Fehmi Kupina, zgjidhet kryesues i Kuvendit të Prishtinës në raundin e tretë

Prishtina

Fehmi Kupina, zgjidhet kryesues i Kuvendit të Prishtinës në raundin e tretë

Më: 14 mars 2024 Në ora: 14:20
Fehmi Kupina

Asambleja Komunale e Prishtinës me 22 vota pro dhe 8 abstenime ka zgjedhur kandidatin e pavarur, Fehmi Kupina për kryesues të Kuvendit Komunal të kryeqytetit, pas dy raundeve të dështuara.

Këtë pozitë, Kupina po e merr për herë të dytë, për çka u zotua se do të vazhdojnë të punojmë me seriozitet dhe përkushtim maksimal për të mirën e përgjithshme publike në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Me rastin e zgjedhjes kryesues i Kuvendit Komunal të Kryeqytetit, Kupina në një fjalë rasti tha se kushtetutshmëria, ligjshmëria, transparenca, llogaridhënia, funksionimi demokratik dhe bashkëpunimi i thellë me anëtarët e Kuvendit dhe me ekzekutivin mbeten parimet kryesore me të cilat do të funksionojë gjatë ushtrimit të detyrës së tij.

Kupina: Do të punojmë me seriozitet dhe përkushtim maksimal për të mirën e përgjithshme

“Kur interesi i Prishtinës bëhet interes i yni i përbashkët, ndërsa nuk vjen në shprehje interesat politike partiake, përfitimet apo kalkulimet individuale, të propozohem dhe zgjidhem kryesues i këtij kuvendi. Rizgjidhja për kryesues të kuvendit të kryeqytetit është detyrim dhe përgjegjësi për çka zotohem sot para jush dhe qytetarëve të Prishtinës se do të vazhdojmë të punojmë me seriozitet dhe përkushtim maksimal për të mirën e përgjithshme publike në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, transparenca dhe llogaridhënia, funksionimi demokratik dhe bashkëpunimi i thellë dhe i ndërsjellë që me secilin anëtar të këtij kuvendi në njërën dhe me ekzekutivin në anën tjetër kanë qenë, janë dhe do të jenë parimet e punës sime gjatë ushtrimit të funksionit të kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Prandaj, iu garantoj se do të jem i hapur për bashkëpunim të mirëfilltë me secilin prej jush”, tha Kupina.

Përfaqësuesja nga Lëvizja Vetëvendosje, Nora Kelmdni tha se pas dështimit në raundin e dytë për emërimin e kryesuesit të Kuvendit të Prishtinës, do të vazhdojnë me raundin e tretë.

Ajo tha se në votimin e tretë, zgjidhet kandidati i cili merr më shumë se gjysmën e votave të anëtarëve të kuvendit të pranishëm dhe që votojnë për propozimin në mbledhjen e kuvendit.

Kelmendi: Në votimin e tretë kryesuesi i kuvendit të komunës zgjidhet

“Pasi që edhe në votimin e dytë kandidati nuk ka fituar shumicën e kërkuar vazhdojmë me votimin e tretë. Në votimin e tretë kryesuesi i kuvendit të komunës zgjidhet kandidati i merr më shumë se gjysmën e votave të anëtarëve të kuvendit të pranishëm dhe që votojnë për propozimin në mbledhjne e kuvendit”, tha Kelmendi.

Propozimi për emërimin e Kupinës si kryesues së Kuvendit Komnal të Prishtinës u bë nga përfaqësuesi i Aleancës Kosova e Re (AKR), Gëzim Mehmeti.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje për emërimin e kryesuesit të kuvendit të kryeqytetit, mungojnë 21 asambleistë, duke përfshirë Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila kërkoi që kjo seancë të shtyhet për 30 minuta. Kjo shkaktoi debate mes asamblistëve, porse procesi po vazhdon.

Ndërkaq, në raundin e parë me 20 vota për dhe 10 abstenime dështoi përzgjedhja e kandidatit të pavarur, Fehmi Kupina për kryesues të Kuvendit të Prishtinës. Derisa, raundi i dytë dështoi me 21 vota për dhe 9 abstenime.

Më 27 shkurt, me 33 vota pro është shkarkuar kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Pëllumb Bajqinovci.

Votimi për shkarkimin e tij erdhi pas prishjes së koalicionit në mes të Partisë Demokratike të Kosovës dhe LDK-së në kryeqytet.

Ndërsa, tetë muaj më parë me 27 vota për, 1 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi i Prishtinës kishte shkarkuar kryesuesin e Kryeqytetit, Fehmi Kupinën. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat