Dauti: Shkollat e Tetovës nuk kanë aplikuar për rrymë të subvencionuar nga shteti

Tetova

Dauti: Shkollat e Tetovës nuk kanë aplikuar për rrymë të subvencionuar nga shteti

Më: 8 dhjetor 2022 Në ora: 23:10
Foto ilustrim

Një numër i madh të shkollave fillore dhe të mesme nuk kanë aplikuar për çmim më të lirë të energjisë elektrike përmes EMV-së për institucionet që ato drejtojnë.

Nga Komuna e Tetovës thanë për “Alsat” se shkollat e tyre kanë refuzuar këtë ofertë për shkak të procedurave burokratike të aplikimit dhe njëkohësisht benefiteve që kompania energjetike e deritanishme u ka ofruar shkollave.

“Vendosën një zëri që të vazhdojnë të furnizohen me energji elektrike nga kjo kompani me arsyetimin se nuk është ndonjë diferencë e madhe që të aplikojnë për subvencionin që është nga ana e Qeverisë. Poashtu nga ana e kësaj kompanie është bërë lirim i çmimit nga ai paraprak dhe shkollat bën aneks kontratë me kompaninë e caktuar. Arsyetimi tjetër ishte se ka shumë procedura për të aplikuar lidhur me subvencionimin që e ofron Qeveria me anë të EMV-së”, deklaroi Nazmi Dauti, Komuna e Tetovës.

Në shkolla të caktuara, drejtuesit dhe mësimdhënësit po kryejnë aktivitete të ndryshme me nxënësit për kursimin e energjisë elektrike. Në shkollën fillore “Bajram Shabani” në fshatin Kondovë të Komunës së Sarajit është bërë ndërrimi I të gjitha poçeve elektrike me ato LED. Siç tha mësuesi Mexhait Ameti, përmes projekteve të caktuara brenda dhe jashtë objektit shkollor nxënësit fitojnë njohuri për kursimin e energjisë në shkollë dhe shtëpi.

“Mundohemi që atë që u’a tregojmë nxënësve këtu ato vet ta përdorin nëpër shtëpitë e tyre që mos të harxhohet rryma për shkak krizës botërore me energjinë. Mundohemi nëpërmjet disa vizatimeve të bëjmë se si ta kursejmë energjinë elektrike ose energjinë alternative si mund ta përdorim ne. Mundohemi në këtë aspekt nxënësit t’i stimulojmë për shfrytëzimin e dritës së diellit dhe të njëjtën ta konvertojmë në dritë me energji”, u shpreh Mexhait Ameti, mësimdhënës.

Afati i aplikimit për rrymë më të lirë për shkollat fillore dhe të mesme është vazhduar deri më 20 dhjetor, por pothuajse gjysma e këtyre shkollave nuk ishin të interesuara të kenë çmim të favorshëm për energjinë elektrike, tha ditë më parë ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Ai shtoi se kjo është sjellje e papërgjegjshme e të gjithë atyre që menaxhojnë shkollat duke shtuar se qëllimisht u bëjnë shpenzime shtesë komunave në të cilat gravitojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat