Akreditimi, si renditen 12 universitetet publike

Shqipëria

Akreditimi, si renditen 12 universitetet publike

Më: 30 shtator 2017 Në ora: 10:31
Universiteti

Universiteti i Tiranës, nga të gjithë universitetet shtetërore, është universiteti më i dobët, me vetëm 1 vit akreditim nga 6 që është maksimalja, pra me vetëm rreth 15% të standardeve të plotësuara. Ka përfunduar dilema dhe debati i kësaj jave në media në lidhje me vendimin e këshillit të akreditimit mbështetur mbi raportin e ekspertëve të agjencisë britanike QAA, (Quality Assurance Agency), për përfundimin e akreditimit të të gjithë universiteteve shtetërore dhe disa prej universiteteve  private në vend. Pjesa tjetër e universiteteve private vazhdojnë dhe vendimet do të merren në muajin tetor-dhjetor, dhe deri në fund të vitit i gjithë procesi ka përfunduar. Lajmi është se universitetet publike, pa përjashtim të 12-të, kanë dalë me standarde të mangëta, standarde të paplota dhe e gjithë panorama e universiteteve shtetërore është ashtu siç përflitej, shumë larg standardit maksimal, standardit ligjor shqiptar, i cili i referohet standardeve ligjore europiane.

I fundit është renditur Universiteti i Tiranës, i 11-i Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës me dy vite akreditim nga gjashtë, pastaj vijnë Universiteti Politeknik, Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Universiteti i Sporteve, Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë, universiteti “Eqerem Cabej” në Gjirokastër, me gjysmën e kritereve me 3 vite nga 6 vite akreditim, ose përafërsisht me 50% të standardeve. Në grupin tjetër hyjnë 3 universitete; Universiteti Bujqësor i Tiranës, universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe Universiteti i Arteve, me përafërsisht 70% të standardeve. Në grupin e parë hyn Universiteti i Mjekësisë së Tiranës, dhe Universiteti “Fan Noli” i Korçës, që kanë arritur rreth 80% të standardeve, kanë marrë akreditimin 5 vite nga 6 vite që është totali. Ndërkohë panorama e universiteteve private, 4 universitete private të akredituara deri më tani, është krejt ndryshe.

Universitetet private janë me 5 ose 6 vite akreditim, në grupin e universiteteve deri më tani.  Kjo diferencë midis panoramës së sektorit privat dhe sektorit shtetëror është tipike edhe sipas vlerësimeve të tjera ndërkombëtare edhe në rajon dhe thekson avantazhin e sektorit privat ose sektorit të pavarur në vend, edhe pse ky sektor është i ri, relativisht ka një jetë 15-vjeçare që kur profesori Gramoz Pashko  themeloi universitetin e parë privat në Shqipëri. Akreditimi i pjesës tjetër të institucioneve private është planifikuar për muajin tetor dhe deri në muajin dhjetor do të përfundojë e gjithë panorama e mjedisit akademik shqiptar.

Është hera e parë që universitetet shtetërore futen në procesin e akreditimit,  ndërkohë që ky proces ka qenë i zakonshëm për universitetet private. Është hera e parë që zbatohet parimi një kut-një masë për akreditimin institucional, një prej dy akreditimeve që kërkon legjislacioni shqiptar. Akreditimi i programeve të studimeve mbetet një sfidë dhe një proces tjetër për universitetet shtetërore për t’u parë, ndërkohë që universitetet private janë të akredituara. Akreditimi është një bazë e mirë për shoqërinë dhe aktorët institucionalë për të përmirësuar sistemin dhe është një bazë e mirë për prindërit dhe studentët për të dalluar se në cilin universitet të shkojnë.

Procesi i renditjet nuk ka ndodhur akoma në Shqipëri, por e kanë kryer vende të përafërta me ne siç është Maqedonia, që ka ftuar agjencinë presitigjioze të rankimit, Shangai. Rezultati i raportit të akreditimit nga agjencia angleze ka shqetësuar profesorë, drejtues dhe veçanërisht qytetarët. Një nga të shqetësuarit është edhe dekani i Fakultetit të Ekonomisë, i cili mbi gjithçka kërkon të sqarojë kuptimin dhe rëndësinë e këtij vlerësimi. Ish-rektori i Universitetit të Tiranës, ka një mendim krejt të ndryshëm nga drejtuesit aktuale. “Nuk është bërë akreditim i standardeve dhe cilësisë akademike”, shprehet Dhori Kule, dekan i Fakultetit të Ekonomisë. Ndërsa, Rektori Mynyr Koni ka thënë se çështjen mund ta çojë edhe në Gjykatë.

Akreditimi i 12 universiteteve publike

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë         5 vite akreditim

Universiteti Fan S. Noli, Korçë          5 vite akreditim

Universiteti i Arteve             4 vite akreditim

Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës        5 vite akreditim

Universiteti Bujqësor i Tiranës          4 vite akreditim

Universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër         3 vite akreditim

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë                  3 vite akreditim

Universiteti i Sporteve të Tiranës      3 vite akreditim

Universiteti i Elbasanit “A. Xhuvani”              3 vite akreditim

Universiteti Politeknik i Tiranës        3 vite akreditim

Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër          2 vite akreditim

Universiteti i Tiranës           1 vit  akreditim

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat