Vijojnë përplasjet në sheshin “Skënderbej”! Protestuesit me molotovë, policia me plumba gome, merr flakë autoboti i ujit
Përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë vijuar edhe në sheshin “Skënderbej”, pas ndërhyrjes së forcave të rendit për shpërndarjen e tyre.
Pavarësisht ndërhyrjes së policisë, një grup protestuesish nuk janë tërhequr nga sheshi, duke hedhur molotovë në drejtim të autobotëve të ujit me presion.
Në kundërpërgjigje, gjatë përplasjeve policia ka përdorur plumbat e gomës.
Situata në sheshin “Skënderbej” vijon të jetë e tensionuar, ndërsa përplasjet shënojnë një tjetër episod të përshkallëzimit të protestës kombëtare të 28 Nëntorit në Tiranë.
Shpërthim molotovi në sheshin Skënderej, protestuesit përdorin lazerë në drejtim të policisë
Situata në protestën e zhvilluar në sheshin “Skënderbej” është tensionuar, pasi protestuesit kanë përdorur molotov dhe lazerë në drejtim të efektivëve të Policisë.
Gjatë protestës janë regjistruar incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, duke rritur tensionet në zonën e sheshit.
Përveç hedhjes së bombave molotov, protestuesit kanë drejtuar edhe rreze lazeri në drejtim të policisë.
Protesta vijon të jetë e tensionuar, ku raportohet për incidente.
Protestuesit ndezin zjarr në hyrjen e Ministrisë së Mjedisit, policia ndërhyn me autobotin e ujit për t’i shpërndarë
Tensionet gjatë protestës kombëtare janë zhvendosur edhe te Ministria e Mjedisit.
Një grup protestuesish është drejtuar drejt godinës, ku kanë hapur derën e hyrjes dhe kanë hedhur molotov në ambientet pranë saj.
Menjëherë pas kësaj, autoboti i policisë është afruar në zonë dhe ka përdorur ujë me presion për të shpërndarë protestuesit dhe për t’i larguar nga godina.
Përplasjet vijnë në vijim të tensioneve të regjistruara në disa pika të kryeqytetit, ku policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë, ndërsa protestuesit janë kundërpërgjigjur me molotovë.
19 të plagosur në protestë, mes tyre punonjës të medias së huaj
Është rënduar bilanci i të plagosurve nga protesta, ku 19 persona janë paraqitur në strukturat spitalore për të marrë ndihmë mjekësore.
Sipas të dhënave të bëra publike, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 18 persona të lënduar. Mes tyre, përfaqësues të medias, njëra prej të cilave shtetase e huaj.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është paraqitur një efektiv policie, duke e çuar në 19 numrin e të lënduarve të raportuar në strukturat spitalore.
PËRDITËSIM informacioni mbi të lënduarit gjatë protestës 28 nëntor 2026, ora 15:15
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, sipas informacioneve paraprake nga strukturat spitalore informon se gjatë protestës së sotme:
Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 17 të lënduar:
- Pesë efektiv policie
- Katër përfaqësues të medias (një prej tyre shtetase e huaj)
- Tetë protestues
Të gjithë në gjendja shëndetësore stabël.
Në QSUT deri tani janë paraqitur:
•Një efektiv policie
•Një protestues
I shpërthen molotovi te këmbët, efektivi përfshihet nga flakët
Momente të rrezikshme janë regjistruar gjatë protestës së 28 Nëntorit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku një efektiv policie është goditur me bombë molotov dhe ka marrë flakë.
Në pamjet filmike shihet efektivi teksa përfshihet nga flakët pas hedhjes së molotovit në drejtim të grupit të policisë.
Menjëherë kanë ndërhyrë kolegët e tij, të cilët kanë arritur të shuajnë flakët.
Protestuesit mësyjnë me molotovë drejt efektivëve, bllokojnë rrugën pranë Piramidës me koshat e mbeturinave, zmbrapset policia
Tensionet gjatë protestës në kryeqytet janë zhvendosur edhe në zonën pranë Piramidës, ku protestuesit kanë hedhur molotovë në drejtim të efektivëve të policisë.
Gjatë zhvillimeve, disa prej protestuesve kanë përdorur koshat e mbeturinave për të bllokuar rrugën, duke penguar qarkullimin në këtë segment.
Përballë hedhjes së mjeteve piroteknike dhe përshkallëzimit të situatës, efektivët e policisë janë detyruar të tërhiqen dhe të zbrapsen nga pozicionet e tyre.
Protesta vijon të shoqërohet me incidente dhe përplasje në disa zona të kryeqytetit.
Lëndohet në këmbë një person në sheshin “Skëndërbej”, protestuesit i mjekojnë plagën dhe ia fashojnë
Një person ka mbetur i lënduar në këmbë gjatë protestës në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Pas incidentit, disa prej protestuesve i kanë ardhur në ndihmë, duke i dhënë ndihmën e parë në vendngjarje.
Ata i kanë mjekuar plagën dhe më pas ia kanë fashuar këmbën, ndërsa personi ka marrë ndihmën e nevojshme nga qytetarët e pranishëm në shesh.
Ende nuk dihen rrethanat në të cilat është lënduar personi.
Tensione në protestë, një protestues përfundon në spital
Protesta e opozitës në Tiranë ka nisur me tensione, pasi qytetarët e mbledhur në sheshin “Skënderbej” kanë hedhur kapsollat e para, raporton Kosovapress.
Tensionet u zhvendosën para Kryeministrisë, ku protestuesit marshuan dhe u stacionuan.
Në këto momente, ata kanë nisur të hedhin gurë dhe “breshëri” bombash molotov në drejtim të policisë, ndërsa kjo e fundit është përgjigjur me ujë me presion dhe gaz lotsjellës.
Një protestues nuk është ndjerë mirë, dhe është transportuar në spital me ambulancë.
Tensione në protestën kombëtare, tubues të maskuar gurë e molotov ndaj policisë dhe institucioneve
Në 114-vjetorin e Pavarësisë së vendit, në kryeqytet krahas festimeve, po zhvillohet edhe një protestë kombëtarë kundër qeverisë, raporton Atsh.
Qytetarët fillimisht u grumbulluan në sheshin “Skënderbej” ku qendruan për rreth tre orë dhe më pas nisën marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” deri tek Kryeministria. Në mesin e protestuesve u shpalos edhe një banderolë gjigante me mbishkrimin “Shqipëria nuk shitet”.
Gjatë qendrimit tek sheshi “Skënderbej” nuk u shënuan incidente, por pas nisjes së marshimit protestues të maskuar hodhën molotovë në ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Gjithashtu protestues të maskuar hodhën gurë në drejtim të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Po para ambienteve të ministrisë së Punëve të Brendshme, të rinj me maska dhe shkopinj në duar shkulën pllakat e troturit dhe qëlluan në drejtim të institucioneve.
Në kundërpërgjigje, policia ndërhyri duke shpërndarë protestuesit përmes hedhjes së ujit me presion si dhe përdorimit të gazitlotsjellës.
Protesta është në vazhdën e protestave qytetare të zhvilluara përgjatë disa muajve në vend, ndërsa Partia Demokratike ka deklaruar se do të mbështesë, por pa simbolet e saj partiake.
Protesta kombëtare në Shqipëri, këndohet himni para monumentit të heroit kombëtar
Protesta e opozitës në Tiranë ka nisur me tensione, pasi qytetarët e mbledhur në sheshin “Skënderbej” kanë hedhur kapsollat e para, raporton Kosovapress.
Qytetarë të shumtë janë grumbulluar në shesh, në kuadër të protestës së paralajmëruar në kryeqytet, ndërsa hedhja e kapsollave ka shënuar momentet e para të tensionit gjatë tubimit.
Ndërkohë disa tubues kanë grisur dhe djegur një pankartë me foton e kryeministrit Rama në të.
Më tej protestuesit kanë ndezur edhe tymuese si dhe kanë shpalosur një baner gjigant me vargjet e himnit kombëtar: “Shqipëria do të rrojë, për të luftojmë ne”.