Paraardhësit e kryeministrit Edi Rama

Opinione

Paraardhësit e kryeministrit Edi Rama

Jovan Jano Nga Jovan Jano Më 15 maj 2021 Në ora: 16:24
Nasho Bakalli Nga Nasho Bakalli Më 15 maj 2021 Në ora: 16:24
Edi Rama

Është kërkesë legjitime e çdo qytetari të dijë origjinën dhe kontributet e paraardhësve të udhëheqësve të shtetit, qofshin këta udhëheqës në postin e presidentit, të kryeministrit, të kryetarit të Parlamenti apo edhe në rangje të tjera të larta. Sepse jo rrallë na rastis të dëgjojmë që iks president e ka origjinën nga fshati (!), se tjetri a tjetri ka zbritur nga malet dhe, si i tillë, nuk e ka haberin të drejtojë apo të përligj postin zyrtar që i është besuar nga populli!

Sigurisht, të jesh personalitet i lartë shtetëror nuk është kusht i domosdoshëm të kesh medoemos rrënjë qytetare, apo të vish nga rremba me “gjak blu”, paçka se edhe trashëgimia familjare nuk është fare pa ndikim. Në ndonjë rast, tabani nga del është përcaktues në moralitetin e udhëheqësit të një vendi. Do të ishte e tepërt të jepnim shembuj lëndorë nga e kaluara në shërbim të kësaj ideje, përderisa jemi dëshmitarë këto 30 vitet e fundit.

Por le të vazhdojmë, duke qenë më konkret në shërbim të temës që po trajtojmë:

Kryeministri Edi Rama, siç e kemi vënë re, rrallë e tek i përmend paraardhësit e vet në veprimtarinë e tij social - politik. E teksa është kështu, natyrshëm ngrihen pyetjet: Mos nuk ka ҁfarë të thotë kryeministri?! Apo kërkon, ndoshta, të ruajë modestinë, duke mos iu futur disa detajeve jetësore, me druajtjen se do të mund ta akuzonin për mburrje?! Gjithsesi, nga mënyra se si kryeministri ligjëron politikisht, le të kuptohet se nuk dëshiron t’i vendosë ata që e rrethojnë në pozitë të pakëndshme.

Në përmbushje edhe të një kërkese të natyrshme të shumë njerëzve që kërkojnë të dinë diçka më shumë për jetën dhe veprimtarinë e paraardhësve të kryeministrit aktual, kemi bërë një hulumtim të shtypit të viteve 1905 - 1939, duke mos lënë menjanë edhe kujtimet e bisedat me të afërm të Ramajve, si dhe një analizë të shënimeve private, fotografive dhe dokumenteve që ofrojnë depërtim brenda rrethit familjar të Edi Rama, sot 57 vjeçar.

Në këto shënime modeste e shikojmë të arsyeshme të sjellim më parë materialin që ka deklaruar (i përmbledhur ky material nga J. J dhe N. B) vet kryeministri Rama, shoqëruar këto edhe me disa gjetje tonat tek materialet arkivore.

Ja ç’ka treguar për fisin e vet kryeministri, Edi Rama:

“Deri ku është shtrirë pema e familjes sonë, di t’u them, se të parët e mi nga babai kanë zbritur nga Berati në Durrës. Kristaq Rama i I-rë është stërgjyshi im, i cili ka qenë një përfaqësues intelektual i shtresës së mesme të kohës. Ky kishte pasionin e madh për të hapur shkolla të gjuhës shqipe në atë kohë. Dhe ka bërë një rrugëtim nga Berati drejt Durrësit, ku ka qenë edhe në shpalljen e Pavarësisë. Dhe aty, më pas, u përqendrua familja. Gjyshi, i cili më pas shkoi për të bërë studimet në Itali, që të merrte stafetën e të atit i mori të gjithë paratë e të atit për të bërë shkollën; bleu një supermakinë private dhe erdhi pas 6 muajsh dhe përfundoi shofer i kryetarit të bashkisë. Kur vajti kryetari i bashkisë në pritjen e festës kombëtare tek Naltmadhnia, Naltmadhnisë i mbetën sytë tek vetura dhe kujtoi se ky e kishte blerë me lekët e buxhetit, ndërkohë që ky i thotë se ajo nuk është e imja, është e shoferit. Dhe Naltmadhnia ia mori shoferin me gjithë makinë kryetarit të bashkisë.

Pastaj, nga ana e gjyshes nga babai gjithmonë, gjyshja ka qenë motra e Zef Kolombit… Nga nëna, Aneta, gruaja e skulptorit Kristaq Rama, të parët e saj kanë qenë mirditorë, zbritur nga Mirdita në fshatin Vuno, bashkia Himarë…

Familja ime është një përzierje e të gjitha trevave shqiptare…Në familjen tonë është punuar gjatë për të mësuar normat e mirësjelljes, raportin me më të mëdhenjtë…

Fëmijëria ime ka qenë një fëmijëri e zakonshme e asaj kohe…”.

Për shkak se Edi Rama ka informim të saktë për ҁka rrëfen, nuk mund t’iu heqim asnjë presje. Rrëfimit të Tij, bazuar në të vërteta autentike, mund t’u shtojmë:

Në fisin e Edi Ramës bën pjesë edhe stërgjyshja e tij, Athina Rama (Truja, i vajzërisë), bashkëshortja e Kristaq Ramës së I-rë.

Po cila ishte familja Truja në Durrës?

Tom Truja, diplomuar inxhinier industrial në Universitetin e Romës në Itali, nëpunës civil edhe mbas 29 Nëntorit 1944, bashkëshort i sopranos së famshme Jorgjia Truja (Filçe), në ndërmendjet e veta me titull “Familja Truja. Berat - Durrës. Vitet 1813 - 1984”, mes të tjerave shënon:

“ Stërgjyshi im Thoma Truja u lind në Berat në vitin 1813 dhe vdiq në Durrës, në vitin 1873. Ai u martua në Durrës me Angjeliqi Popën nga Kavaja dhe patën 7 fëmijë: Elenin, Efrosinën, Athinanë (stërgjyshja e Edi Ramës), Mihalin, Perikliun, Ksanthipin dhe Evgjeninë.

Athinaja dhe Kristaq Rama i I-rë lindën tre fëmijë (një prej të cilëve ishte Vlashi, gjyshi i Edi Ramës).

Nga tradita gojore familjare dhe ajo zyrtare e kohës rezulton, se familja tonë, Truja, rrjedh nga Berati. Që në fillim të viteve 1800 vazhdonte të banonte në një shtëpi të ndërtuar pranë mureve të brendshme të Kalasë së Beratit, në anën lindore të saj. Kuptimin e mbiemrit tonë, Truja, e zgjidh fjalori «Arbëresh – Anglisht», shtypur në Itali, ku arbëreshët prej pesë shekujsh vazhdojnë të flasin gjuhën shqipe. Për arbëreshët fjala «Truej»

(Truja) ka kuptimin «kala» (kështjellë). ”

Familja Truja ka qenë shumë e kamur për kohën. Pikërisht kjo begati pasurore përbënte një mburojë të fortë kundrejt ҁdolloj kërcënimi të mundshëm, edhe për dhëndrrin e tyre, Kristaq Ramën e I-rë, i dhënë ky fort pas shqiptarizmës.

“ Gjyshi nga nëna, Aneta, e Edi Ramës kishte agjensi doganore në portin e Vlorës. Fitonte mirë. Mbas Çlirimit në ditën e 28 Nëntorit ai vishej me kollare, këmishë të bardhë dhe me kostumin e ri, ndërsa të nesërmen, ditën e 29 Nëntorit vishej me rrobat e punës” - tregon xha Llaqo, banor pa shkëputje i Vunoit, 93 vjeҁar, mendjetop, i ndershëm, punëtor shembullor edhe sot e kësaj dite.

“Gjyshi im, - thekson Edi Rama në rrëfimin e tij, - ishte i pari që fitoi garën ‘Formula 1’ të kohës në Shqipëri”. Ndërkaq, nga rubrikat sportive të gazetës “Vullneti i Popullit” mësojmë se Vlash Rama (gjyshi i Edi Ramës) ka fituar tri herë rresht garën sportive me automobila në vitet 1929,1930, dhe1931. Është një përqasje e bukur sot mes gjyshit ish kampion dhe nipit tre herë “kampion” në zgjedhjet politike, tre herë rresht kryeministër i Shqipërisë.

Nuk mund të lemë pa shënuar në këtë pjesë të parë të shkrimit tonë edhe faktin se farefisi i Edi Ramës i ka dhënë LANÇ dy Dëshmorë të Atdheut, si dhe disa komandantë partizanë të orëve më të para, që luftuan pa ndërprerje dhe me armë në dorë kundër nazifashizmit.

Paslufta, Shqipëria e viteve 1945-1990, ishte edhe për familjen Rama një periudhë sjelljesh tepër të kujdesshme kundrejt sistemit politik qeverisës, me qëllim për të siguruar mbijetesën vetjake brenda qarkut të ideve dhe veprimeve përvëluese që shpërfaqeshin valë-valë prej militantëve punëtorë, fshatarë dhe intelektualë, të cilët zotëronin me besnikëri dhe dora-dorës kyҁet e partisë në pushtet.

* * *

Tek materialet dokumentare për ҁështjen kombëtare shqiptare gjetëm, mes dhjetëra emrave të patriotëve durrsakë, si Jahja Ballhysa, Kristo Dako, Agustin Serreqi, Pavli Terka, Neki Libohova, Stef Kaçulini, Hafiz Ali Podgorica, Abaz Çelkupa, Saida Kërtusha, Jahja Kovaçi, Sabri Dermani, Sulejman Kadiu, Mustafa Haxhiu, Ilia Llavda, Sotir Veveҁka, Hilë Kançi e shumë individë të tjerë të nderuar për për liri e për Atdhe, edhe emrat e vëllezërve Kristaq Rama i I-rë. dhe Mihal Rama.

Le të bëjmë fjalë edhe më konkretisht:

Mihal Rama, më 26 prill 1904, në një letër nga Durrësi drejtuar Shahin Kolonjës në Sofje për situatën e rëndë që përjetonte popullsia vendase nën sundimin Osman, shkruan: “Punët në Durrës janë: kush e mbjelltë, mos e korrtë! Gazetat i marrë me vonesë. ...Kalendarët i mora. Më dërgo 10 abetare shqip. Për shkollat paguajmë e shkolla s’kemi! Në një mbledhje fola që të mos flemë.”

Një tjetër fakt: Kryekonsulli austro - hungarez në Durrës, Krali, e siguronte valiun, se “… sipas informatave, i vetmi burim ku blihen armët për kryengritësit e Kurbinit - vitet 1905-1907 - nuk është Vjena, por Triestja”. Dedë Salaj i ngarkonte në kuaj arkat me armë, nga Durrësi drejt Kurbinit, dhe mbi to shkruante: “Arka me qirinj për kishat e Arqipeshkvisë”.

Në mbështetje të kryengritësve ishin përfshirë me punë mendore; mjete materiale e monetare; dhe me të tjera sjellje përkrahëse patriotike edhe durrsakët Neki Libohova, Stef Kaçulini, Kristaq Rama, Mihal Rama, Hafiz Ali Podgorica…si dhe trima nga Shëngjergji me në krye Xhafer Shtëpanin; nga Kruja me në krye Hajdar Belegun: dhe vllezërit Abdi e Refik Toptani nga Tirana.

Në gusht të vitit 1908 rrethi patriotik durrsak formoi Komitet Mbrojtës dhe Sigurie për popullsinë. Kryetar nderi ishte Nikollë Kaçorri, nënkryetarë ishin Kristaq Rama, Pavli Terka, ndërsa anëtarë ishin Jahja Ballhysa, Ilia Llavda dhe Agustin Serreqi. Detyra e këtij Komiteti ishte që ankesat e popullit kundër zyrtarëve të sanxhakut të Durrësit t’ia shtronte për zgjidhje mytesarifit dhe, nëse ato nuk merrnin rrugëzgjidhje, i drejtoheshin pastaj valiut të Shkodrës e deri edhe Portës të Lartë në Stamboll.

Në një raport të konsullatës austriake, shtator 1909, shkruhet se: … “Nikollë Kaçorri së bashku me mësuesin Kristaq Rama dhe Jahja Ballhysën, ky i fundit delegat i Durrësit në Kongresin e Shkollave Shqipe në Elbasan, mbajtën takime me grupe qytetarësh në Durrës, Kavajë, Ishëm, Krujë dhe Tiranë lidhur me vendimet e Kongresit. Qytetarët e këtyre viseve miratuan unanimisht vendimet e Kongresit të Elbasanit.”

Aksioni antigrek. Në një mbledhje të parisë ortodokse, organizuar aty nga fundi i vitit 1908, Pavli Terka, kryetar i kryepleqësisë ortodokse të Durrësit e Tiranës, deklaroi, se alfabeti duhet të jetë unik për të gjithë shqiptarët. Dom Nikoll Kaçorri propozoi të organizohej një manifestim proteste. Populli i mbledhur në sheshin e qytetit dëgjoi Dom Kaçorrin të thoshte, se “…fqinjët kanë në synimet e tyre lakminë për t’u shtrirë në territoret shqiptare”. Kurse Ilia Llavda premtoi, se “…ortodoksët në Durrës do t’i qëndrojnë besnikë çështjes kombëtare shqiptare… të bashkuar dhe pa dallime fetare”

Folën edhe Neki Libohova, Mihal Rama, Agustin Serreqi, Stef Kaçulini. Kryepleqësia Ortodokse e Durrësit vendosën që meshat të bëheshin në gjuhën shqipe. Pavli Terka - kryetar dhe Kristaq Rama - anëtar (këta të dy ishin edhe baxhanakë) i kërkuan mitropolitit grek që të mos trazohej në ҁështjen e gjuhës. Megjithatë, mitropoliti u bëri presion priftërinjve, që të ndërprisnin meshën në gjuhën shqipe, po urdhëresa e tij qe e pasuksesshme. Mitropoliti e braktisi ceremoninë. Më vonë Patriarkana e Stambollit e largoi atë nga Mitropolia e Durrësit.

Deri në gusht të vitit 1909 atdhetarët durrsakë e ushtronin veprimtarinë e tyre nën maskën e shoqërisë “Vllazëria”, që ishte formuar që në sundimin e Sulltan Hamidit. Më 17 shtator 1909 Jahja Ballhysa me dy dëshmitarë (Pavli Terkën dhe Sulejman Kadiun) hartuan një protokoll në prani të mytesarifit, ku ky i fundit deklaronte refuzimin e tij për ngritjen e klubit “Bashkimi” në Durrës.

Në ceremoninë inaguruese të klubit “Bashkimi” të Durrësit e morën fjalën Dom Nikollë Kaçorri, Jahja Ballhysa, Mihal Rama, Neki Libohova, Ilia Llavda e Kristo Dako. Me fjalimet e tyre ata përcollën idetë e bashkimit e të vllazërimit të popullit pa dallime fetare. Sipas rregullores së Klubit, kryesia e tij do të zgjidhej me votim të hapur. Kryetar i I-rë i Klubit doli Haxhi Sulejmani, kryetar i II-të doli Pavli Terka, ndërsa si këshilltarë u zgjodhën Jahja Ballhysa, Taq Theodhori dhe Mihal Gurashkoviq. Për hapjen e klubit “Bashkimi” në Durrës, njoftimin e parë e dha publicisti D.Kadiu, korrespondent i gazetës “Bashkimi i Kombit”, dhe Dalip Isaku nga Kruja. Këtë njoftim e dha edhe gazeta “Liria” që dilte në Selanik.

Në një letër që Mihal Rama, anëtar i Klubit, i dërgonte drejtorit të gazetës “Bashkimi i Kombit” në Manastir, shkruante: “…klubi “Bashkimi” në Durrës hëpërhë do të hapë një mësonjëtore djemsh dhe, motin e ardhshëm, edhe një mësonjëtore për vajzat”. Njoftimin për hapjen e shkollës për djemtë e bëri gazeta “Liria”: “... në Durrës është hapur e para shkollë shqipe. Frekuentohet nga 35 nxënës, 20 të krishterë dhe të tjerët myslimanë. Shkolla, dita - ditës përparon.” Mësues i shkollës ishte edhe Sali Nivica. Konsulli austriak në Durrës i raportonte Vjenës, se “...merita e madhe e klubit “Bashkimi” dhe e anëtarëve të tij është se në të janë bërë mbledhur qytetarët më të spikatur…” .

Përfundimi: Në atë kohë të krishterët dhe myslimanët në qytetin e Durrësit ishin në numër thuajse të barabartë. Ata kishin një bashkëjetesë të pandotur mes tyre. Qenë bashkë në qeverisjen e qytetit dhe të katundeve; ishin po së toku për gjuhën dhe arsimin shqip dhe po të tillë, të pandarë, edhe në përpjekjet me jetë, para, penë, e miqësira brenda e jashtë vendit për mirëqënien e Mëmëdheut. Ata qenë dhe mbetën po bashkë edhe në altarin e historisë kombëtare.

Asnjëri prej tyre nuk u lind patriot. Të tillë u bënë. I bëri vetëdija atdhetare, i bëri puna e përbashkët dhe lufta e ndershme kombëtare shqiptare.

Image
Durrësi në vitin 1904
Image
Ilia LLavda
Image
Jahja Ballhysa
Image
Mihal Rama
Image
Kristaq Rama dhe Dom Nikoll Kaҁori
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat