Dëborë në veri dhe juglindje, ARRSH: Qarkullimi normal në të gjitha akset Nga

Shqipëria

Dëborë në veri dhe juglindje, ARRSH: Qarkullimi normal në të gjitha akset Nga

Më: 29 nëntor 2026 Në ora: 10:08
Fotoilustrim

Reshjet e dëborës kanë përfshirë gjatë natës zonat veriore dhe juglindore të vendit, ndërsa të gjitha akset rrugore vijojnë të jenë të hapura dhe qarkullimi kryhet normalisht, raporton Atsh.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bëri të ditur se gjatë natës ka pasur reshje shiu me intensitet mesatar, ndërsa reshjet e dëborës janë regjistruar në disa akse të rajonit verior dhe juglindor.

Në rajonin verior, reshje dëbore janë regjistruar në akset Bajram Curri-Valbonë, Ura Bujan-Qafë Morinë, Hani i Hotit-Vermosh, Bogë-Theth, Sopot-Kërrnaj, Qafë Mejdan-Tropojë-Buçaj, Dushaj-Lekbibaj, Rrëshen-Shpal-Qafë Benë, Fierzë-Bajram Curri, Bulqizë-Peshkopi, Kukës-Shishtavec, Kukës-Bushtricë, Kukës-Krumë dhe Dedaj-Razëm.

Ndërsa në rajonin juglindor, reshje dëbore janë evidentuar në akset Qukës-Qafë Plloçë, Qafë Plloçë-Qafë Thanë, Librazhd-Fushë Studen, Korçë-Dardhë dhe Zëmblak-Goricë.

ARRSH informon se kontraktorët janë në terren me mjete dhe punonjës, duke kryer pastrimin e akseve rrugore dhe shpërndarjen e kripës për të parandaluar krijimin e ngricave.

Autoriteti Rrugor Shqiptar u bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit, të pajisen me goma dimërore dhe të përdorin zinxhirë kur udhëtojnë drejt akseve rrugore ku ka prezencë dëbore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat