“M’u duk e huaj”, vajza nga Vlora kujton takimin e parë me nënën që e braktisi 1-muajshe në jetimore

Sociale

“M’u duk e huaj”, vajza nga Vlora kujton takimin e parë me nënën që e braktisi 1-muajshe në jetimore

Më: 20 nëntor 2022 Në ora: 17:54
Sofika

Një histori e dhimbshme është shpalosur ditën e sotme në “E diela shqiptare”, që lidhet me një vajzë të rritur jetime pa ngrohtësinë e nënës dhe babait.

Që kur ishte vetëm 1-muajshe, Sofika ka qëndruar në Shtëpinë e Fëmijës në Vlorë. Ajo nis të tregojë historinë e saj dhe arsyen pse përfundoi në jetimore kur në fakt, të dy prindërit i kishte gjallë.

Ajo tregoi se është braktisur nga prindërit e saj dhe sigurisht kjo nuk ka qenë e lehtë, por ajo tregon se gjithsesi ka pasur edhe anët e veta pozitive, pasi në këtë formë ajo ka mësuar se si t’ia dalë dhe të mos dorëzohet kurrë para asgjëje.

Sofika i ka shprehur mirënjohjen fondacionit në të cilin filloi të jetonte pas largimit nga jetimorja. Sipas saj ka qenë ky fondacion që i ka ndryshuar jetën asaj e madje e ka bërë njeri më të mirë, pasi dikur ajo donte t’i shikonte njerëzit të vuanin njësoj siç kishte vuajtur vetë.

Më pas njohu nënën, me të cilën pati raporte të ftohta, të largëta, ndërsa të atin s’e di se cili është.

Sofika u bë e zonja e vetes, ia doli të përfundonte universitetin, të punonte dhe të linte pas ndjesitë e këqija, të shkuarën dhe sot që është 23 vjeçe, i ka marrë vetë frerët e jetës në dorë.

Në gjithë këtë rrugëtim, Sofika ka zgjedhur të falenderojë një njeri që i ndenji pranë duke u bërë nënë e dytë për të. Pranvera, një nga punonjëset e fondacionit e ka mbështetur dhe ka qenë krah për të, por mbi të gjitha i ka thënë fjalët që Sofikës i digjej zemra t’i dëgjonte nga dikush, ndaj sot i shpreh mirënjohjen e saj.

Pjesë nga biseda:

Sofika: Jam rritur në befotrofin e Vlorës ose thënë ndryshe, Shtëpia e Fëmijës në Vlorë. Aty kam shkuar që 1-muajshe. Personi që më ka çuar ka qenë gjyshja nga ana e mamit, e cila ka ndërruar jetë për fat të keq.

Pyetje: Që 1-muajshe ke shkuar në befotrof?

Sofika: Po. Atëherë ajo e pa si mundësi që të më çonte aty, si mundësi të mirë sepse nëse unë nuk do kisha atë, unë do kisha ngelur fillikat në rrugë dhe nuk e di se çfarë rrjedhe do kishte marrë jeta ime. Por jam falenderuese Zotit që më solli një njeri kaq të veçantë si puna e saj.

Sofika e kujton gjyshen me shumë mall, thotë se me të kishte marrëdhënie shumë të mirë. Prindërit e saj kishin bashkëjetuar, por më pas erdhi në jetë Sofika dhe nuk mundeshin ta mbanin. Kur kujton nënën, psherëtin dhe fjalët i humbasin, teksa tregon plagët që i shkaktoi marrëdhënia me të.

Sofika: Si fillim nuk kisha raport të mirë me atë.

Pyetje: Kur e njohe për herë të parë mamanë?

Sofika: Për herë të parë kishte ardhur te jetimorja të më takonte.

Pyetje: Sa vjeçe ishe ti?

Sofika: Unë isha e vogël, besoj 9 vjeçe mos u gabofsha. Më kishin thënë që “mamaja jote po të kërkon, të ka kërkuar, të gjeti”, unë nuk e ndieja atë dashurinë dhe nuk e njihja as si person dhe si fytyrë. Kur erdhi në fillim te jetimorja, m’u duk si një person i huaj. Por ka qenë drejtoresha e jetimores që më ka qëndruar pranë shumë dhe stafi, por më shumë ajo.

Pyetje: Dëgjo, kur të thanë në momentin e parë që do takosh mamanë, si e përjetove?

Sofika: Ishte muhabeti kështu. Vajta te zyra e saj, ishim me ish-drejtoreshën. Ajo aty filloi të prekej dhe unë kisha një raport shumë të ftohtë me të, nuk doja që t’i afrohesha, i rrija larg. Ajo donte të më përqafonte, të më bënte për vete, por qëndrimi im ishte…

Pyetje: Ti nuk ndieje gjë.

Sofika: Jo.

Pyetje: Pastaj të bëri për vete?

Sofika: Me kalimin e… derisa isha te jetimorja, jo.

Pyetje: Fare. Ajo çfarë jete kishte, ishte martuar, kishte fëmijë të tjerë?

Sofika: Përveç meje, kam edhe 2 vëllezër të tjerë, njërin e kam me biologjikun, ndërsa tjetrin e kam nga ana e mamit.

Pyetje: Ndërkohë mami vinte, të merrte për shembull në fundjavë siç është tradita?

Sofika: Mami im më thoshte që gjatë periudhës së pushimeve të beharit që “do vij të të marr” më thoshte kur isha e vogël dhe unë bëhesha gati, mendoja se ajo do vinte, por ajo gjithmonë më gënjente, nuk është se vinte. Dilja me çantën, e prisja aty jashtë te dera e jetimores dhe kjo gjë më dhimbte shumë, ka qenë një ndër arsyet pse unë jam ftohur me të. Duke ardhur në fillim mendova se mos ndoshta ajo kishte ndryshuar mendjen për mirë, por duke qenë se e pashë edhe më shumë nga kjo situata, vendosa që t’i largohesha akoma dhe më shumë. Vinte më takonte prapë, por nuk ka pasur asnjë ndryshim. Ka qenë diçka që unë e kam kaluar dhe nuk dua ta kujtoj.

Pyetje: Si ia ke dalë Sofika, sepse ka një problem se ti deri në 18 vjeç ke qenë në jetimore dhe është ky rregulli, ky ligji, që pas moshës 18 vjeçe ti je maxhorene dhe duhet të largohesh të krijosh jetën tënde.

Sofika: Para se të largohesha nga shtëpia e fëmijës, ish-drejtoresha e shtëpisë së fëmijës, kishte folur me fondacionin “Krahët e Shqiponjës” ku u transferova pasi dola nga shtëpia e fëmijës dhe si fillim bëmë një intervistë. Na pyetën se cili është synimin im për të ardhmen dhe i thash që synimi im është të mbaroja shkollën me sukses dhe të diplomohesha njësoj si të tjerët. Ata më pranuan dhe që atë ditë, e them me plotë gojë se jeta ime ka ndryshuar plotësisht dhe ajo Sofika e vjetër u kthye për mirë.

Ardit Gjebrea: Si ishte Sofika e  vjetër?

Sofika: Sofika e vjetër ishte tip shumë i ftohtë, shumë agresive. Doja t’i shikoja të tjerët të vuanin.

Pyetje: Vërtet?!

Sofika: Duke qenë se unë e kisha kaluar atë gjë. Pastaj duke u rritur, duke u pjekur, duke parë se cila është rruga e duhur, besimi në Zot, fillova të ndryshoja. E fala mamanë time për gabimet çfarë kishte bërë ajo. Me pak fjalë, e lashë pas të shkuarën, nuk kisha më qëllimin që t’ia kujtoja apo ta bëja të ndihej në siklet dhe u përpoqa të afrohesha sa më shumë me atë, në mënyrë që të ndihej sa më mirë meqenëse ia kisha mohuar këtë gjë.

Pyetje: Çfarë të bëri të ndryshoje?

Sofika: Besimi në Zot dhe personi që kam vendosur të ftoj, Pranvera.

Pyetje: Kush është Pranvera?

Sofika: Pranvera është një nga punonjëset që ka qenë te “Krahët e Shqiponjës”, ashtu sikurse të tjerët ajo më ka mbështetur shumë, por ajo ka qenë si një nënë e dytë për mua dhe vazhdon të jetë akoma.

Sofika: Pranvera, siç kemi folur dhe së bashku, unë personalisht të jam shumë falenderuese për gjithçka që ke bërë në jetën time dhe që vazhdon të bësh. Desha të të falenderoja si fillim që më keni bërë pjesë të organizatës që ishit. E dyta, falë jush, marrëdhënia ime me mamanë ndryshoi për mirë. Ishit ju që më thoshit që “Sofika, duhet ta falësh mamanë sepse në fund të fundit ajo është mamaja jote”. Gjatë momenteve që i kam pasur të vështira të në jetë, qoftë me punën, qoftë me shkollën, që kam qarë, ti ke qenë ajo që më ke fshirë lotët. Dhe më e rëndësishmja, nuk mund të lëmë pa përmendur pjesën kur unë dola nga organizata. Në fillim mendoja, sepse edhe pse ju e kishit thënë, ishte shumë e vështirë për mua dhe mendoja se do ftoheshim duke qenë edhe larg njëra-tjetrës.

Por ja që kjo gjë nuk u bë. Ne duke qenë larg njëra-tjetrës, u afruam më shumë shpirtërisht pranë njëra-tjetrës, gjë që domethënë që kontaktet tona nuk i humbëm asnjëherë. Dhe ajo çfarë më ka bërë më shumë përshtypje, është se ke qenë i vetmi person, që ditën që u diplomova më ke thënë “jam krenare për ty” sepse askush nuk ma ka thënë këtë gjë. Mund të më ketë thënë që “bravo, ia arrite t’ia dalësh vetëm”, por që “jam krenare”, askush s’e ka thënë dhe unë të jam falenderuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat