Satirë nga Sherif Ramabaja: Bashkësia Islame e Kosovës, lutje për shëndetin e Kadyrovit!

Opinione

Satirë nga Sherif Ramabaja: Bashkësia Islame e Kosovës, lutje për shëndetin e Kadyrovit!

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 29 prill 2024 Në ora: 09:32
Ramazan Kadyrov

Kadyrov tre djemtë e tij ia ka sakrifikuar për Putinin në luftë kundër Ukrainës, njërin vetëm 15 vjeç. Kadyrov po ashtu njërin nga djemtë e tij e ka dekoruar për torturat sadiste, që ka ushtruar ndaj të burgosurve ukrainas.

Për rolin e tij si islamist i përbetuar në Çeçeni dhe Rusi, Bashkësia Islame e Kosovës është e preokupuar për shëndetin e Kadyrovit, i cili është një shembull se si i sakrifikon djemtë, veten dhe tërë familjen për fenë islame dhe islamizmin në tërë rruzullin tokësor. Ky duhet të jetë një shembull edhe për myslimanët e Kosovës, se si të angazhohen dhe luftojnë për fenë e tyre, të cilët amanet ua ka lënë Turqia.

Këto ditë po ashtu është duke u diskutuar që të formohet një delegacion në krye me Dr. Shefqet Krasniqin dhe Dr. Naim Tërnavën, që ta vizitojnë Kadyrovin dhe kuptohet që nëpër xhamitë e Kosovës të organizohen lutje për shërimin e tij.

Bashkësia Islame e Kosovës po ashtu kishte menduar që të dilte me propozimin që Kadyrov të emërohej si emisar, për udhëheqjen e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Për fat të keq me sëmurjen e tij kjo ide do të mbetet pa u realizuar që me ndërmjetësimin e tij, do të ishte një rast i shkëlqyeshëm për arritjen e paqes mes dy popujve tanë.

Perëndimi, për keqardhje, nuk ka mirëkuptim ndaj Kadyrovit, por e akuzojnë si dora e djathtë e Putinit. Ata nuk i kuptojnë rrethanat dhe arsyen, pse Putini e kishte ngritur Kadyrovin, e kishte m´veshur me pushtet dhe ia kishte lënë duart e lira në sundimin e Çeçenisë.

 Për besimin e dhënë Kadyrov me ndihmën e zotit e kishte sjell paqen në Çeçeni. Ai ka ndërtuar xhami të shumta dhe madhështore duke e orientuar popullin që t´i përkushtohet fesë islame dhe të heq dorë nga kërkesat politike dhe pavarësia që bien ndesh me dëshirën e zotit.

Për angazhimin e tij ndaj Putinit dhe fesë islame, mediat gjermane sa herë që raportojnë për Kadyrovin e emëron me emrin „ Qeni i çartur gjakpirës i Putinit”.

Nuk e kuptojmë pse një urrejtje e tillë ndaj një personi i cili është i dhënë vetëm pas fesë islame dhe nuk ia mendon kujt të keqen. Është admirim se si e ka rritur mjekrën, veshjen dhe kapelën ia përshtat islamit dhe falet pesë herë në ditë. Kjo është një shenjë se ai ndodhet në rrugën e zotit, prandaj sëmundja e tij na prek sot të gjithëve.

Bashkësia Islame e Kosovës në shenjë respekti ndaj tij ndoshta do të duhej të mendonte që xhaminë në ndërtim e sipër në Prishtinë, ta emëroi me emrin e tij.

Ky do të ishte një respekt i madh për veprën e tij humane dhe për vetë Kosovën që të dëshmohet para botës islame, se ne jemi popull paqedashës dhe me Rusinë e Serbinë duam afrim dhe paqe.

Ne nuk duhet të biem pre e politikës ditore, po duhet ta ndjekim rrugën e zotit, duke i nderuar njerëzit si Kadyrovin që për fenë islame, sakrifikohet me tërë familjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat