​Dështon emërimi i kryesuesit të Kuvendit të Prishtinës, mungon LDK-ja

Prishtina

​Dështon emërimi i kryesuesit të Kuvendit të Prishtinës, mungon LDK-ja

Më: 14 mars 2024 Në ora: 12:56
Pamje nga vendi i ngjarjes

Me 20 vota për dhe 10 abstenime dështoi përzgjedhja e kandidatit të pavarur, Fehmi Kupina për kryesues të Kuvendit të Prishtinës në raundin e parë.

Për këtë pozitë, Kupina u propozua nga përfaqësuesi i Aleancës Kosova e Re (AKR), Gëzim Mehmeti.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje për emërimin e kryesuesit të kuvendit të kryeqytetit, mungojnë 21 asamblistë, duke përfshirë Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila kërkoi që kjo seancë të shtyhet për 30 minuta. Kjo shkaktoi debate mes asamblistëve, porse procesi vazhdoi.

Iniciuesi i seancës së jashtëzakonshme nga LVV-ja, Gëzim Sveçla në një prononcim për media tha se kjo situatë e krijuar nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosovë prej vitit 1999, sipas tij kur të zgjedhurve të qytetarëve iu pamundësohet procedura për mbajtjen e një seance.

Ai potencoi se kryetari Përparim Rama dhe LDK-ja me këto veprime po ikin nga llogaridhënia dhe nga skandalet e përditshme me të cilat po ballafaqohen qytetarët e Kosovës.

Sveçla u shpreh i bindur se sot do të zgjidhet kryesuesi i kuvendit të Prishtinës.

Svecla: Jemi para një situate që nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosovë

"Jemi para një situate që nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosovën prej vitit 1999, prej pas luftës, kur të zgjedhurve të qytetarëve iu pamundësohet dhe në çdo formë i sabotohet mënyra ose procedura për mbajtjen e një seance e cila është thirrur në mënyrë të rregullt dhe konform ligjeve të Republikës së Kosovës. Me të vërtetë është shumë e dhimbshme mirëpo nuk ka analogji më të mirë kjo që ndodhi sot me 2 korrikun e viti 1990, kur delegatëve të Kosovës në atë kohë iu pamundësua hyrja në Kuvendin e Kosovës. Pak a shumë e njëjta ngjarje na ndodhi sot...Procedura u zhvillua në mënyrë të rregullt tani jemi në fazën e përpilimit të fletëvotimeve dhe do të përfundojë procesi i zgjedhjes së kryesuesit të ri. Shihet ajo që e kemi deklaruar vazhdimisht që zgjedhja e kryesuesit të ri, dhe funksionalizmi i kuvendit nuk i konvenon vetëm LDK-së dhe Përparim Ramës sepse në këtë mënyrë ata po ikin nga llogaridhënia dhe nga skandalet e përditshme me të cilat po ballafaqohen qytetarët e Prishtinës. Sot Prishtina do ta ketë kryesuesin e Kuvendit", tha Sveçla.

Përfaqësuesi i AKR-së, Gëzim Mehemeti ftoi asamblistët e të gjitha partive të përkrahin dhe votojnë propozimin për zgjedhjen e Fehmi Kupinës, kryesues të Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Mehmeti: Propozoj që kandidati i pavarur Fehmi Kupina të zgjidhet kryesues

“Sipas legjislacionit të fuqi propozoj që kandidati i pavarur Fehmi Kupina të votohet dhe të zgjidhet kryesuesi i kuvendit komunal të Prishtinës. Bazuar në kompetenca e juaja dhe parimet demokratike i ftoi asamblistët e të gjitha partive të përkrahin dhe votojnë propozimin ... Kryetar shumica është bërë sot, këtu shumica sot me mjete demokratike do ta zgjedhë kryesuesin”, tha Mehmeti.

Aktualisht asamblistët janë duke votuar në raundin e dytë për zgjedhjen e kryesuesit i Kuvendit Komunal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat