Shkup, Forumi Ekonomik Rajonal mbledh drejtues të Ballkanit perëndimor

Shkupi

Shkup, Forumi Ekonomik Rajonal mbledh drejtues të Ballkanit perëndimor

Më: 1 mars 2023 Në ora: 21:22
Mbahet Forumi Ekonomik rajonal në Shkup

Në Shkup u mbajt Forumi Ekonomik rajonal ku morën pjesë kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe një numër diplomatësh e ekspertësh për të diskutuar mbi bashkëpunimin në fushën e energjetikës, ekonomisë dhe sigurisë. Folësit po ashtu theksuan agresionin rus ndaj Ukrainës dhe luftën hibride si pasoja me të cilat po përballet rajoni i gjerë dhe Ballkani Perëndimor.

Pjesëmarrësit në Forumin Ekonomik të Shkupit, në mesin e tyre drejtues të vendeve ballkanike diskutuan për problemet që kanë të bëjnë me fushën e energjisë, të sigurisë dhe ekonomisë. Një theks i veçantë iu kushtua ndikimit në rajon nga agresioni rus ndaj Ukrainës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi rezultatet në fushën e luftës kundër krimit t organizuar dhe korrupsionit, ndërsa e cilësoi si zhvillim të kënaqshëm demokratik dhe ekonomik, gjendjen në Kosovë.

Zoti Kurti e quajti presidentin rus Vladimir Putin një “despot që po e vajton rënien e Bashkimit Sovjetik me nostalgjinë për Perandorinë Ruse”.

“Në Ukrainë kemi një lufë të vërtetë agresive, kurse në shumë vende të tjera kemi luftë hibride që ka për synim destabilizimin e rajoneve, shkeljen e tërësive tokësore dhe në të njejtën kohë zgjerimin e hegjemonisë së Kremlinit në kuadër të projektit të quajtur ‘Bota Ruse’ ”, u shpreh Kryeministri Kurti.

Ai nënvizoi pasojat direkte për Kosovën dhe më fjerë nga agresioni rus në Ukrainë, siç është inflacioni dhe çmimi i larë i energjisë.

Zoti Kurti u ndal edhe tek procesi i Berlinit dhe mundësitë që u ofron vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke u bërë thirrje drejtuesve rajonalë që ta mbështesin atë “për të arritur tek bashkëpunimi konkret me Bashkimin Evropian”.

Ai foli edhe për nevojën e zgjerimit të bashkëpunimit në infrastrukturën rrugore duke theksuar këtu idenë e lidhjes së Prizrenit me Tetovën, për çka do të duhej një tunel në Malin Sharr, por që do të shtonte sipas kryeministrit të Kosovës, përfitimin nga turizmi dhe bizneset.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski tha se ndihet krenar me vendimet e Konferencës së fundit të Mynihut për Sigurinë ku Maqedonia e Veriut është njohur si faktor i qëndrueshmërisë në Ballkan.

“Kam thënë deri tash por e përsëris: Nuk është më çështje nëse Ballkani Perëndimor do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, por çështja është se kur do të ndodh kjo”, u shpreh zoti Kovaçevski.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç tha se politikanët e rajonit flasin shumë për të kaluarën, ndërsa tha se duhet përqëndruar tek e ardhmja:

“Njerëzit e rëndomtë duhet të kuptojnë një gjë se gjithçka që mund të ndryshojmë është e ardhmja dhe nuk e ndryshojmë dot të kaluarën”, tha zoti Bazoviç, teksa foli për interesin e vendit të tij për tolerenacën dhe paqen dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në rajon.

Ai tha se dëshiron të inkurajojë Kryeministrin e Kosovës dhe Presidentin e Serbisë për gjetjen e zgjidhjes midis dy vendeve të tyre, sepse një zgjidhje do të thoshte, sipas tij, “një lulëzim i madh për të gjithë rajonin”.

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evroian, Oliver Varhelyi përmes një video-mesazhi theksoi planet e investimeve në rajon në aspektin e zhvillimit të sistemit energjitik për të anashkaluar varshmërinë nga burimet energjetike ruse.

“Financimi i plotë i projektit për energjinë elektrike dhe interkonjeksionet e gazit si furnizime alternative dhe një terminal i ri energjetik në Detin Adriatik, janë projekte që do të ndodhin shumë shpejt”, tha komisioneri, duke theksuar se kjo do ta kthente Ballkanin Perëndimor në një krenari për Evropën.

Konferenca e organizuar nga Forumi Ekonmik Delphi dhe Asociacioni i Bezneseve Greke ka vazhduar me pjesëmarrjen e diplomatëve, ekspertëve dhe pjesëtarëve të shoqërisë civile me diskutime kryesisht mbi çështjet energjetike dhe agresionin rus ndaj Ukrainës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat