Rrëfimi tronditës i Armond Koshit, i plagosur rëndë në kurriz dhe në kokë / Shokët na vdisnin para syve nga plagët

Sociale

Rrëfimi tronditës i Armond Koshit, i plagosur rëndë në kurriz dhe në kokë / Shokët na vdisnin para syve nga plagët

Nga: Sali Krasniqi Më: 11 gusht 2022 Në ora: 10:50
Ish ushtari i UÇK-së, i burgosur, plagosur dhe torturuar deri në prag vdekje

Nga 300 të plagosur në burgun e Dubravës në kirurgji i sollën vetëm 31 të plagosur

27. Armond Koshi, 1963, 36 vjeçar, Gjakovë.

Nga burgu i Dubravës së Istogut këtë të plagosur e sjell policia serbe në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, 10 ditë pasi ishte plagosur me rastin e bombardimit të Burgut të Dubravës së Istogut nga ana e NATO-s.

Pra, e sjellin në Kirurgji më 02.06.1999.

Në rubrikën e diagnozës shkruante se ka këto probleme: Dg: St.post vulnus explosivum regio lumbalis lat.dex. a.d. III. Infectio vulneris. Op: Debridement. Toaleta. (Gjendje pas plagës eksplozive në ije djathtas para 3 ditësh. Infeksion i plagës. Operimi: Pastrimi. Toaleta).

Pas qëndrimit në Kirurgji, më 08.06.1999, pacientin e merr policia serbe dhe e dërgon në burgun e Lipjanit, siç shkruan në fletëlëshim. Për fatin e tij të mëtejmë nuk kam të dhëna zyrtare.

Por, e kemi siguruar dëshminë e tij, të cilën po e japim në vijim.

Përjetimet e Armond Koshit

Armond Adem Koshi, i lindur në Gjakovë, më 25.02.1963.

Kam qenë pjesëmarrës në të gjitha demonstratat kundër pushtuesit serb gjatë viteve `80/90. Kam qenë pjesë e strukturës (grupit) së organizuar, në kuadër të organizimeve të shumta gjatë viteve të ‘90-ta, rreth sigurisë në qytet, rreth mbrojtjes së procesit mësimor nga dukuritë dhe fenomenet e këqija, si huliganizmi nëpër shkolla, droga e alkoolizmi në qytet etj. Si pasojë e këtij aktiviteti më arrestojnë dhe maltretojnë për dy ditë rresht në vitin 1997, në “bisedë informative” në SPB-në e atëhershme.

Jam ushtar i UÇK-së prej qershorit të vitit 1998, i vendosur në fshatin Dobrosh, në regjionin e Rekës së Keqe të Gjakovës, ku ishte edhe spitali ushtarak në kuadër të Zonës Operative të Dukagjinit. Pastaj, si pjesëtar i UÇK-së, vazhdoj aktivitetin në Gjakovë, prej gushtit 1998 deri në arrestimin tim, në maj 1999.

Jam arrestuar nga forcat policore serbe, në Gjakovë, më 10 maj 1999. Jam mbajtur në mesin e afër 300 personave, për 7 ditë, në një burg të improvizuar në Gjakovë, në një depo (hangar) të një firme private, prej ku disa herë jam marrë në biseda informative nga policia serbe (sigurimi i shtetit serb). Gjithë kohën kemi qenë të paushqyer, të keqtrajtuar nga forcat rregullta policore dhe ato paramilitare serbe.

Pas 7 ditëve, kemi qenë të ngujuar për dy ditë (145 persona), në bodrumin e firmës “Banana” në Pejë (17 -19.05.1999).

Prej 9.05.1999, kam qenë i burgosur në burgun e Dubravës së Istogut, ku ka filluar tragjedia më e madhe dhe e panjohur ndonjëherë në botë, me masakrën e tmerrshme të forcave ushtarake e paramilitare pushtuese serbe, ndaj të burgosurve shqiptarë.

Më 21.05.1999 jam plagosur rëndë në kurriz (e kam edhe sot e kësaj dite ciflën e granatës në trup) dhe i plagosur edhe në kokë. Nga plagët e mëdha dhe humbja e vazhdueshme e gjakut, më rrezikohej jeta vazhdimisht, edhe pse shokët mundoheshin me çdo kusht dhe me mjete rrethanore të ma ndalnin gjakun, duke më mbështjellë me rroba trupi, perde të dritareve apo edhe ndonjë fasho eventuale, që gjendej atypari. Nga plaga afër bushtit të kurrizit nuk mund të lëvizja, pasi që këmba e djathtë gati më kishte dalë jashtë funksionit nga lëndimet e ndonjë nervi përkatës. Në këtë gjendje, duke qëndruar krejt kohën i shtrirë në bark, pa medikamente dhe pa ushqim (i vetmi ushqim, ndonjë lugë marmelatë, që gjendej rastësisht aty, nga kuzhina e shkatërruar e burgut), më 22.05. 1999, në gjendje të rëndë shëndetësore përjetova masakrën e përgjakshme të Dubravës, ku u vranë dhe u plagosën me qindra shqiptarë, ndaj të cilëve forcat ushtarake dhe paramilitare serbe nuk kursyen asnjë armë nga arsenali i tyre për ta përdorur, duke filluar prej bombave e mortajave të dorës, revoleve, pushkëve, automatikëve, minahedhësve të dorës, pushkëmitralozëve, mitralozave të rëndë etj.

Më 24.05.1999, të gjithë të burgosurit nga Dubrava u transportuam në burgun e Lipjanit, me rrezikun e madh të likuidimit të të gjithëve gjatë rrugës. Në hapësirat e Burgut të Lipjanit, në hyrjet e pavijoneve përkatëse, ishin renditur kordonët e policëve, gardianëve, të burgosurve serbë, të cilët filluan një rrahje të orkestruar të pamëshirshme, me të gjitha mjetet që kishin në dispozicion.

Në burgun e Lipjanit, të gjithë të plagosurit nga masakra e Dubravës ishin të vendosur në një pavijon të veçantë dhe unë isha në një dhomë prej 25-30 m², ku ishim më shumë se 25 të plagosur, me plagë të ndryshme të trupit.

Si pjesë e keqtrajtimeve, pos kushteve jashtëzakonisht të vështira, presionit dhe torturave të vazhdueshme fizike e psikike dhe ushqimit të pamjaftueshëm, neve si të plagosur na jepnin për tre persona një gotë (tas plastike) me një lëng uji me disa kokrra orizi dhe një çerek buke, për tërë ditën. Si pasojë e kësaj, më keqësohet gjendja dhe më bartin në një lloj stacionari të burgut, në të cilën qëndroj për disa ditë, në një dhomë me të tjerë të plagosur rëndë, si Vehbi Kurtalani, të cilit ia kishin amputuar këmbën, Bujar Hima i plagosur rëndë, me plagë nëpër të gjithë trupin, Fadil Dabiqaj i plagosur rëndë në kokë dhe në dorë, Sylë Kuçi, i cili ndihmoi shumë të gjithë të plagosurit, për nevojat e ndryshme të tyre, etj.

Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, më 02.06.1999, me një furgon policie, mua dhe Fadil Dabiqajn, të plagosur, që mezi ecnim në këmbët tona, të veshur me pizhame burgu, të lidhur me pranga, na dërgojnë në Spitalin e Prishtinës. Këtu, në dhomë kam pasur Avni Meminë nga Shqipëria, i plagosur, të cilit ia kishin amputuar dorën (krahun), Fadil Dabiqajn në gjendje shumë të rëndë nga lëndimi i kokës nga e cila shumë shpesh nxirrnin edhe copa ashti apo cifla granate dhe në dorë, ku një pjesë e muskulit ka qenë e hequr fare, i cili të shumtën e kohës ka qenë pa vetëdije të plotë, Agim Hulajn të plagosur në këmbë në kofshën e pasme dhe unë i plagosur rëndë në shpinë, afër boshtit kurrizor dhe në kokë.

Në këtë spital, trajtimi shëndetësor ka qenë sipërfaqësor, i pamjaftueshëm dhe joprofesional, pa medikamente, duke pasur parasysh se shumë prej interven- imeve apo pastrimi i plagëve bëheshin aty, në atë dhomë të padezinfektuar dhe të pasterilizuar, me ç`rast krejt kohën shihnim dhe i tregonim njëri-tjetrit për gjendjen e plagëve tona, kur stafi mjekësor largonin me skalper ndonjë pjesë të kalbur të mishit apo të lëkurës, etj. Edhe pse, pranë derës së dhomës, vazhdimisht qëndronin një ose dy gardianë të burgut, gjatë tërë kohës kemi pasur maltretime të shumta fizike dhe psikike nga policë, ushtarë, paramilitarë serbë dhe kërcënime me jetë, sidomos gjatë orëve të natës, kur të vendosnin edhe thikën në fyt apo revolen në kokë.

Në këtë spital kam qëndruar deri më 08.06.1999, kur të gjithëve na kthejnë prapë në burgun e Lipjanit.

Prej 10.06.1999, jam transferuar në burgun e Pozharevcit, me gjendje të njëjtë shëndetësore, e cila nuk përmirësohej fare, si pasojë e plagëve, sidomos asaj të kurrizit.

Po ashtu, në burgun famëkeq “Zabela” të Pozharevcit, në oborrin e burgut deri te dhomat përkatëse, na priti një kordon policësh, gardianësh, paramilitarësh, të burgosurish ordinerë serbë, të renditur në dy rreshta, të cilët përdorën të gjitha mjetet e mundshme për të na rrahur deri në alivanosje, duke filluar prej shkopinjve të drurit, shkopinj gome policie të madhësive të ndryshme, pranga metalike, zinxhir çeliku etj., edhe pse shumë prej nesh ishim të plagosur rëndë, të veshur me pizhame dhe të lidhur. Rrahjet dhe maltretimet filluan sapo dolëm nga autobusët, me ç`rast gati të gjithë u përgjakën dhe shumë u alivanosën. Si pasojë e kësaj rrahjeje çnjerëzore dhe plagëve që kishte në trup, menjëherë sapo u futëm në dhomë, Bujar Hima nga Skivjani i Gjakovës, në moshën 32 vjeçare, ra pa ndjenja në tokë dhe ndërroi jetë.

Pas një periudhe disamuajshe dhe rëndimit të gjendjes sime shëndetësore, edhe pse dy herë më kanë dërguar në spitalin e qytetit të Pozharevcit. Më vendosin në spitalin e burgut të Pozharevcit ku qëndrova për disa muaj. Në të gjendeshin edhe të burgosur të tjerë shqiptarë të plagosur apo me sëmundje të ndryshme. Po ashtu, në këtë spital përjetova edhe vdekjen e shokut të dhomës, të ndjerit Muhamet Shtrubullova, rreth 65 vjeç, me të cilin i kishim krevatet afër dhe krejt kohën bashkëbisedonim. Ai ndërroi jetë nga vështirësitë e shumta me zemër dhe frymëmarrje, si pasojë e rrahjeve dhe maltretimeve të shumta nëpër burgjet serbe.

Pas disa muajsh më largojnë nga spitali i burgut dhe më dërgojnë në pavijonin e njëjtë me të burgosurit e tjerë shqiptarë, ku kushtet ishin katastrofale sa i përket higjienës, ku shpesh detyroheshim të digjnim edhe rrobat personale për të ngrohur pak ujë, sa për t`u pastruar.

Edhe këtu, nga pasojat e maltretimeve, keqtrajtimit, ushqimit të pamjaftueshëm, dhe shqetësimeve të shumta shëndetësore, në duart e mia ndërroi jetë Adem Sallahu, nga një fshat afër Kaçanikut.

Muajin maj 2000, e kalova në burgun e Nishit, ku dërgohem për t’u gjykuar dhe dënohem si “terrorist”, me 7 vite burg.

Prej qershorit 2000, më dërgojnë prapë në burgun e Pozharevcit, deri në nëntor 2000, kur filluan rebelimet dhe trazirat e të burgosurve serbë, që ishte rrezik permanent për jetën e të gjithë të burgosurve shqiptarë, që gjendeshin nëpër të gjitha burgjet serbe.

Prej nëntorit 2000, vuajta dënimin në burgun e Vrajës deri në ditën e lirimit, më 25.04. 2001.

Kam të kryer Fakultetin Ekonomik (Banka dhe Financa) në UP.

Prej vitit 2001-2013 kam punuar në OJQ “Cordaid” nga Holanda,

Prej vitit 2003-2007 kam qenë Drejtor i Pallatit të Sporteve “Shani Nushi”, në Gjakovë,

Prej vitit 2009, jam Shefi i Shërbimeve teknike, në Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda”, në Gjakovë.

Image
Diagnoza për Armond Koshin

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat