“Jemi të falimentuar”/ Kushtetuesja merr në shqyrtim padinë e opozitës për tatimin e profesioneve të lira

Shqipëria

“Jemi të falimentuar”/ Kushtetuesja merr në shqyrtim padinë e opozitës për tatimin e profesioneve të lira

Më: 26 prill 2024 Në ora: 20:10
Alim Lulaj

Alim Lulaj që në vitin 1992 është pronar i një autoshkolle. Pas 10 vitesh ku paguante zero tatim, atij i ka ardhur deklarata e re, ku detyrimi për tu paguar është 720 mijë lekë apo thënë ndryshe rreth 7 mijë euro.

Ligji i ri për tatimin e të ardhurave personale e ka përcaktuar biznesin e tij si pjesë e profesioneve të lira që u futën në skemën tatimore këtë vit. Si fitim atij i është marrë e gjithë xhiro, pasi në 2023-shin nuk është kujdesur të deklarojë shpenzimet.

Përveç tatimit si një kosto e re, këtë vit është ulur dhe interesi i kursantëve për patentë dhe kjo e ka vendosur në vështirësi financiare.

“4 muaj të regjistrosh 38 kursantë e di çdo të thotë apo jo ku vetëm rroga me gjithë siguracion e të gjitha më shkon 1 milion e 800 mijë në muaj. Unë me çfarë do t’i nxjerr këto lek? Paguaj t’i njëherë dhe pastaj ne do të kompensojmë në 2025-ën, kësaj i thonë vdis, se do të ngjallim prapë“, thotë Lulaj.

Tatimi i ri e ka kapur pa asnjë lajmërim dhe biznesi që luftoi ta mbante hapur prej 30 vitesh mund të shkojë drejt mbylljes.

“Jemi të falimentuar. Po ju deklaroj që unë një shofer do ta pushoj nga puna, ka rrezik që të pushoj edhe djalin tim, atë kam në punë unë se jemi biznes familjar. I kam thënë që të largohet dhe të gjejë diçka tjetër“, shprehet Lulaj.

Gjykata Kushtetuese njoftoi të premten pranimin e padisë së 35 deputetëve të opozitës për shfuqizimin e ligjit. Duke qenë se katër padi të ndryshme janë depozituar nga grupet e interesit, një tryezë e përbashkët u mblodh në Kuvend me nismëtare deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, për koordinimin e tyre.

Profesionistët në tryezë shpjeguan arsyet që e konsiderojnë ligjin anti-kushtetues

“Në atë deklaratë që unë kam bërë duhet të më njihen automatikisht 30% shpenzime dhe mbi atë duhet të më shumëzosh koeficientin. Sepse jemi njerëz që dalim nga mëngjesi deri në darkë, punojmë dhe nuk po arrijmë të mbajmë në shkollë as fëmijët tanë. A na i llogarit njeri këto si shpenzime? Po çmimet e shportës që janë rritur në mënyrë maksimale? Po shkojmë nëpër dyqane dhe me aq para sa një vit më përpara, tani nuk marrim as gjysmën e gjërave”, thotë një avokate.

“Si është e mundur që një biznes të mund të tatohet për një fitim të parealizuar. Unë punoj me kontrata të huaja të cilat mund të jenë 3-mujore ose 6-mujore, kur kjo kontratë përfundon, unë mund të mos kem të ardhura për 6-mujorin tjetër”, shprehet një punonjëse në sektorin e IT-së.

Gjykata Kushtetuese ka lënë afat deri në 21 maj për palët që të paraqesin argumentet e tyre pro dhe kundër shfuqizimit të pjesshëm të këtij ligji.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat