Reforma e inspektimeve/ Rama: Krijojmë një forcë të re autonome të shkëputur nga ministritë

Shqipëria

Reforma e inspektimeve/ Rama: Krijojmë një forcë të re autonome të shkëputur nga ministritë

Më: 14 maj 2024 Në ora: 16:08
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në eventin për reformën e inspektimeve te Shtëpia e Biznesit, njoftoi krijimin e një force të re të inspektoriateve, autonome, të shkëputur nga ministritë.

Ai gjithashtu tha se do të vendoset një parim i ri, jo gjobë por këshillim në inspektimin e parë ndaj një biznesi.

“Inspektimet. Sot është një pikë e dobët dhe pavarësisht përmirësimeve që janë bërë dhe sa më pak e ndjenin presionin e inspektorëve në raport me korrupsionin por ky presion vazhdon të jetë një presion që nuk mundet dot të justifikohet sepse sot jemi në një fazë që mund të bëjmë një kapërcim tjetër. Një reformë e inspektoriateve, një shkurtim i rëndësishëm i numrit të tyre, një bashkim i një sërë funksionesh që sot janë të ndarë, çdo funksion një inspektoriat në një grup inspektoriatesh dhe një shkëputje e inspektoriateve nga ministritë për të dalë si një forcë e re dhe autonome në veprimtarinë e vet nën ombrellën e kryeinspektorit të përgjithshëm të shtetit. Të krijojmë bazën për një fazë të re në këtë drejtim duke ndryshuar dhe qasjen por edhe përmbajtjen në të gjithë kornizën e shtetit, të figurës së inspektorit dhe duke e kaluar këtë në një status të ri, siç është statusi që kanë doganat apo një pjesë e sistemit të tatimeve apo shërbimi civil.

Dhe ky trup nuk do të jetë një trupë që do të ketë dhe gurin dhe arrën. Pra, nuk do të jetë një trupë që edhe do të vendosë gjobat dhe marrë në shqyrtim ankesat. Marrja e ankesave do të bëhet edhe me pjesëmarrjen  e komisioneve të apelimit të përfaqësuesve të biznesit në mënyrë transparente dhe sa më kolegjiale për të krijuar një barrikadë që të mos kapërcehet dot kaq lehtësisht ku përgjithësisht komisionet e apelimit lënë në fuqi vendimet e marra më parë nga inspektorët. Përtej, do të vendosim një parim të ri, jo gjobë në vizitën e parë. Kjo do ta bëjë të pamundur shfaqjen në befasi të inspektoriatit  te dera dhe vendosjen ose jo të një gjobe mes marrëveshjes së heshtur që i përcjell nga dera duke i dhënë atë që ju biznesmenët jeni “viktimat” në aspektin për raportin me inspektorët. Vizita e parë vetëm regjistrim të problemit dhe këshillim.” , tha Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat