Po ngutesh, Kimeteeee...

Opinione

Po ngutesh, Kimeteeee...

Nga: Kimete Berisha Më: 26 qershor 2021 Në ora: 11:19
Kimete Berisha

Me ju tregu drejt, unë jam lindur shumë e butë dhe romantike në lagjen Tavnik të Mitrovicës.

Familja ime kanë qenë pleqnarë, e shtëpia jonë ka qenë këshillimore. Prej anë e katër anëve kanë ardhur për t'u këshilluar për problemet e tyre me gjyshin tim, fjala e të cilit ka qenë "e fundit".

Bile edhe për problemet e dashurisë janë këshilluar me të.

Që nga bankat shkollore e kam vërejtur se nuk jam bash e mirë, sepse mospërfilljen e kam në gjak, e moskokëqarjen e kam në ADN...

Ti mua duhet të më dukesh shumë i mençur dhe i veçantë për me të të marrë unë Ty seriozisht.

Vesi më i madh i imi është që shumë vështirë i marrë punët seriozisht. Nuk e dua dramën, e aq më pak melodramën. Urrej të ankohem, s'dua të më qajnë.

Mjafton një shikim kah varrezat, dhe kush ka mend n'kry menjëherë i kujtohet se nuk ia vlen m'u bë i keq e i pandershëm "për pak", për një jetë të përkohshme,

...nuk ia vlen me ça kokën me turli budalle, se as nuk është "misioni" im ta edukojë askënd, as t'i jap shembull askujt. Nuk dua të jem model i askujt.

Sepse nuk besoj në "zbutjen e njerëzve me sy prej zymrydi".

Kam qenë "e mirë", tash "jam "e keqe".

Edhe?

Nëse jeta është e përkohshme, pse dashuria u dashka të jetë e përhershme?

Nuk është. Dashuria lind në vetmi dhe rritet në heshtje.

Ne harrojmë ta duam edhe veten (lëre më tjetrin).

Nuk hamë me rregull,

nuk flemë mjaftueshëm ose nuk ka kush që na çon prej gjumi,

nuk mbajmë dietë ose nuk ngihemi kurrë,

nuk bëjmë ushtrime ose i kallim muskujt për t'u dukur bukur,

rrimë me njerëz negativë ose vetmohemi,

mendojmë dhe flasim keq për veten: se si e kemi hundën e madhe e flokët nuk na u rriten sa duam...se si jemi trashë, të ungjtë me trup dhe se si kukat i kemi të ngushta...

Nuk mund ta bëjmë veten të lumtur, por presim të na bëjë tjetri të lumtur. Bile idhnohemi e na mbetet hatri pse s'doli dikush që na e flladit këtë shpirt!

A ka budallallëk më të madh se ky?

Të gjithë kërkojmë lumturi "të marrin", asnjëri nga ne nuk kërkon të "jap lumturi", prandaj të gjithë jemi të palumtur, sepse të gjithë jemi lypësarë.

Lumturia nuk është kompliment. Nuk vjen nga komplimentet. Ju betohem.

Me ju tregu drejt, unë jam rritur pastaj edhe me mangupa, me të burgosur politikë të Goli Otokut, me poetë e me boemë.

S'ka kompliment që nuk e kam marrë.

Më kanë thënë: je kështu, e je ashtu, nuk të gjendet shoqja, e sende vende, Tekiu më ka thënë "dialektika jote e mendimit është magjepsëse..."

Hashimi më ka thënë "diamanti i Kosovës"...

s'ka fjalë të bukur që nuk e kam dëgjuar për veten, por asnjë fjalë e bukur nuk më ka çuar peshë.

Sepse misioni i bukurisë nuk është t'i shëmtojë njerëzit.

Po du me thënë, ju shani sa të doni: "Unë nuk ju urrej-unë nuk ju shoh".

Asnjë shamje, asnjë kërcënim nuk më bën përshtypje, nëse nuk thuhet e nuk shkruhet me stil e me mençuri.

Nuk është problem që jeni të poshtër, se nëse e lyp puna bëhem e "poshtër" që çka po thua, por problemi është se nuk ju marrë seriozisht.

Siç ju thashë më lart, duhet të keni stil letrar, dije dhe sens estetik që t'ju marrë seriozisht si "armiq".

Armiku im duhet të duket bukur (i pastër deri në vesveese), të ketë stil, sharm, dhe të jetë i ditur, që të vijë në shprehje te unë.

Nëse mund të mësoheni të jini armiq të respektueshëm, e jo vulgarë, atëherë ishit kënaq me mua, do t'ua ktheja mesazhet flakë për flakë.

Kështu, në këtë nivelin ku jeni tani, nuk mund të humb kohë me juve, sepse nuk jeni interesant, ama aspak interesant.

Nuk është lehtë të jesh atraktiv, të jesh interesant ka punë.

Pra, ju njoftoj se mua më tërheq inteligjenca, edhe kur është destruktive. S'ka gajle që je i keq, kur je i ditur.

E urrej injorancën dhe banalitetin, përgojimet dhe thjeshtësinë.

Prandaj, armiqësinë tuaj nuk e përfill dot. Ju nuk mund të jeni armiqtë e m'i, pa ju pranuar unë juve si të tillë.

P.S. Besimtarët e Albin Kurtit janë kallaballëk, ama thembra e tyre e Akilit është fragjile, si pendla kur e fluturon era e lehtë - sepse sa herë dua i nervozojë.

Qe edhe një "tortë për armiqtë e m'i":

Qeveria Bukoshi, vetë ishte në ekzil e popullin e kishte në Kosovë.

Qeveria Kurti, vetë është në Kosovë, e popullin e ka në ekzil.

Pra, besimtarët e Albin Kurtit jetojnë në perendim dhe s'kanë asnjë vërejtje për Të, sepse nuk varen prej Tij.

Ndoshta Lëvizja Vetëvendosje shndërrohet në Fe, Profetin e ka, besimtarët Po....krejt kushtet janë pjekur për Religjionin e Ri Vetëvendosje, kur njeriut i jepet mundësia të vendos vetë kush është Profeti...

Sa më përket mua, unë s'kam asgjë kundër!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat