Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për atë që e quan “skandalin e ri”, ku nga investigimi i BIRN del se gruaja e Arbjan Maznikut dhe e Endri Fugës janë pronare të restorantit në qendër të Tiranës. Sipas investigimit, firma e lidhur me “The Home” fitoi tender publik me vlerë 800 mijë euro.
Sali Berisha nga ballkoni i banesës së tij ku prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar vuan arrestin e shtëpisë, thotë se dy zyrtarët i kanë bërë gratë e tyre bashkëpronare në restorante dhe hotele dhe furnizohen me dreka dhe darka nga bashkia dhe institucionet e tjera.
“Sot del skandali tjetër se Arbër Bifteku, ish-zëvendësi i Erion Veliajt, bashkë me atë paruken e kryeministrisë, Fugën, i kanë bërë gratë bashkëpronare në restorante dhe hotele. Dhe këto bashkëpronare furnizohen me dreka dhe darka nga bashkia dhe institucionet e tjera”, shprehet Berisha.
Sali Berisha thotë se këta janë hajdutë të shpërfytyruar që meritojnë gjithë urrejtjen e shqiptarëve.
“Miq, çdo shqiptar që nuk ka zë sot, çdo shqiptar që nuk është në Shqipëri, çdo shqiptar që nuk ka guximin e duhur, pret nga ne, nga heroizmi, nga trimëria, nga guximi ynë, fitoren tonë, fitoren e Shqipërisë.
Në një restorant të zonjës Fuga dhe zonjës Mazniku, shikoni se çfarë burrash kanë të mjerat, që i fusin në afera korruptive.
Ja cila është familja për këta hajdutë, nuk kanë nder e as dinjitet.
Dhe restoranti i zonjave të tyre fiton tenderin 700 mijë euro nga burri i saj, Arbër Bifteku në kompaninë Tirana DC. Po nuk ka hajdutë më të shpërfytyruar se këta mo?! Këta meritojnë çdo gjë.
Këta meritojnë të varen në shtyllën e turpit. Këta janë fytyra e Edi Ramës. Këta meritojnë të gjithë urrejtjen e shqiptarëve. Të gjithë zemërimin e tyre”, tha Sali Berisha.