Ata duan lëpirësa!

Opinione

Ata duan lëpirësa!

Prof. As. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. As. Dr. Enver Bytyçi Më 22 qershor 2021 Në ora: 10:10
Edi Rama

Një mjek iku nga Shqipëria, duke lënë prapa konstatimin e njohur : “Ata duan lëpirës”! Të tjerë para tij kanë ikur dhe nuk dihet se hemorragjia e ikjes do të ndalojë. Shkaku i ikjes së elitës së dijes dhe shkencës nuk është varfëria, është dinjiteti. Që të qëndrojnë në Shqipëri ata duhet të jenë lëpirës, të thurin lëvdata për kryeministrit, për kreun e Bashkisë, por edhe për ministrat e drejtorët, kudo që janë. Në Kosovë kishte shumë lëpirës e duket se janë pakësuar, por ata ende janë shumë aktiv.

Dhe lëpirësit shtohen çdo ditë. Shtohen në politikë. Shumohen si derrat në fushën mediatike! Shumëfishohen në rrjetet sociale e në shoqërinë civile! Dalin nga zgavrat e drunjve me lëmyshk e të përtharë! Vihen në rresht si milingonat pranë qendrave të parit shtetëror e bashkiak. Dhe më e keqja: Nuk i shërbejnë vetëm pushtetit të qendror e lokal në Shqipëri e në Kosovë, por edhe aleatëve të politikanëve shqiptarë e të korruptuar në rajon, përkatësisht Serbisë, si dhe së paku dy vendeve të tjera rreth nesh.

Lëpirësit janë bërë sot problemi dhe sfida e kombit shqiptar! Disa lëpijnë monedhat në lekë e në valutë. Disa të tjerë pështyjnë të kaluarën dhe lëpijnë favoret e të sotmes! Ka nga ata, të cilët janë stoikë në lëpirje. Kurse të tjerë, shkojnë nga fryn era e pushtetit! P.sh një lëpirës i para tri ditëve, ish- kryetar i Aleancës Kuq e Zi, në fund të viteve ’90 pati marrë zyra ngjit me zyrën e doktorit, me qëllim që të ishte i gatshëm në çdo kohë për lëpirje. Çdo mbrëmje ishte aty. Madje hapi edhe një kafe për këtë qëllim. Pastaj iu lëpi presidentit Topi. Krijoi dhe e bastardoi ngjyrën “kuq e zi”, për t’u duk se ishte kundër Berishës, por edhe kundër Ramës. Megjithatë në zgjedhjet e vitit 2013 iu lut kryetarit të Partisë Socialiste që ta merrte në koalicionin parazgjedhor. Por Rama e braktisi, edhe pse kauzat e tij ishin gjithashtu kauza të Edi Ramës.

I zhgënjyer nga degdisja e Edi Ramës, iu bashkua opozitës. Çdo ditë e shihje në çadrën e Partisë Demokratike në ditët e javët para 17 majit 2017. Mbante fjalime patetike anti-qeveritare. E sulmoi Edi Ramën ashpër e me militantizëm, sepse besonte që Lulzim Basha me ngritjen e çadrës në Bulevardin „Dëshmorët e Kombit“ do të vinte në pushtet. Por kur Basha publikoi listat e deputetëve emri i Kreshnik Spahiut ishte jashtë zonës së sigurisë. U xhindos! Nuk e zinte vendi! Dha dorëheqje nga Aleanca Kuq e Zi dhe iku nga Shqipëria.

Filloi të sulmojë tashmë ashpër Lulzim Bashën dhe ngadalë u radhit pranë Edi Ramës. Por ky i fundit nuk e besoi më. Nuk ia ka hatrin as sot. Prandaj lëpirja shkoi deri te ditirambet për Lindën, gruan e katërt të kryeministrit të Shqipërisë. Lëpirja ndaj kryeministrit nuk i solli ndonjë favor. Ndaj kapi Lindën si “karrem” që ta bindë Edi Ramën për “besnikërinë” e tij të pakontestueshme. Lëpirje kjo e paimagjinueshme, e denjë për t’u përfshirë si lëpirja më spektakolare e të gjitha kohëve dhe për pasojë edhe për cmimin GINES. Ky rast bën pjesë në kategorinë e lëpirësve të llojit të mizës së kalit.

Ndërsa lëpirja në Shqipëri ka edhe një karakteristikë tjetër. Lëpirje sipas temperaturës së politikës dhe ndryshimit të pushtetit. Nëse p.sh Partia Demokratike dhe Lulzim Basha bëhen faktorë të padiskutueshëm, pas tyre „vjen” historia e të gjitha lëpirjeve. Lëpirësve në oborrin e PD-së i shtohen edhe nja njëzet fish më tepër lëpirës që deri sot kanë ndenjur e rrinë në oborrin e Edi Ramës. Ndërsa të tillë lëpirës i janë ngjit edhe Albinit në Prishtinë. Nuk e kanë për gjë që të kalojnë nga një padron te tjetri. Por në Prishtinë lëpirja është pro-serbe. Në Tiranë akoma më shumë se atje. Këta lëpirësit e zbatimit të politikave serbe në Kosovë janë stoikë, të pandryshueshëm, të pandreqshëm, të përhershëm. I tillë është p.sh Baton Haxhiu. Sido që duket “azgan” dhe hiqet si “mentor” i politikanëve shqiptarë, ai nuk mundi asnjëherë të jetë mentor i Edi Ramës, i Sergei Lavrov ose Aleksandër Vuçiq. Këta të tre i mban si padronë. Hashimit po. Ia hidhte “trutë e gomarit”. Gjithnjë përmes kërcënimeve që ia rekomandonin tre të parët, por edhe përmes lëpirjeve. Edit, Sergeit dhe Aleksit të Beogradit, pse jo edhe atij të Sorosit, vetëm u lëpihet, sepse nga lëpirja burojnë monopolet në biznes, burojnë paratë e pushimeve në skajet turistike më të largëta të globit, burojnë shëtitjet me jahte dhe luksi i jetesës, bursat e studimit e gjithçka tjetër.

Ndaj lëpirja është tashmë një problem kombëtar! Ajo ka mbërrit deri në cakun e rrezikshmërisë nacionale, sepse interesat tona cenohen lëpirësit dhe vetë padronët e lëpirësve në Tiranë e në Prishtinë. Lëpirja u shndërrua në profesion të preferuar, madje me leverdi më të madhe sesa trafiku i kokainës. Përmes lëpirjes bëhesh milioner brenda natës dhe nuk rrezikon asgjë. Përmes kokainës, edhe nëse bëhesh milioner brenda natës, rrezikon kokën ose burgun. Lëpirësit tanë përkundrazi, vetë shpallen heronj, njerëz të dijes dhe sakrificës. E keni dëgjuar Batonin kur thotë: “Unë sakrifikova, thotë, kur takova Stanishiqin” për të “mirën e Kosovës! “Unë them, thotë Batoni, se është në të mirën e Kosovës të ndryshojmë kufijtë me Serbinë, të falim krimet serbe në Kosovë dhe të zhbëjmë gjykatën special”!

Por nëse bëhet ajo çfarë thonë lëpirësit, atëherë kombi shqiptar do të vihet edhe për 100 vjet tjera nën diktatin e kombit serb dhe kombeve të tjera në rajon. Në vend që ai të jetë i barabartë me të gjitha kombet e rajonit tonë!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat