Një ngjarje e rëndë është raportuar në polici në Shkup, ku një 27-vjeçar dyshohet se ka sulmuar fizikisht gruan e tij dhe më pas e ka çuar në një zonë pyjore, ku e ka lidhur për një pemë dhe e ka sulmuar me një objekt të fortë.
Sipas informacioneve të Ministrisë së Brendshme, dje rreth orës 20:40, zyrtarët policorë kanë arrestuar L.F.D. (27), nga Shkupi, pas një raportimi të bërë më herët nga gruaja e tij 21-vjeçare.
Ajo ka deklaruar se bashkëshorti i saj e kishte sulmuar fizikisht në shtëpinë familjare. Më pas, sipas denoncimit, ai e kishte dërguar në një zonë pyjore në rajonin e Shkupit, ku e kishte lidhur për një pemë dhe e kishte goditur me një objekt të fortë.
I dyshuari është arrestuar nga policia dhe është dërguar për procedurat e mëtejshme.
Nga Ministria e Brendshme kanë bërë të ditur se për rastin do të ndërmerren edhe veprime të tjera ligjore.