“Jemi shumë pranë futjes në BE”, Rama: Në vitin 2030 Shqipëria do të jetë gati!

Shqipëria

“Jemi shumë pranë futjes në BE”, Rama: Në vitin 2030 Shqipëria do të jetë gati!

Më: 13 maj 2024 Në ora: 23:31
Edi Rama

Në një intervistë me emisionin “Opinion” në Tv Klan menjëherë pas takimit me shqiptarët në Athinë, kryeministri Rama u ndal edhe te anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Pa përcaktuar një afat, ai u shpreh se “jemi shumë pranë hyrjes në BE”.

Kryeministri nënvizoi se dikur për Shqipërinë dëgjohej se ishte e fundit, por sot është në vijën e parë për anëtarësimin në BE. Rama tha se deri në vitin 2030 vendi do të jetë gati që të sillet si një shtet i Bashkimit Europian.

Edi Rama: Unë jam Kryeministri i Shqipërisë por jam edhe kryetar i Partisë Socialiste. Më intereson fakti që sot jemi në një moment historik dhe jemi shumë pranë futjes në Bashkimin Europian,sa na takon ne, jemi shumë pranë.

Blendi Fevziu: Ç’do me thënë shumë pranë?

Edi Rama: Jemi shumë pranë.

Blendi Fevziu: Më jep një ‘deadline’.

Edi Rama: ‘Deadline’ nuk e vë unë, e vë Bashkimi Europian.

Blendi Fevziu: Më jep një të përafërt se dëgjova Scholz-in që tha “Mali i Zi nuk është çudi të jetë në 2030-ën në Bashkimin Europian”. Kjo do të thotë që jemi një paketë të gjithë apo do të na ndajnë?

Edi Rama: Unë kam dëgjuar, jo Scholz-in, kam dëgjuar të tjerë që pastaj ju sigurisht i citonit që pararoja ishte Serbia dhe Mali i zi, Shqipëria ishte në fund fare se akoma… Sot të gjithë thonë që Shqipëria është ‘front runner’. Këto janë gjëra që kanë të bëjnë si lëvizin vendet. Unë di të them këtë: Në vitin 2030 Shqipëria do të jetë gati, kjo është gjëja që do të thotë që do të plotësojmë të gjitha ato reforma, jo për ata, por do t’i plotësojmë për vete dhe pastaj është çështje vendimmarrjeje, por fakti që Shqipëria do të jetë gati nuk do të thotë që është gati që të marrë diplomën atje por është gati që të sillet si shtet brenda vetes, si shtet i Bashkimit Europian.

Kryeministri u përgjigj edhe nëse BE-ja është e gatshme që të pranojë Shqipërinë në mesin e saj.

“Këtë do ta shikojmë kur t’i vijë radha BE-së. Për momentin ne duhet të bëhemi gati dhe ne do të bëhemi gati, kjo është gjëja”, përfundoi Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat