Shkencëtarët mund të kenë zgjidhur misterin që fshihet prapa ndërtimit të piramidave të Egjiptit

Shkencë & Teknologji

Shkencëtarët mund të kenë zgjidhur misterin që fshihet prapa ndërtimit të piramidave të Egjiptit

Më: 18 maj 2024 Në ora: 07:59
Foto ilustrim

Shkencëtarët besojnë se mund të kenë zgjidhur misterin se si 31 piramida, përfshirë kompleksin me famë botërore, atë të Gizës, janë ndërtuar në Egjipt para më shumë se 4,000 viteve.

Një ekip hulumtues nga Universiteti i Karolinës së Veriut, Wilmington, ka zbuluar se piramidat ka të ngjarë të jenë ndërtuar përgjatë një dege të lumit Nil, e cila tani është e fshehur nën shkretëtirë.

Për shumë vite, arkeologët kanë menduar se egjiptianët mund të kenë përdorur një rrugë ujore aty pranë për të transportuar materiale si blloqe guri, shkruan BBC.

Por, deri më tani, askush nuk ishte i sigurt për vendndodhjen, formën, ose madhësinë e kësaj dege”, sipas një prej autorëve të studimit, Eman Ghoneim.

Në një përpjekje ndër-kontinentale, studiuesit kanë përdorur imazhe satelitore, harta historike dhe studime gjeografike për të hartuar degën, që ata besojnë se është varrosur nga stuhi rëre mijëra vjet më parë.

Siç raportohet, ekipi ka qenë në gjendje të depërtojë në sipërfaqen e rërës dhe të zbulojë imazhe të lumenjve të varrosur dhe strukturave të lashta që rrjedhin në vendin ku shtrihet shumica dërrmuese e piramidave të Egjiptit të lashtë.

“Posedimi i të dhënave që tregojnë se aty ka ekzistuar një rrugë ujore, na ndihmon të shpjegojmë ndërtimin e piramidave”, tha një tjetër autore e studimit, Suzanne Onstine.

Bëhet e ditur se dega e lumit, e quajtur Ahramat (piramidë – nga arabishtja), ishte afërsisht 64 kilometra e gjatë dhe midis 200-700 metra e gjerë.

Gjithashtu, thuhet se ajo kufizohej me rreth 31 piramida të cilat u ndërtuan midis 4,700 dhe 3,700 vjet më parë.

Sipas shkencëtarëve, afërsia e degës me komplekset piramidale sugjeron se ajo ishte “funksionale” gjatë ndërtimit të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat