale historike kulturore e me traditë të spikatur, i dokumentuar në gjysmën e shekullit të XIV, në vitin 1348 si një vendbanim  i lashtë antik, arkeologjik,  i cili i përket periudhës së hershme  iliro-romake”.   

“Komuna Rahovec, është një qendër me kulturë dhe traditë sa të lashtë po aq edhe të më voëshme. Me turizëm rekreativ si Kanionet e  Luginës së Drinit të Bardhë. Në qendër të qytetit dhe në rrethinat e tij ka monumente historike  arkeologjike dhe etnografike të vjetra  e të ndërtuara mbi 400 vite më parë. Turizmi kulturor është bazuar kryesisht në trashëgiminë antike,  arkeologjike, etnografike si Kulla e Sahatit e ndërtuar në vitin 1791 dhe disa objekte të, si; shtëpi tradicionale,  shpella dhe ndërtesa të kulteve fetare, të cilat janë të shekullit  XIV dhe të shekullit  XVI, si dhe  të veçanta për nga rëndësia,  janë dhe depot e mëdha të verës, në qendër të qytetit”.

Sapo para nesh u shfaq qyteti, ato ç’na tregoi bashkudhëtari ynë, muarrën përmasa reale, lugina e bukur me një natyrë mahnitëse, me maja alpine  e mbuluar me kurorën e vreshtave pa fund duke na dhënë një peizazh  të një pamjeje magjepdëse. Mikpritësit, fillimisht Kryetari i Shoqatës “Zëri Dardan” Rahovec, zoti Bekim Kelmendi, më pas kryesuesin e Asamblesë së Kuvendit Komunal Afrim Dino, Qemal Krasniqi etj, bënë gjithçka që ne të ndiheshim sa më mirë, duke na ofruar çiltërsinë e tyre dhe ofruan njëherazi shlodhje në këtë mjedis ku syri të rrokte kudo diçka që dukej jotja. Ndjeheshe si në një shtëpi të ngrohtë, si një familje ku kujdesi i të gjithëve ishim ne, të ardhur nga ana tjetër e kufirit të vendosur nga padrejtësia.

Mbasdite, Kryetari i Komunës Rahovec, zoti Smajl Latifi dhe stafi tij, pritën plot bujari e fisnikëri në ambientet e komunës miqtë përmetarë, ku natyrisht na gostitën me verë e raki të Rahovecit, të njohura në gjithë Kosovën, por edhe më gjerë. Është produkt i tokës kosovare të Rahovecit. Kryetari Smajl Latifi, në fjalën e tij, vlerësoi lart këtë bashkëpunim të frytshëm, këtë respekt të ndërsjelltë e dashuri vëllazërore e atdhetare. Fjalë zemre për miq zemre. Natyrisht këtu e mori fjalën edhe kryetarja e Bashkisë Përmet zonja Alma Hoxha, në fjalën e saj vlerësoi aktivitet të tilla, promovuese të vlerave, të një domosdoshmërie për shtrirjen në gjithë fushat e aspektet e jetës të marrëdhënieve, duke përçuar traditat e kulturën e trevave të tyre bujare, mikpritëse dhe që rezatojnë fisnikëri. Ajo, me modesti, tregoi zellin e amvisave të Përmetit me gliko arre, e veçantë e me shije e aromë karakteristike. Çdo folës në këtë aktivitet solli në këtë ambient të ngrohtë vlera, mundësi të reja bashkëpunimi. Më vonë, kur muzgu po ulej i magjishëm në peizazhin e veçantë rahovecian, të gjithë ulën siparin, duke pritur mëngjesin e nesërm, ceremoninë e dorëzimit të vlerësimit të lartë “Qytetar Nderi” për Kryetarin e shoqatës “Vëllezërit Frashëri“ zotin Tomorr Kotorri. Kështu mikpritësit tashmë kishin një qytetar më shumë, një qytetar nderi ndërsa ne, të ardhurit, një antar dërgate më pak. Na e kishin “përvetësuar” rahovecarët.

Mëngjesi i 26 Marsit ishte tejet i mbushur me diell. Ceremonia ishte sa e thjeshtë aq domethënëse, sepse promovoi bashkëpunimin e dy njësive administrative që nga të dy anët e kufirit, kishin ç’ti jipnin njëra-tjetrës, shpirtin atdhedashës, kulturën e gjerë, fjalën e të madhit Naim Frashëri, filozofinë e dijen tejet të thellë të Samiut e politikën pa kompromis në mbrojtjen e interesave kombëtare të ideologut atdhetar Avdyl Frashërit. Në fjalën  e tij përshëndetëse  të kryetarit të shoqatës “Vëllezërit Frashëri“ Tomor  Kotorri kishte fjalë zemre.

Përveç falënderimeve për komunën e Rahovecit, për kuvendin e saj, për organizimin  domethënës ai tha: “Me dëshirën e mirë u kam  sjellë aromë nga vendlindja e vëllezërve Frashëri, freskinë e ujit të bredhave të Hotovës  dhe shumëllojshmërinë e trëndafilave  të qytetit të Përmetit. Dhënia e këtij çmimi është një nder i madh  i cili të jep gëzim dhe të fal emocion  për këtë çmim dhe vlerësim, por  është dhe një nderim për mua, që unë e vlerësoj si nderim që Rahoveci i bën shoqatës “Vëllezërit Frashëri“ dhe mbarë Përmetit historik”. 

Ne vlerësuam shumë grupin simpatik të orkestrës së Rahovecit, me djem e vajza të reja, pasionantë e të palodhur si tepër virtuozë. Mbasi u krye me sukses të plotë ky event, u drejtuam për në Krushën e Madhe, aty ku pritej të vinin edhe Kryeministri i sapozgjedhur Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani, ish-Kryeministri Ramush Haradinaj si dhe udhëheqës të pushtetit qëndror e vendor të zonës.

Të shkoje në Krushë do të thoshte të “takoje” luftën dhe luftëtarët, ata që derdhën gjakun për lirinë e tokës shqiptare të Kosovës. Lufta e popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës ishte lufta për liri dhe pavarësi, ishte një luftë, që i hapi faqe të re në historinë e saj të përgjakur. Ishin bijtë e saj që rrokën armët  për liri dhe pavarësi, ishin këta të rinj dhe të reja,  dhe gjithë populli i Kosovës, që sakrifikuan gjithçka, edhe veten, që Kosova të çlirohej dhe të fitonte Pavarësinë. Dëshmorët ranë në luftë që të mos u grabisnin  vatanin e të parëve.  

Kur në Krushë të Madhe e në Krushë të Vogël erdhën udhëheqësit e lartë kosovarë, Kryeministri Albin Kurti e Znj Vjosa Osmani, dërgata nga Përmeti mori vëmendjen e duhur e u nderua prej tyre. Të gjithë e ndiemë veten në familjen tonë, në shtëpinë tonë, në dhimbjen e përbashkët. Ashtu pakuptuar kaluan orët. Ne do të na duhej të udhëtonim, mikpritësve të vazhdonin përditësinë e tyre. Ky vlerësim maksimal, kjo ditë përkujtimore sollën mesazhin e tyre në ndërgjegjen e secilit prej nesh, mesazhin e Krushës së Madhe e të Krushës së Vogël, të Kosovës martire, në emër të gjakut të derdhur për liri, të betimit për Atdhe e për Flamur. Binte muzgu me një cipë të hollë mjegulle, gati transparente, kur kaluam kufirin e makinat tona u tretën brenda vjollcës së perëndimit. Atdheu ynë i bukur, në dy shtete ndarë me një tra, që nuk duhet të jetë në sytë tanë, në trupin e tij që i ka falur Zoti. Dy Krushat e makiavelizmi serb si kryqëzatë mesjetare do të mbeten gjatë brenda meje dhe kjo ditë që e ngroh dielli i mikpritjes së Rahovecit. Ndaj u mbusha me një krenari të ligjshme, me një shpresë që mori flatra, me një dhimbje që është betimi për Besë, për Atdhe e për Flamur, për mua e për çdo shqiptar që bukës i thotë “bukë” e ujit i thotë “ujë”. Ne jemi të bindur se Rahoveci dhe Përmeti do ta vijojnë këtë traditë të bukur të miqësisë dhe traditës së lidhjeve dhe bashkëpunimit të shumtë ndërmjet tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat