E ke marrë përsipër t’i “shpëtosh” dy viktima të pandershme politike, veten dhe Abdixhikun, si shansin e vetëm për të mbijetuar politikisht, por në të vërtetë ju politikisht keni përfunduar.
Si e ke guximin politik ta kërcënosh shtetin me shkuarje në zgjedhje të reja, nëse nuk të nominojnë për presidente? Kush të ka dhënë “garancion” për këtë?
LDK-ja e vërtetë rugoviane kurrë nuk do ta kishte sjellë partinë në këtë gjendje për interesa të pastra personale e karrieriste.
Karriera juaj politike, për rugovistët e vërtetë dhe adhuruesit e Republikës së Dardanisë, është e përfunduar.
Populli e ka një thënie: atë që duhet ta lutesh, mos e hidhëro. Në vend që, pas përfundimit të zgjedhjeve, të shkoje në shtëpi sikur të gjithë pararendësit tuaj dhe të heshtje nëse nuk të pyeste askush, si një ish-përfaqësuese e shtetit, besomë se ndoshta dikush do ta përmendte emrin tënd. Por u tregove lypëse e keqe dhe pa dinjitet.
Shtrohet pyetja: si do të sillej dikush që, pas këtyre akuzave, deklaratave, insinuatave e gënjeshtrave, ta kishte komoditetin që edhe një herë të propozohej për postin e të parit të vendit? Vëre veten në pozitën e atyre që duhet të vendosin për këtë, pas gjithë asaj cirkusiade me Vuçiqin dhe Tiranën.
Një papjekuri zhgënjyese. Pas asaj që e fillove, tani erdhi momenti kur duhet të jemi me fat që nuk je në krye të shtetit, sepse vërtet mund t’i paramendojmë pasojat. Vetëm Zoti e di në çfarë obligimesh ke hyrë me Vuçiqin dhe Tiranën, gjë që nënkupton se në të vërtetë ke biseduar me Vuçiqin e Beogradit, ani pse ke folur dhe je marrë vesh me bashkëpunëtorin e tij më të afërt, Marko Gjuriqin, i cili konsiderohet më i afërt me diktatorin rus Vladimir Putin sesa vetë Vuçiqi.
Ke shkelur shumë keq politikisht, aq sa nuk ke shans të tërhiqesh nga ato për të cilat jeni dakorduar.
Kush është ai i çmendur dhe antidardan që ka guximin politik të dalë në përkrahjen tënde, në dëm jo vetëm të Dardanisë, por edhe të gjithë shqiptarisë?
Po ta them si një njeri që ka më tepër se 58 vjet, apo gati gjashtë dekada, veprimtari për interesa kombëtare, që nga demonstratat e vitit 1968 e deri këtu në SHBA, në bashkëpunim me heroin e lobimit Joe DioGuardi, në cilësinë e anëtarit të Bordit Ekzekutiv për 35 vite.
Në atdhe, para se të emigroja në SHBA, kam qenë drejtor në tri organizata punuese me numër punëtorësh prej 350 deri në mbi 7000, udhëheqës sindikal në nivel të Krahinës Autonome për dy mandate dhe në nivel lokal për dy mandate asamblist i Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Pas suprimimit të autonomisë me dhunë nga ana e kriminelit Millosheviq në vitin 1989, isha drejtor në Kombinatin Ndërtimor Industrial (KNI) “Ramiz Sadiku”. Kam udhëhequr dhe vepruar sipas interesave të punëtorëve dhe atyre kombëtare.
Nga ana e Serbisë u mor vendim politik për falimentimin e KNI-së “Ramiz Sadiku”, me mbi 7000 punëtorë, ku 85% e të punësuarve ishin shqiptarë, shumica punëtorë krahu. Pas këtij vendimi, pasoi një shkresë tjetër ku kushtëzohej se çdo punëtor që donte të qëndronte në vendin e punës duhej ta nënshkruante një deklaratë sipas së cilës do ta njihte Republikën e Serbisë si shtetin e vet, në përputhje me suprimimin e autonomisë.
Unë refuzova ta nënshkruaj një deklaratë të tillë dhe ia dorëzova kryetarit të dhunshëm të kompanisë, njëfarë Millutin Popara, avokat që e fliste shqipen aq mirë sa, po të mos ia përmendje emrin Millutin, nuk do ta dalloje.
Për këtë vendim timin nuk iu tregova punëtorëve, por ata e zbuluan dhe të gjithë u larguan nga puna. Mund të them se një vetëdije kaq e lartë kombëtare nuk e kam hasur më parë. Atëherë u kthyem në veprimtarinë sindikale.
I themeluam Sindikatat e Pavarura të “Ramiz Sadikut”, duke organizuar tubime, protesta e deri greva urie. Në ndërkohë, kur filloi terrori politik dhe social nga regjimi i Serbisë, me mbylljen e shkollave, universiteteve, ndërmarrjeve, largimin masiv të punëtorëve nga puna dhe terrorin ndaj minatorëve, morëm iniciativën për themelimin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (Dardanisë).
U formua Këshilli Nismëtar me në krye Prof. Dr. Hajrullah Goranin (tashmë i ndjerë), anëtar i të cilit isha edhe unë, pasi kisha përvojë të gjatë sindikale në të gjitha nivelet e organizimit. M’u dha detyra ta përpiloj formën dhe skemën organizative.
Pas konstituimit, ndërmorëm masa për mbajtjen e Kongresit. Ishte një veprim me rrezik, sepse të drejtë për kongrese kishin vetëm republikat, ndërsa krahinat autonome kishin të drejtë vetëm për konferenca.
Megjithatë, vendosëm për Kongres.
Më 30 qershor dhe 1 korrik vendosëm ta mbajmë në Gjakovë, në Pallatin “Asim Vokshi”, i rrethuar nga 250 policë të armatosur.
Kongresi filloi punën me dyer të mbyllura për policinë. Ditën e dytë erdhi shefi i policisë dhe arrestoi kryetarin e Këshillit Nismëtar dhe kandidatin për kryetar të BSPK-së.
Në Kongres merrte pjesë, me ftesën tonë, znj. Eva Bradley nga një organizatë për të drejtat e njeriut. Ajo nuk shihte dhe kishte qenin udhërrëfyes, si dhe një përcjellëse. Kur u arrestua z. Gorani, ajo nuk e dinte se çfarë po ndodhte.
Meqë isha në kryesinë e Kongresit, shkova menjëherë tek ajo. Ndërkohë dikush i tregoi se ishte arrestuar kandidati për kryetar.
Filloi të qante, por e qetësuam duke i thënë se, në ato rrethana, për ne kjo ishte “normale”.
Në ato kushte, aktivitetet tona i përshtatnim që të ishin të ndërlidhura.
Për shembull, Kongresin e BSPK-së e mbajtëm më 30 qershor dhe 1 korrik, ndërsa më 2 korrik mbahej Kuvendi për Deklaratën Kushtetuese. Po ashtu, më 3 shtator u mbajt greva e përgjithshme në tërë territorin e autonomisë, para Kuvendit të Kushtetutës së Kaçanikut.
Lidhur me veprimtarinë e përgjithshme, këto i kam përfshirë në monografinë time prej 106 faqesh me titull “Fshati Ujmirë”, e cila gjendet në librin tim të tretë.
Në kuadër të pesë librave të mi janë përfshirë shumë ngjarje dhe përvoja. Prandaj u kërkoj falje lexuesve edhe për këto pak fjalë që i ceka, duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj.