Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair është nderuar me “Çelësin e Qytetit” dhe është shpallur qytetar nderi nga Asambleja Komunale e kryeqytetit.
Në fjalën e tij para asamblistëve Blair tha se mënyra më e mirë për të nderuar të kaluarën është duke iu drejtuar të ardhmes.
Blair: Mënyra më e mirë për të nderuar të kaluarën është duke iu drejtuar të ardhmes
“Nuk jam vërtet një person shumë retrospektiv. Unë prirem të mos shikoj prapa në kohë. E di që po shikojmë prapa dhe është e drejtë që ta bëjmë këtë. Ishte një moment kaq i rëndësishëm për Kosovën dhe kosovarët, por edhe për botën, sepse simbolizon diçka të rëndësishme. Por unë gjithmonë mendoj se mënyra më e mirë për të nderuar të kaluarën është duke iu drejtuar të ardhmes. Dhe vetëm pak kohë më parë takova disa nga njerëzit nga forcat e armatosura britanike që ishin këtu në atë kohë dhe i falënderoj thellësisht për kontributin e tyre, si dhe ambasadorin dhe të gjithë stafin e tij këtu që vazhdojnë të punojnë këtu”, tha ai.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se falë përkushtimit të ish-kryeministrit britanik dhe aleatëve të NATO-s u ndal terrori i forcave pushtuese serbe në Kosovë.
Rama: Fal përkushtimit të Blair dhe aleatëve u ndal terrori i forcave pushtuese
“Fushata ajrore e NATO-s e mbështetur fuqishëm prej jush zotëri Tony Blair dhe presidentit Clinton ishte jetike për të ndalur terrorin dhe për të nisë epokën e re të paqes. Falë përkushtimit tuaj i erdhi fundi atij tmerri dhe Kosovës iu hapën dyert si vend i lirë dhe pavarur,” tha Rama.
Falënderues ndaj Blair u shpreh edhe kryesuesi i Asamblesë komunale të Prishtinës, Fehmi Kupina.
Kupina: S’ka fjalë që përshkruan falënderimin për kontributin e Blair
“I nderuar zotëri Tony Blair nuk ka fjalë dhe shkronjë që mund të përshkruajë falënderimin tonë për kontributin tuaj për lirinë dhe zhvillimin e vendit tonë. Më lejoni që në emër timin dhe kryeqytetit t’iu shpreh mirënjohjen dhe falënderimet më të thella për kontributin tuaj për ne”, tha ai.