Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e mirëqenies sociale për muajin tetor 2025, të cilat tregojnë ndryshime të theksuara në numrin e përfituesve nga skemat pensionale dhe ato të mirëqenies sociale, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Statistikat e publikuara tregojnë një dinamikë të ndryshme mes skemave: ndërsa mbështetja për personat me aftësi të kufizuara është rritur, disa prej skemave tradicionale pensionale kanë pësuar rënie të numrit të përfituesve.
Rritje e skemave për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara
Të dhënat e ASK-së tregojnë se skemat që mbështesin personat me aftësi të kufizuara kanë shënuar rritje të dukshme. Përkrahja financiare për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara është rritur me 11.9%, ndërsa pensionet për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë janë rritur me 11.6%.
Rritje janë shënuar edhe në skemat e tjera, përfshirë pensionet e FSK-së: +8.0%, pensionet bazike të moshës: +7.1, kompensimi për punëtorët e arsimit 1990/91–1998/99: +5.0%, pensionet për personat me aftësi të kufizuara: +3.6, kompensimet për personat e verbër: +0.4%, pensionet e TMK-së: +1.2%, veteranët e luftës: +0.4%
Rënie në disa skema pensionale
Në anën tjetër, disa skema kanë shënuar ulje të përfituesve. Krahasuar me tetor 2024, pensionet invalidore: -26.8, pensionet e Trepçës: -20.6%, pensionet familjare: -11.2%, ndihma sociale: -10.9%, familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës: -1.8%, pensionet kontribut-pagues të moshës: -1.7%, trende të përziera në mirëqenie sociale.