Nxënësit e shkollës fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë kanë përfunduar modulin edukativ në platformën digjitale “Immune Patrol”, përmes së cilës kanë mësuar për sëmundjet ngjitëse, funksionimin e sistemit imunitar dhe rëndësinë e vaksinimit.
Aktiviteti është realizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe me përkrahjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në kuadër të Planit të Veprimit për Vaksinim 2025–2026.
Platforma përmban gjashtë module interaktive, të cilat përmes lojërave digjitale, simulimeve dhe aktiviteteve praktike në klasë synojnë t'ua lehtësojnë nxënësve përvetësimin e njohurive për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.
Sipas IKSHPK-së, përmes këtij programi nxënësit kanë zhvilluar edhe aftësi për të identifikuar dhe analizuar dezinformimin dhe keqinformimin për çështjet shëndetësore në rrjetet sociale.