Rreziku social i marrëzisë njerëzore

Sociale

Rreziku social i marrëzisë njerëzore

Nga: Përktheu dhe përshtati: Lekë Imeraj Më: 8 maj 2023 Në ora: 16:46
Autori: Lekë Imeraj

Marrëzia njerëzore, gjithnjë ka qënë njëra ndër temat më të nxeheta të filozofëve, psikologëve dhe shumë të diturve të tjerë. Çfarë është dhe nga vjen ajo?

Einsteini ka thënë: „Dy gjëra janë të pafund: Gjithësia dhe marrëzia njerëzore. Për gjithësinë, nuk jam shumë i sigurt“.

Nga hulumtimet për këtë temë, unë gjeta dy të mençur, të cilët për mendimin tim, e kanë shpjeguar këtë temë shumë profesionalisht:

Këta janë teologu gjerman Dietrich Bonhoefer (1906-1945) dhe historiani i zhvillimit, italiani Carlo Maria Cipolla (1922-2000). Bonhoefer, i traumatizuar nga çmenduria e Hitlerit dhe të atyre që shkonin pas tij, guxoi të fliste hapur kundër kësaj mizorie. Natën e Kristaltë (10. 11. 1938 ai e përshkroi kështu: Nata në të cilën turmat me njerëz të xhindosur nga rruga, gjuanin me gurë vitrinat e dyqaneve të pronarëve të pafajshëm, dhunonin dhe vrisnin gra e fëmijë në rrugë, ishte njolla më e zezë në histrorinë e Gjermanisë.

Ai kishte predikuar prej kohësh një mënyrë tjetër të të menduarit, humane dhe njerëzore, te njerëzit.

Një pasdite, kur u kthye në shtëpi, babai e njoftoi se në dhomën e tij po e presin dy burra që ta arrestonin.

Bonhöfer, në burg, filloi të mendonte: Si është e mundur që vendi i tij, vendi i filozofëve, dijetarëve dhe poetëve, përfundoi në dorën e një mase njerëzish frikacakë, kopukë, kriminelë?

Ai arriti në konkluzionin se, rrënja e së keqes nuk është ligësia, por marrëzia njerëzore. Në letrat e tij të njohura që shkroi në burg, e mbrojti mendimin se, marrëzia është armiku shumë më i rrezikshm i mirësisë, se ligësia.

„Nëse njerëzit organizohen dhe reagojnë kundër ligësisë, për të shpëtuar nga dhuna dhe e keqja, kundër marrëzisë janë të pafuqishëm për të vepruar. As protestat, dhe as kundërpërgjigjja me dhunë, nuk sjellin gjë. Të gjitha argumentet bien në vesh të shurdhër. Faktet që vërtetojnë marrëzinë e të çmendurve, nuk kanë asnjë vlerë. Ata, të gjitha faktet dhe provat, i fusin në sirtarin e fundit, si gjëra pa vlerë, atje ku nuk gjenden kurrë. Mbi të gjitha, njeriu i marrë, është i kënaqur me vetveten, është shumë i ndjeshëm dhe i rrezikshëm, nëse dikush reagon ndaj tij. Prandaj këshillohet që, në mardhënjet me të marrin, duhet shumë kujdes, shumë më tepër se me të ligun.

Nëse duam të mposhtim marrëzinë, duhet të provojmë të kuptojmë psikikën e të marrit.

Eshtë e sigurt që marrëzia është një defekt moral dhe jo intelektual. Ka njerëz të cilët, nga ana intelektuale janë të njohur, ndërkohë shquhen për marrëzira të mëdha. Krahas këtyre ka të tjerë, të cilët nga ana intelektuale janë tapë, por sillen krjet ndryshe nga intelektualët e marrë.

Mendohet se marrëzia njerëzore nuk është e lindur. Ajo përfitohet në jetë, në rrethana të veçanta ose më sakt, tipa të veçantë, e deshirojnë dhe pranojnë vetë atë.

Ky defekt vihet re më tepër tek ata që jetojnë në kolektiv se sa te tipat e vetmuar. Duket se marrëzia, është më tepër problem social, se psikologjik.

Në çdo rast të luftës për pushtet, qoftë kjo në politikë apo religjion, infektohen masa të mëdha njerëzish me „virusin“ e marrëzisë. Duket sikur është një ligj psiko-sociologjik, ku „Njëshit“, për të marrë pushtetin, i duhet çmenduria e të marrëve.

Në fazën e kësaj veprimtarie, nuk do të thotë që njerëzit i humbasin disa veçori të tyre si, intelektin. Shumë më tepër është fakti që, në rastet e luftës për pushtet, njerëzve u fiket rezistenca e brendshme dhe pak a shumë, në mënyrë paqësore, e dorëzojnë autonominë e tyre.

Nëse flet me një të tillë, të jep përshtypjen se nuk ke të bësh fare me atë, por me parullat, propagandën dhe bindjet e tij që i ka përvetsuar. Ai është i magjepsur, i verbër, i kafshëruar, është shndërruar në një vegël qorre, pa ndjenja dhe arsye.

Ai as vetë nuk e kupton se është shndërruar në një send të rrezikshëm.

Vetëm një akt çlirimi mund ta mposhtë marrëzinë, kur ajo pushton vendin. Marrëveshjet, udhëzimet dhe sqarimet nuk bëjnë punë. Çdo përpjekje për të bindur të marrët, individë apo të organizuar, është kohë e humbur.

Veprimet e të marrëve, nuk janë produkt i mendimit të tyre, janë detyrime dhe përgjegjësi ndaj grupit apo partisë, ku ata bëjnë pjesë.

„Fali o Zot! Janë të marrë, nuk dinë çfarë bëjnë“, kështu tha Krishti, për ata që e kryqëzuan.

Testi i fundit, për një shoqëri me moral, është lloji i botës që ua trashëgon pasardhësve të tyre.“

Bonhöfer, i akuzuar si anëtar i një grupi atentati kundër Hitlerit, u ekzekutua në mëngjesin e datës 9. 4. 1945 në kampin e përqendrimit në Flossenburg, dy javë para se vendi të çlirohej nga koalicioni antinazifashist.

Fundi i Hitlerit, me turmën e të marrëve që e mbështetën atë, nuk do të thotë edhe fundi i "Hitlerëve" dhe turmave të marrosura që i mbështesin ata.

Sipas italianit Carlo Maria Cipolla (1922-2000), njerëzit ndahen në katër kategori: Të paaftët, inteligjentët, banditët, të marrët.

Të marrët janë kategoria më e rrezikshme. Të organizuar në grupe, janë shumë më të rrezikshëm se mafia, ushtria dhe fashizmi, paralajmëron Cipolla.

Për të kuptuar një gjë të tillë, duhet të njohim pesë veçoritë më tipike të marrëzisë njerëzore:

1. Gjithësecili e nënvlerëson vazhdimisht numrin dhe rrezikshmërinë e të marrëve.

2. Mundësia që një person të jetë i marrë, nuk ka të bëjë fare me shkollimin, pasurinë dhe statusin e tij social.

3. Njeriu i marrë, dëmton me qëllim të tjerët, pa përfituar asgjë për veten e vet.

4. Njerëzit e ditur, vazhdimisht e nënvlerësojnë forcën shkatrruese të të marrëve, dhe përseri harrojnë që, sjellja e mirë me të marrët, është gabimi më i madh i tyre.

5. Një i marrë është lloji i njeriut më të rrezikshëm, madje, shumë më i rrezikshëm se banditi.

Cipolla analizon katër mënyrat e sjelljes së njerëzve: Një person mund ta shfrytëzojë tjetrin; pranon edhe shfrytëzimin e vet nga të tjerët; dëmton të tjerët dhe veten. Nëse Tomi bën një veprim me Jerryn, nga i cili pëson humbje, është naiv.  Nëse, nga veprimi i tij, përfiton vetë ai dhe Jerry, është inteligjent.  Nëse Tomi përfiton vetë, por dëmton Jerryn, është bandit. Nëse Tomi, me vevprimin e vet dëmton Jerryn, pa fituar asgjë për veten e vet, është i marrë. Të tillë njerëz gjenden në mesin tonë, dhe janë shumë.

Le të shikojmë përbërjen e shoqërisë në të cilën jetojmë:  Njerëzit e paaftë janë pjesë e shoqërisë tonë, por ata shfrytëzohen nga të tjerët, kryesisht nga banditët. Aktiviteti i tyre është i kufizuar, i papërfillshëm.

Altruistët dhe pacifistët e pranojnë vullnetarisht përbërjen sociale. Pajtohen me atë që është. Nuk reagojnë.

Njerëzit inteligjentë, marrin përsipër ndryshimin e gjendjes sociale, vendosjen e barazisë dhe zhdukjen e shfrytëzimit. Ata kanë nevojë për mbështetje, të paaftët duhet të bashkohen me ata, por nuk bashkohen.

Banditët ndjekin rrugën e interesave të tyre dhe pasurohen vazhdimisht, në kurrizin e të tjerëve. Të paaftët dhe inteligjentët, duhet të provojnë që t’i bllokojnë ata.

Të marrët, vazhdimisht mundohen që t’i shkaktojnë sa më shumë dëme shoqërisë, pa asnjë interes përfitimi për veten e tyre. Veprimet e tyre, frikësojnë, terrorizojnë, zemërojnë, çorodisin gjithë të tjerët.

Cipolla, në masën e madhe të njerëzve, dallonte dy tipa të ndryshëm:  të marrët dhe ata normalë. Ky ndrshim ishte në natyrën e tyre, askund tjetër. Njëri është i marrë, ashtu siç është tjetri flokëkuq, mendonte ai.

Cipolla paralajmëronte rrezikun e të marrëve në shoqërinë njerëzore. Ky rrezik varet shumë nga pozita sociale  e njeriut të marrë. Te burokratët, gjeneralët dhe politikanët, gjendet një masë e madhe e njerëzve të marrë, paralajmëronte ai.

Që shoqëria të shpëtojë nga rreziku i marrëzisë njerëzore, duhet të izolohen të marrët. Sot, nesër është vonë.

Lekë Imeraj-shkrimtar, përkthyes, publicist

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat