Pse duhet të ushqejmë dashurinë dhe empatinë tek fëmijët?

Sociale

Pse duhet të ushqejmë dashurinë dhe empatinë tek fëmijët?

Msc.Delvina Dylazeka Hajdari Nga Msc.Delvina Dylazeka Hajdari Më 1 dhjetor 2022 Në ora: 15:12
Foto ilustrim

Fenomeni dashuri, ndjeshmëri/empati është një gjë që e zbulojmë ne vet. Këtë e mbështesin edhe psikologët, sociologët dhe antropologët. Por shqetësues është fakti se ndoshta mjaft prej nesh nuk jemi të kënaqur nga mënyra dhe rrethanat në të cilat kemi njohur këto fenomene.

Çfarë ndodh me një fëmijë që ndjeshmërinë dhe empatinë nuk i njohu mirë gjatë rritjes, ndërsa dashurinë e mori në format më të çuditshme, edukimin e pranoi me të rrahura, kur dhuna ishte gjuha që ia mësonte sjelljen e duhur në këtë botë?

Më ka rastisur shpesh të dëgjoj prindër të thonë se fëmijës duhesh t’ia tregosh dhëmbët dhe ndonjë “shpullë” nuk ju bën dëm, madje shkojnë deri aty ku thonë se kjo “shpulla” ju bëhet mend. Atëherë të ndalemi tek kjo pikë e prindërimit, si shumë tipike për shoqërinë tonë.

Nëse edukoni një fëmijë përmes dhunës, e vetmja gjë që arrini është mësimi i një sjellje të kushtëzuar dhe mësimi se dhuna është gjithmonë një opsion kur doni që dikush të ju dëgjoj, qoftë ai shoku/shoqja, një i/e moshuar, një njeri me nevoja të veçanta, etj. Pra këta fëmijë rriten dhe bëhen adult të cilët dhunën do ta shohin si diçka normale, të zakont, e në rastet më ekstreme edhe si diçka qesharake, këta fëmijë të edukuar me dhunë të rëndomtë e përdorin të njejtën formë komunikimi dhe ndërveprimi me të tjerët rreth tyre.

Si shoqëri reflektojmë mjaft të gutshëm, të papërmbajtur dhe shpesh të dhunshëm, duke filluar nga parlamenti, mediat, debatet publike, shpesh mësimdhënësit, shpesh prindërit në parkun e lodrave, apo ata prindër që vijën për të marrë fëmijët nga kopshti ( ndodh që fëmijët të kërkojnë të qëndrojnë edhe pak në këndin e lojërave dhe prindi me nxitim i ngreh veshin duke përdor dhunën që fëmija të kuptoj se prindi është i lodhur dhe ai/ajo duhet të hip shpejtë në makinë. Në vend se të ulet në nivel me të dhe t’ia shpjegoj se si ndihet dhe t’i premtoj për një mundësi tjetër ).

Pra çfarë po ndodh me ne si shoqëri që spo kuptojmë pa na rrahur? Po rrisim individ të cilët nuk dinë të japin dashuri, nuk kanë ndjeshmëri e as empati, qoftë edhe ndaj personave të moshuar apo të sëmurë..

Dhuna nuk është asnjëherë një zgjidhje. Dhuna nuk na mëson sjelljet e duhura, ajo vetem mund të na mësoj se si të jemi të dhunshëm, ajo na humb ndjeshmëritë, ajo na humb aftësinë tonë për të qenë human.

Andaj prindër të dashur, edukator, mësimdhënës dhuroni dashuri, jini të ndjeshëm përballë fëmijëve dhe përpiquni t’i bashkëndjeni ata. Këto janë virtyte që nuk mësohen nga librat ose ligjërimet, këto mësohen vetëm duke i përjetuar, vetëm duke i ndje. Ju keni në dorë këta fëmijë të cilët shumë shpejtë do të rriten dhe do të jenë pjesë e shoqërisë, do të jenë punonjës në institucione të ndryshme, do të jenë e ardhmja në duart e të cilëve do të përfundoni në forma të ndryshme.

Dashuria, ndjeshmëria dhe empatia janë diçka të cilat nuk mund t’i japësh por nuk i pate brenda vetes, po nuk u rrite me to.

Të gjithë ju që keni në duar këta individ të vegjël e në formim, ofroni dashuri pa kushtëzime dhe disiplinën praktikojeni në forma të drejta dhe njerëzore, mos e deformoni personalitetin e tyre në zhvillim e sipër duke përdor forma të gabuara të edukimit.

Nëse dëshironi që ata të rriten me tipare njerëzore, do të ishte mirë që këto tipare t’i keni fillimisht ju vet para tyre. Jini të sjellshëm, të dashur e të ndjeshëm me të gjithë, duke përfshirë këtu edhe fëmijët të cilët keni para vetes dhe ata do të formësohen në këtë mënyrë. Do të mbajnë këto tipare për pjesën tjetër të jetës së tyre dhe do t’iu kalojnë ato fëmijëve të tyre kur të vie koha, mirësia shkon më thellë se sipërfaqësorja, ajo është më tepër se thjeshtë një qëndrim apo një mënyrë e përgjithshme e të menduarit. Është psikologjike dhe fiziologjike. Sa më shpejtë ju si prindër, edukator apo kujdestar ta kuptoni këtë, aq më mirë është për ju që t’i rrisni fëmijët në pjesëtar të sjellshëm dhe të dashur të kësaj shoqërie.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat