​Rama në OKB: Dënojmë agresionin mizor në Ukrainë

Shqipëria

​Rama në OKB: Dënojmë agresionin mizor në Ukrainë

Më: 24 shtator 2022 Në ora: 18:08
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalimit të tij sot në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ka dënuar agresionin ushtarak rus në Ukrainë, duke thënë se Shqipëria nuk do të njohë vetë-referendumet që po mbahen në Donbas.

Rama ka thënë se agresioni i Rusisë ndaj fqinjit të saj është i papranueshëm, duke përfshirë edhe mobilizimin e pjesshëm të urdhëruar nga Vladimir Putin, për të cilin tha se do të shkaktojë edhe më shumë vdekje.

Rama: Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah Ukrainës

Për fat të keq këtë vit shpresat e besimet janë cenuar, nga një luftë e paprovokuar, e pajustifikuar dhe e paramenduar. Agresioni mizor i Rusisë kundër Ukrainës. Lufta është jo vetëm kundër Ukrainës, por një sulm brutal kundër së drejtës ndërkombëtare, një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj arkitekturës së sigurisë evropiane. Udhëhequr nga deliri i madhështisë, Rusia ka vendosur të zvarrisë botën pas dhe të shkojë kundër gjithçka që kemi ndërtuar. Kjo është e papranueshme. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah Ukrainës. Lufta e tyre është edhe e jona dhe shpresoj edhe e të gjithë vendeve që ndajnë të njëjtat parime. Ndërkohë që bota pret që Rusia t’i thërrasë arsyes, Kremlini bëri një zgjedhje tjetër, të përshkallëzimit, duke shpallur mobilizim të pjesshëm që do të shkaktojë edhe më shumë dhimbje, por që edhe do ta dëmtojë më shumë Rusinë. Referendume farse po mbahen në territoret e Ukrainës të pushtuara. Ato shkojnë kundër të drejtës ndërkombëtare dhe nuk reflektojnë vullnetin e lirë të popullit të Ukrainës. Ne i dënojmë këto veprime të fabrikuara në Moskë dhe nuk i njohim”, ka thënë Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat