Me fillimin e Samitit të 75 të NATO-s, Putini kreu sulme fatale në Ukrainë

Opinione

Me fillimin e Samitit të 75 të NATO-s, Putini kreu sulme fatale në Ukrainë

Nga: Sherif Ramabaja Më: 10 korrik 2024 Në ora: 14:06
Sherif Ramabaja

Sulmi fatal rus në prag të Samitit të 75 vjetorit të NATOS në Uashington nuk ishte rastësi, por një porosi e qartë ndaj NATOS dhe perëndimit. Me këto sulme Putini paraqiti qëllimet e tij se nuk është i interesuar për bisedime dhe zgjidhje të problemit, po kërkon nënshtrimin dhe pushtimin e Ukrainës.

Sulme pothuaj të ngjashme kishte ndërmarr edhe në prag të fillimit të Konferencës së Paqes për Ukrainën në Zvicër.

Por sulmi i tashëm në Kiev ku u godit spitali i fëmijëve, të sëmur me kancer, tregoi edhe njëherë se cili është në të vërtetë presidenti rus, Putini.

Këtij sulmi me më shumë se 40 të vdekur, vetëm këtë herë, i parapriu edhe vizita këto ditë e Orbanit te Putini, i cili po ashtu këto ditë e mori mandatin për kryesimin e EU.

 Për fat të mirë nga EU reaguan dhe e bënë të qartë se Orban në një udhëtim të tillë, nuk e përfaqëson EU dhe nuk ka mandat që të flet në emër të saj.

Pra me fillimin e Samitit të NATOS, kemi reagimin e Rusisë me sulme brutale ndaj Ukrainës dhe me porosinë e saj të qartë ndaj perëndimit.

  Edhe në Ballkan ndodhën po ashtu dy ngjarje, që nuk do të merren seriozisht, pasi Ballkanit nuk ia vë kush seriozisht mendjen.

Me fillimin e samitit të NATOS, po ashtu në Veriun e Kosovës u dogjën dy maune dhe një veturë, kurse po ashtu para dy ditësh, ushtria serbe e Republikës së Bosnjës, bëri parakalime nëpër qytete me popullsi boshnjake. Athua se edhe këto dy ngjarje ishin të rastësishme, apo edhe Serbia me veprimet e saj agresive në Kosovë dhe Bosnje, dërgoi po ashtu porosinë e saj drejt NATOS dhe perëndimit.

Në Bjellorusi po ashtu me fillimin e Samitit të NATOS, u organizuan manovra të përbashkëta me Kinën, krejtësisht afër kufirit të Polonisë. As kjo nuk mund të thuhet se ishte e rastësishme.

Sipas shumë ekspertëve, NATO ndodhet në defensivë dhe po kërcen sipas valles së Putinit. Në fakt po punon në atë drejtim, vetëm sa për të shuar zjarret.

Kjo po arsyetohet se Ukraina nuk po furnizohet sa duhet me sisteme mbrojtëse kundërajrore, përkundër apelit të saj të vazhdueshëm. Nuk u lejua kohë të gjatë që të ndërmerrte sulme në brendësi të territorit rus, kurse Gjermania gjithnjë po e frenon furnizimin e Ukrainës me raketat Taurus etj.

Një vërejtje serioze po bëhet gjithashtu në drejtim të Turqisë dhe Orbanit, kur është në pyetje në mos unitetin e NATOS, për marrjen e vendimeve të rëndësishme. Këto dy shtete kohë të gjatë e pengonin anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës. Apo kur është fjala për masa rigoroze ndaj Putinit, që iniciohen zakonisht nga shtete Baltike, gjithnjë dalin të tjerët që i pengojnë iniciativat e tilla. Shtrohet pyetja, çfarë mund të ndodhë pastaj me NATON, po erdhi në pushtet Trumpi?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat