Kosova sot nuk vuan më vetëm nga mungesa e zhvillimit ekonomik apo nga krizat politike ciklike. Problemi është më i thellë: shteti po humb kuptimin e vet si autoritet moral dhe juridik. Institucionet ekzistojnë fizikisht, por besimi në to është tretur pothuajse krejtësisht. Në shumë raste, qytetari nuk e sheh shtetin si mbrojtës të tij, por si pengesë, si aparat partiak, ose si instrument privilegjesh për një kastë të mbyllur politike e ekonomike.
Në demokracitë funksionale, një ministër jep dorëheqje për një faturë dreke apo për keqpërdorim të një veture zyrtare. Në Japoni, ministra kanë rënë për shpenzime simbolike kozmetike. Në Kosovë, përkundrazi, aferat miliona eurosh relativizohen, ndërsa hajnia shpesh glorifikohet me logjikën primitive: “ka ditur me u gjind”. Ky është momenti kur korrupsioni nuk mbetet më vetëm krim ekonomik — ai shndërrohet në kulturë shoqërore.
Shteti i Kosovës vazhdon të sillet si projekt i përkohshëm, jo si rend i qëndrueshëm institucional. Çdo ndërrim pushteti shihet si ndërrim prone. Partitë politike nuk e trajtojnë administratën si mekanizëm profesional të shtetit, por si territor pushtimi për militantë, kushërinj, sekserë dhe klientelë elektorale. Ministritë mbushen me njerëz që shpesh nuk kanë as dijen, as etikën minimale profesionale për ta udhëhequr një institucion publik. Në vend të meritokracisë është instaluar lojaliteti partiak; në vend të konkurrencës profesionale — bindja ndaj liderit.
Në teori, Kosova ka kushtetutë moderne, polici, gjykata, universitete, agjenci të pavarura dhe mekanizma mbikëqyrës. Në praktikë, shumë prej tyre funksionojnë si dekor institucional. Dokumentet humbin, arkivat deformohen, procedurat zvarriten, ndërsa qytetari endet sportel më sportel duke kërkuar një të drejtë elementare. Shpesh duket sikur institucionet janë ndërtuar jo për t’i zgjidhur problemet, por për ta lodhur qytetarin derisa ai të dorëzohet.
Kjo klimë ka prodhuar një fenomen të rrezikshëm: qytetari nuk e ndien më shtetin si të vetin. Kur shteti perceptohet si pronë e “atyre”, atëherë lind instinkti kolektiv për ta mashtruar, vjedhur ose anashkaluar. Kështu krijohet spirala e kalbëzimit: qytetari nuk i beson shtetit, ndërsa shteti nuk i shërben qytetarit. Në këtë boshllëk lulëzon sekseri, militantizmi dhe korrupsioni administrativ.
Në shumë institucione është krijuar kasta e “feudalëve me kollare” — njerëz që marrin paga publike pa përgjegjësi publike. Ata nuk prodhojnë shërbim, por arrogancë. Nuk japin zgjidhje, por procedura. Nuk mbrojnë ligjin, por interesin e klanit. Dhe tragjedia është se kjo gjendje është normalizuar deri në atë masë, sa paaftësia administrative trajtohet si diçka e zakonshme.
Kosova sot duket si një shtet që mbahet artificialisht në këmbë nga mbështetja ndërkombëtare, kreditë, remitencat dhe durimi i qytetarëve të saj. Prandaj metafora e “pampersave” mbetet fatkeqësisht aktuale: një shtet që ende nuk ka mësuar të ecë me këmbët e veta institucionale, por mbahet që të mos shpërthejë era e rëndë e krizës së brendshme politike, morale dhe administrative. Cilësia e “pampersave” ndryshon sipas aleatëve ndërkombëtarë dhe sipas cikleve zgjedhore, por problemi mbetet i njëjtë — mungesa e shtetformimit të vërtetë.
Ndërkohë, paradoksi bëhet edhe më i rëndë: komunitetet pakicë, me të drejtë, gëzojnë mbrojtje të avancuara kushtetuese dhe mekanizma garantues, ndërsa shumica shqiptare shpesh ndihet e pambrojtur përballë arbitraritetit institucional, padrejtësisë sociale dhe kapjes politike të shtetit. Ky perceptim po prodhon frustrim të heshtur dhe zhgënjim kolektiv.
Kosova nuk rrezikohet vetëm nga Serbia apo nga konfliktet gjeopolitike. Rreziku më i madh është banalizimi i shtetit nga vetë elita e saj politike. Një shtet nuk rrënohet vetëm nga armiqtë e jashtëm; ai kalbet nga brenda kur institucionet humbin dinjitetin, ligji humb autoritetin dhe morali publik zëvendësohet me pazarin politik.
Dhe ndoshta pyetja më dramatike sot nuk është nëse Kosova ka shtet, por:
a ka mbetur ende vullnet për ta ndërtuar atë si republikë të qytetarëve, e jo si strehë të përkohshme të pushteteve partiake?