Se lumi shqiptar prej të cilit ti ke marrë emrin është ende ndër lumenjtë më të pastër në botë... ndërsa me çka po bën ti sot në politikën kosovare je duke e bërë pis emrin tënd më shumë se kushdo tjetër.
Kqyre çka po thotë Lumiri për ty sot... grua e fortë dhe e pathyeshme...
E pra tradhtare të quajtën deri dje po ky Abdixhik e po kjo Parti e tij.
A je vërtet e tillë ti Vjosë... siç thotë Lumiri?
Apo realisht je kjo që po tregohesh sot... lumë i dalë nga shtrati.
Kur u ndave prej LDK-së e kur ju hodhe në krah Albinit e ai të bëri Presidente the se... nuk ka më kthim mbrapa...
E tash kur po i hidhesh në qafë Abdixhikut po thua se... tash duhet me shiku veç përpara???
Po qahesh e po bën rolin e viktimës e po e akuzon Kurtin e VV-së se ata të ranë ty kot në qafë, se janë autokratë, se e deshën postin e presidentit për ta pasur krejt Kosovën në duart e tyre etj. etj...
Dhe ti vetë s’e pate hiç problem ta shtrëngoje asisoj Lumirin me rastin e rikthimit tënd në “shtëpi” e me rastin e shpalljes së Aleancës e bashkëpunimit mes jush... ani pse ajo fjalia jote kur ia ktheve shpinën Partisë së Rugovës... “nuk ka më kthim mbrapa” tingëllon ende fort e rëndë e në shqip ka vetëm një kuptim e vetëm një emër... tradhti... dje, sot e nesër.
Kë duhet të besojnë votuesit kosovarë e kujt duhet t’ia japin votën ata më 7 qershor? Vjosës së deri djeshme në krahët e Kurtit apo Vjosës së sotme e të nesërme në krahët e Abdixhikut?
Por ja që rikthimin tënd në LDK e përqafimin tënd me Lumirin oj Vjosë nuk po e dojnë e po xhelozohen fort Dull Hoti, Isa Mustafa e Hykmete Bajrami e plot të tjerë brenda asaj Partie... e tash qysh me ia bo me ta moj “gru e fortë dhe e pathyme”... na thuaj.
Ca mendojnë se rikthimi yt do të sjellë sukses më 7 qershor për LDK-në e shumë të tjerë argumentojnë me logjikë të ftohtë se rikthime të tilla ku lypet prej teje posti, karriera e karrigia dhe çmohet Partia prej interesit e injorohet vendi e populli yt nuk sjellin çka tjetër veç mosrespekt, përçarje e mosbesim... ndaj personit tënd... për të mos thënë edhe ca fjalë të tjera e më të rënda më mbrapa.
Shumë koincidenca, përqafime e takime që lënë vend për shumë lloje interpretimesh të tuat e të “miqve të tu të rinj” këto kohët e fundit oj Vjosë...
Në krahët e kujt s’po hidhesh e me kë nuk po shtrëngohesh... e ti qofsh.
Njëri të thotë... “nëse nuk shkoni mirë me Serbinë më merr në telefon...”
Tjetri serb e kriminel i njohur gjindet “si rastësisht” përballë teje në një mbledhje sekrete e të pazënë kërkundi fare në gojë prej teje...
Armiku i betuar i Kosovës e i Kurtit dhe miku për kokë i Serbisë e i Vuçiqit... Grenell shfaqet në një tjetër përqafim të ngrohtë me ty alla-Abdixhik...
E të paralajmëron se... mezi po e presim lirimin prej Hage të Hashimit.
Rama prej teje e për inat të Albinit ia preu kokën mamicës së tij.
E përpara tyre përqafimi yt me Ramën sado “motër-vëllazëror” që ishte duket se ia nxori zbuluar petët lakrorit... siç thotë populli në raste të tilla.
Po gabon rëndë o Vjosë, ç’nuk po nxjerr nga goja veç për keq për atë që deri dje e kishe në krah e i thoje kryeministri më i mirë i vendit tim... e në fushatën e nisur je po ti e fjalisë “nuk ka kthim mbrapa” me Abdixhikun që po e reklamon këtë të fundit si kryeministrin e nesërm të Kosovës e veten tënde Presidente edhe për një tjetër mandat 4-vjeçar.
Po i thua Kosovës se është Albini që po na çon në zgjedhje çdo 4 muaj e nuk po guxon as t’ua zësh në gojë emrat shkaktarëve të vërtetë të kësaj situate absurde në Kosovë e që ju pëlqen aq fort Vuçiqit e Ramës... Abdixhikut, Hamzës, Ramushit e TY sigurisht.
Por populli i Kosovës nuk është budalla oj Vjosë sikurse nuk është as qorr, as shurdh e as memec.
E sa patriot e po aq i mençem është, këtë besoj se do t’ua tregojë edhe njëherë tjetër ty e Lumirit me shokë e shoqe pikërisht më 7 qershor 2026.
I ke hipur gomarit për së prapthi o Vjosë... “peshku në det e tigani në zjarr” thotë populli yt e imi bashkë... ok.
Po i shkelmon shëmtut fare edhe ato të mira që si Presidente i pate bërë popullit e vendit tënd oj Vjosë... dhe po e bën fort pis emrin tënd... ndaj dhe të them që në fillim të këtij shkrimi tim... ndërro emrin Vjosë.