Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale, Veliaj: Inovacioni është e ardhmja, teknologjia është investimi më i mirë për të rinjtë

Tirana

Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale, Veliaj: Inovacioni është e ardhmja, teknologjia është investimi më i mirë për të rinjtë

Më: 26 prill 2022 Në ora: 14:05
Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë sot në Konferencën Kombëtare, “Pronësia Intelektuale dhe Rinia – Inovacion për një të ardhme më të mirë”, që u mbajt në Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale.

Në fjalën e tij, duke iu drejtuar të rinjve, Veliaj tha se bashkëmoshatarët e tyre në të gjithë botën po përballen me sfidat e inovacionit, duke përdorur energjinë, zgjuarsinë dhe kreativitetin e tyre për të krijuar një të ardhme më të mirë.

“Konferenca e sotme na bën të kuptojmë se çdo ide, çdo shpikje, çdo arritje ka një vlerë në treg, një patentë të vetën dhe një mënyrë sesi mbrohet kjo e drejtë. Ndaj, e shoh edhe si një fushatë fantastike emancipimi, ku nëse dikush ka krijuar një sistem që funksionon, qoftë edhe këtu në ‘nahijen’ tonë, do ishim shumë të lumtur ta mësonim si bëhet, dhe nëse secili mëson prej tjetrit, besoj se të gjithë dalim më të ditur dhe me njohuri nga kjo eksperiencë e sotme, sepse kështu marrim diçka praktike për gjëra që funksionojnë dhe strategji që vlejnë edhe në kontekstin tonë,” tha ai.

Veliaj deklaroi se mbrojtja e të drejtës intelektuale duhet të shërbejë si një moment emancipimi dhe frymëzimi për më shumë ide novatore. “Është shumë e rëndësishme, – tha ai, – që sidomos tek puna që ne bëjmë me të rinjtë, të fusim koncepte se çfarë do të thotë të ruash të drejtën tënde, të ruash idenë tënde, të investosh në një ide që është unike”.

Ai u shpreh se vendi ynë duhet të përpiqet të kapë kohën e humbur dhe se teknologjia është mënyra më e mirë që të rinjtë shqiptarë duhet të investohen. Veliaj vuri në dukje faktin se të rinjtë duhet të synojnë më shumë sesa thjesht një punë në shtet.

“Në gjithë rajonin tonë, jo vetëm në Shqipëri apo Kosovë, por edhe në Malin e Zi, Bosnje, Maqedoninë e Veriut, Serbi, në çdo sondazh, mbi 90% e të rinjve duan ende të punojnë në shtet pasi mbarojnë universitetin. Po të njëjtët të rinj, po e njëjta grupmoshë, në Tel Aviv, në Estoni, në Letoni, në Lituani, në Irlandë duan të punojnë në privat, duan të krijojnë kompaninë e tyre, duan të jenë ‘shefa’ të vetes së tyre, të jetës së tyre. Besoj se këtu kemi shumë nevojë për ta ndryshuar këtë mentalitet. Gjithmonë e më shumë shteti do punësojë më pak dhe do jetë një lloj ‘kalorësie e lehtë’, por ndërkohë ‘këmbësoria e madhe’ do të jetë në privat,” tha kryebashkiaku.

Çdo 26 prill, festohet Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale për të mësuar rreth rolit që luajnë të drejtat e pronësisë intelektuale në inkurajimin e inovacionit dhe krijimtarisë. Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale 2022 promovon potencialin e madh të të rinjve për të inovuar dhe nxitur ndryshime për një të ardhme më të mirë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat