Tetovë, pa parkingje të reja nuk ka zgjidhje të kaosit urbanistik

Tetova

Tetovë, pa parkingje të reja nuk ka zgjidhje të kaosit urbanistik

Më: 23 dhjetor 2021 Në ora: 17:06
Foto ilustrim

Kaosi urbanistik vazhdon të jetë i pranishëm në Tetovë, edhe pse Komuna e Tetovës në bashkëpunim me Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë së fundmi kanë marrë masa për lirimin e trafikut, por momentalisht vetëm në pjesët qendrore. Zgjidhja për problemin e kaosit në trafik sipas qytetarëve është te krijimi i parkingjeve të reja, ku gjatë periudhës parazgjedhore premtimet për këto të fundit nuk ishin të vogla nga kryetari aktual. Kasami në krye të komunës është gati se dy muaj, ndërsa para dy ditëve ai njoftoi se deri në fund të këtij viti do të prezantojnë para publikut planin për zgjidhjen e kaosit në trafik dhe parkimin, shkruan Portalb.mk.

Kaosi urbanistik dhe mungesa e parkingjeve e kanë shoqëruar Tetovën me vite, kështu duke krijuar kolona dhe pritje të gjata nëpër rrugë, ku qytetarët mesatarisht në një rrugë prej 3 kilometrave duhet të shpenzojnë nga 15 deri në 40 minuta.

Për çështjen e parkingjeve dhe kaosit në komunikacion kreu i Tetovës para dy ditëve tha se ka urdhëruar sektorin për veprimtarive komunale dhe ndërmarrjen e parkingjeve për të gjetur zgjidhje afatgjatë.

“Sipas informacioneve që kam, shpresoj që deri në fund të vitit të kemi informacione të plota sipas të cilave do të dalim para publikut për të zgjidhur kaosin në trafik dhe parkimin”, tha Kasami.

Ndërkaq i pyetur për garazhet shumëkatëshe ai tha se sipas informacioneve që ka, tani ka vulë vetëm për një garazh shumëkatësh te tregu, në pronësi të komunës.

“Në pjesët e tjera nuk janë zbardhur çështjet pronësore-juridike, në momentin kur do te kemi parcela te pastra dhe kur do te bejme planin urbanistik do ketë garazhe shumëkatëshe”, tha kryetari i Komunës së Tetovës.

Rikujtojmë se gjatë periudhës parazgjedhore, asokohe kandidat, tani kryetari i Tetovës premtoi se në Tetovë kanë paraparë diku shtatë parkingje me konstruksion çeliku të cilat mund të ndërtohen për një periudhë shumë të shkurtë, jo më shumë se gjashtë muaj dhe që do të kushtojnë jo më shumë se 1 milion euro dhe tre garazhe në kate me partneritet publik-privat.

Gjithashtu, premtoi se ka plan të detajuar për zgjerimin e planit urbanistik dhe çlirimin e qytetit nga komunikacioni, nga ku të njëjtin do ta miratojnë në gjashtë mujorin e parë dhe pastaj do të vazhdojnë me planet detale urbanistike, ku siç tha kjo nuk do ti kushtojë Komunës së Tetovës më shumë se 1.8 milion euro.

Së fundmi, Sektori për Punë të Brendshme Tetovë ka intensifikuar kontrollin e vazhdueshëm, masat dhe aktivitetet parandaluese dhe të tjera për rregullim më të madh të komunikacionit nëpër rrugët dhe trotuaret e Tetovës, e sidomos kur bëhet fjalë për parkimin në qendër të qytetit, ku edhe i gjobitin qytetarët kur parkohen në mënyrë të jashtëligjshme.

Qytetarët shprehen se zgjidhje do të ketë vetëm kur do të krijohen parkingje të reja.

Ndërkaq numri i automjeteve të regjistruara me targa të Tetovës, gjatë vitit 2021, sipas SPB-së është 44,592 .

Nga aspekti ligjor, parkimi i veturave përgjatë bulevardeve nuk është i lejuar, por kjo në praktikë në Tetovë nuk funksionon kështu. Për këtë Komuna duhet të sigurojë zgjidhje alternative që janë parkingjet. Ndërkaq në Tetovë veturat parkohen anash rrugëve përgjatë bulevardit “Iliria”, “Ilindenit”, “Bllagoja Toskës”, ndërkaq ky fenomen rrallë shihet gjatë bulevardit “Industrial”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat