Dumani: Krimi shqiptar, i shtrirë në gjithë vendin dhe i përfshirë në tregun ndërkombëtar të drogave të forta

Shqipëria

Dumani: Krimi shqiptar, i shtrirë në gjithë vendin dhe i përfshirë në tregun ndërkombëtar të drogave të forta

Më: 22 maj 2024 Në ora: 20:12
Drejtuesi i Prokurisë së Posaçme, Altin Dumani në seancë dëgjimore me komisionet parlamentare

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar raportoi sot para dy komisioneve të Kuvendit për tregje kriminale shqetësuese dhe për grupe aktive në territore të gjera nga Tirana, Durrësi, Vlora e Gjirokastra dhe deri tek Fieri, Shkodra, Elbasani, Kurbini dhe Fushë Kruja.

Krimet më të shpeshta janë vrasjet, trafikimi i narkotikëve, tregtimi i armëve, lëndëve shpërthyese dhe i makina të vjedhura për ngjarje kriminale, si dhe korruptimi i njerëzve të ligjit.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, bëri të ditur deputetëve se në Tiranë dhe disa qytete bregdetare këto grupe kriminale merren kryesisht me pastrimin e parave të paligjshme.

“Pastrimi i parave të krimit të organizuar, investimi në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme mbetet mënyra kryesore për pastrimin e parave në Shqipëri, veçanërisht në apartamente, ndërtesa dhe njësi shërbimi në Tiranë dhe zona turistike si Vlora, Durrësi dhe Lezha. Gjithashtu një numër i konsiderueshëm parash dyshohet se depozitohen në llogari bankare në emra shoqërish tregtare ose në të afërm të të dyshuarve”, tha zoti Dumani.

Ai i bëri këto komente gjatë një seance dëgjimore me Komisionin e Ligjeve dhe me Komisionin për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit, ku është dorëzuar një raport vjetor mbi veprimtarinë e këtij institucioni.

Ndërsa ka regjistruar 299 procedime të reja, Prokuroria e Posaçme ka hetuar 750 procedime penale, më shumë se gjysma të mbartura nga një vit më parë. Statistikat e këtij institucioni tregojnë veçse shtim të punës hetimore dhe ndëshkuese ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Zoti Dumani theksoi se Prokuroria e Posaçme ka hetuar 863 materiale, për të cilat 7 nga çdo 8 dosje vendosi nisjen e hetimit, madje ka rritur ndjeshëm edhe nisjen e hetimeve kryesisht me nismën e vet.

Ai kërkoi shtimin e prokurorëve për shkak se puna në këtë institucion është shtuar mjaft, se kriminaliteti ka hyrë në një fazë të sofistikimi dhe teknologjie, ndërsa propozoi që mandati i prokurorëve duhet të ripërtërihet, në mënyrë që t’u shkohet deri në fund çëshjteve gjyqësore.

Një nga skemat e pastrimit të parave në Shqipëri përfshin përdorimin e bankave dhe bizneseve shqiptare si ndërmjetës për organizatat kriminale ndërkombëtare, si mafia italiane, tha zoti Dumani, ndërsa veçoi një operacion në këtë fushë.

“Në një rast një biznes shqiptar bashkëpunoi për t’i dhënë akses përfaqësuesve të mafias ndërkombëtare të integronte të ardhurat kriminale në sektorin bankar për shtresëzimin e transfertave, që pasatj do të transferoheshin jashtë vendit po me ndihmën e biznesit vendas. Bashkëpunimi shumë i mirë me bankat e nivelit të dytë dhe FIU-t- tashmë Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare, bëri që ky operacion i grupeve kriminale të dështonte”, tha zoti Dumani.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme tha se në një vit u sekuestruan 41 milionë euro pasuri të paligjshme, pasi u kryen 22 hetime pasurore.

Ai tha se GJKKO ka marrë 20 vendime për konfiskimin e 4 pasurive të paluajtshme 11 pasuri të luajtshme si dhe para në cash, si dhe janë dënuar 9 zyrtarë të nivelit të lartë. Për korrupsionin janë shënuar deri tani 909 procedime penale dhe përgjimet janë shtuar ndjeshëm, po ashtu.

Sipas tij, u regjistruan 3 procedime për terrorizëm, kryesisht për mbështetje të dhunës përmes internetit.

Nga ana tjetër Prokuroria e Posaçme ka nisur autoriteteve gjyqësore jashtë vendit 122 kërkesa për çështje të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po ashtu ka një rritje të kërkesave për ekstradim dhe për shpalljen e personave në kërkim ndërkombëtar

“Hetimet e vitit 2023 tregojnë se grupet kriminale janë përfshirë në tregun ndërkombëtar të trafikimit të drogave të forta, duke pasur dhe kontrolluar trafikun në cikle të mbyllura dhe duke pasur pozicion dominues në vendet e origjinës së trafikut të kokainës. Këto grupe kriminale kanë aktivitet edhe në tregje ndërkombëtare kriminale, kryesisht në Amerikën e Jugut, Bashkimin Europian, Britaninë e Madhe si dhe në rajon”, tha zoti Dumani.

Prokuroria e Posaçme ka nisur 97 kërkesa për gjykim me 547 të pandehur për krim të organizuar dhe për korrupsion.

Ndërkohë janë ekzekutuar 79 vendime gjykate dhe janë dënuar 269 të pandehur, 160 nga të cilët me burgim, ose sa 60% e tyre.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, tha se bashkëpunimi i policisë me krimin është realitet, duke e cilësuar si ulëritës faktin që ndërsa mijëra punonjës policie sakrifikojnë përditë përballë krimit, disa drejtues policorë kanë rezultuar si të lidhur me krimin e organizuar, mes tyre, ish-drejtori i njësisë operacionale, disa drejtues komisariatesh apo shefa krimesh.

Ndjekjes nga Prokuroria e Posaçme nuk u kanë shpëtuar as prokurorë dhe gjyqtarë. Prokuroria e Posaçme ka hetuar 4 ish-magjistratë, të cilët u shkarkuan nga procesi i vetingut dhe 2 ish-magjistratë janë dënuar.

Po ashtu vjet u arrestua një prokuror në detyrë dhe u procedua një gjyqtare në detyrë nga SPAK-u, drejtues të të cilit janë të vetëdijshëm se nuk janë ta imunizuar nga korrupsioni as ata gjyqtarë e prokurorë që kanë kapërcyer me sukses procesin e vetingut.

Prokuroria e Posaçme ka qenë në qendër të akuzave nga një pjesë e opozitës, por zoti Dumani tha se kjo prokurori është e shurdhër ndaj çdo presioni apo sulmesh politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat