4 receta të shijshme dhe të thjeshta për pregatitjen e peshkut në furrë

Shëndetësia

4 receta të shijshme dhe të thjeshta për pregatitjen e peshkut në furrë

Më: 13 shtator 2021 Në ora: 06:57
Ilustrim

Peshku është një ndër produktet më të shëndetshme dhe i pasur me shumë vlera ushqyese, vitamina, sidomos me vitaminën D, me proteina, jod, si dhe ka një sasi të lartë me acide yndyrore Omega 3. 

Peshku ndihmon në mirë funksionimin e trurit dhe të syve, mbron dhe parandalon sëmundjet kardio vaskulare, redukton riskun e sëmundjes së diabetit si dhe ka një efekt tejet pozitiv për gjumin dhe gjendjen shpirtëore. 

Në këtë artikull ne po ju sjellim 4 receta të thjeshta dhe të shijshme si të pregatisni peshkun në furrë, të sugjeruara nga shefat e kuzhinës të Restorantit Vila 77, Fabio Lunatiko Crostelli dhe Erlis Tusha . 

Peshk në furrë me domate qershiza dhe rozmarinë

Parapakisht e lajmë dhe pastrojmë mirë peshkun dhe e lyejmë atë me kripë. Më pas e vendosim në tavë, ku shtojmë 4 thelpinj hudhre të prera në mënyre diagonale. I shtojmë 1 gotë ujë me verë të bardhë, domate qershiza, degë të freskëta rozmarine, 4 lugë gjelle vaj ulliri ekstra të virgjër dhe 1 lugë kafeje me piper të zi. Më pas peshku vendoset të piqet në furrë në temperaturën 200 gradë Celsius për 45 minuta dhe serviret i shoqëruar me limon dhe perime sipas dëshirës. 

Fileto peshku në furrë me bajame

Ky është një specialitet i Restorantit Vila 77 dhe është një recetë shumë e shijshme dhe e lehtë për t’ u pregatitur. Fillimisht pastrohet mirë peshku duke hequr skeletin dhe duke lënë të mbetet vetëm fileton e peshkut. Më pas kriposim të dyja anët e filetos dhe e leyjmë me miell nga ana që nuk ka lëkurë dhe në fund e lyejmë me vezë. Më tej vendosim në tavë letër kuzhine të bardhë dhe shtrojmë fileton duke i shtuar bajame të grira dhe e fusim atë në furrë në temperaturën 220 gradë celcius për rreth 25 minuta. 

Ndërkohë që peshku po piqet, pregatisim salcën shoqëruese, e cila përmban gjalpë dhe kaperi të kaurdisura në tigan me gjysmë gotë ujë. Në fund peshkun e servirim në pjatancë duke e shoqëruar me salcën e sapo pregatitur. 

 Peshk ne furrë me perime

Peshku ne furrë me perime eshte një ndër mënyrat më të shpeshta të gatimit si në shtëpi ashtu edhe në restorante. Restoranti Vila 77 na sugjeron një recetë të thjeshtë ku përbërësit kryesorë janë: 2 patate , 2 karrota , 2 kunguj, domate të vogla qershiza (ose në mungesë të tyre feta të holla të domateve), verë të bardhë , ullinj dhe kaperi (sipas dëshires). Ndezim furrën 10-15 minuta paraprakisht që të nxehet e dhe më pas vendosim peshkun me perimet të piqen në temperaturën 200 gradë celcius rreth 30 minuta. Kjo recetë serviret e ngrohtë në pjatancë e shoqëruar me erëza të freskëta sipas dëshirës. 

Peshk furre “ Sale Marina “

Peshku me kripë është teknikë dhe recetë e vjetër por shumë e shijshme. Në tavën ku do të pjekim peshkun, e mbushim deri në gjysmë me kripë të jodizuar dhe e përzjejmë me verë të bardhë, gjethe dafine, rozmarinë dhe kokrra dëllënje. Më pas e mbulojmë tërësisht peshkun me këtë kripë dhe e fusim në furrë të piqet në temperaturën 250 gradë celcius për rreth 35 minuta. Për servirje peshku pastrohet nga lëkura dhe serviret i ngrohtë në pjatë, i dekoruar me jeshillëqe të freskëta dhe limon sipas dëshirës. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat